Ilustrim

Një inspektor i ATK-së dhe një qytetar arrestohen për ryshfet

Një inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) është arrestuar për marrje ryshfeti bashkë me një qytetar që dyshohet se i ka dhënë ryshfetin në terminal doganor.

Policia e Kosovës njofton se është informuar se një zyrtar-inspektor i ATK-së dyshohet se mund të ketë keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në terminalin doganor në Mitrovicë dyshohet se nga një qytetar/palë në procedurë ka pranuar një shumë të hollash.

Sipas njoftimit, informata është pranuar sot më 24.04.2024 nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë të Jugut.

“Gjatë punës operative dhe hetimore në bashkëpunim edhe me zyrtarë të Policisë Kufitare, në hapësirat e terminalit Doganor në Mitrovicë janë siguruar dëshmitë se i dyshuari mashkull me qëllim të lehtësimit të procedurave të kontrollit, i kishte ofruar para të gatshme zyrtarit të ATK-së të cilat i janë gjetur në xhepin e tij dhe të njëjtat i janë sekuestruar përkohësisht si provë materiale relevante për veprën penale” – thuhet në njoftim.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve, dhe më pas u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.