Familjarët e të zhdukurve kërkojnë trajtim të njëjtë ligjor sikurse kategoritë tjera të viktimave të luftës

Qendra Burimore për Personat e Zhdukur ka organizuar të enjten, më 25.04.2024, tryezën e rrumbullakët “Ndryshimi i Ligjit për Persona të Zhdukur”.

Gjatë kësaj tryezë familjarë të personave të zhdukur, serbë dhe shqiptarë, kërkuan që të mos jenë të diskriminuar në raport me kategoritë e tjera të viktimave të luftës.

Sipas tyre, familjarët e viktimave civile janë dukshëm të diskriminuar në raport me kategoritë tjera të luftës, andaj, ata thanë se plotësim ndryshimi i Ligjit për Persona të Zhdukur duhet t’ i përfshijë të drejtat e tyre.

Bajram Qerkini, nga Qendra Burimore për personat të Zhdukur tha se me ligjin e ri duhet të largohet diskriminimi, siç tha ai ndaj familjarëve të të pagjeturve, sidomos sa i përket pensioneve dhe ndihmave tjera që u takojnë.

Qerkini kërkoi edhe një angazhim, më të madhe nga përfaqësues të shoqatave të personave të pagjetur që të rrisin presionin ndaj Qeverisë në plotësonim e të drejtave të tyre.

“Përveç që na shkelen të drejtat për zbardhen e fatit të të pagjeturve, na shkelen të drejtat edhe me mos miratimin e ligjit të plotësuar. Qeveria nuk është duke dëgjuar zërin tonë dhe ne duhet të jemi më këmbëngulës për realizmin e të drejtave tona, si familjarë të të pagjeturve”- tha Qerkini.

Ndërsa, Yll Morina nga që Komisioni Ndërkombëtar për Personat të Zhdukur u ka bërë thirrje familjarëve të personave të zhdukur që të bashkëpunojnë me organet përkatëse, duke i dhënë mostrat, për të lehtësuar identifikimin dhe shmangien e gabimeve.

Sipas tij, si rezultat edhe i bashkëpunimit me familjarë të të pagjeturve dhe institucionet tjera “Kemi 19 identifikime të reja, do të thotë 19 persona, çka do të thotë se 19 persona të rinj janë identifikuar dhe me këtë është zvogëluar numri i personave të pagjetur, dhe shpresoj në identifikime të reja”- tha Morina.

Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për persona të zhdukur, tha se drafti për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Personat të Pagjetur do të jetë gati shumë shpejt. Sipas tij, të gjitha pika e adresuara nga shoqatat e të të pagjeturve janë përfshirë në këtë draft, që nga emërtimi i ligjit, reparacionet, caktimi zyrtarisht i ditës kombëtare për të pagjeturit, etj. Ai ka fajësuar Serbinë për ngecjet në procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“Pas krimeve të përmasave gjenocidale të kryera nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë lufta e personave të zhdukur ende s’ ka përfunduar e liria vazhdon të mbetet jo e plotë”- ka thënë Gara, i cili edhe kërkoi fjale nëse ka përdorur ndonjë fjalë që mund të ketë prekur familjarë të të pagjeturve.

Negovan Mavriq, nga Qendra Burimore, i reagoi Garës lidhur me fjalën se gjenocid.

“Sa i përket gjenocidit, nuk kam dëgjuar se është bërë gjenocid, por është bërë një masakër e tmerrshme në Mehë, por nuk ju dëgjova të flisni për masakrën në Rahovec. E sa i përket ligjit ai është diskriminues në raport me viktimat civile të luftës”- tha Mavriq.

Kurse Valdon Bytyqi nga Departamenti për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, ka porositur familjarët e të zhdukurve që të kërkojnë të drejtat e tyre që ofrohen edhe më ligjin aktual, sidomos ndihmave.

“Shuma që marrin familjarët e të pagjeturve është e ultë, diku mbi 160 euro, në raport me atë që marrin kategoritë terja të luftës, çka bën që ky ligj (aktual) të ketë problematikën e diskriminimit”- tha ai.

Gjatë kësaj tryeze u vu në pah edhe mungesa e vullnetit të palës serbe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Kjo tryezë diskutimi për “Ndryshimin e Ligjit për Persona te Zhdukur”, është mbajtur në kuadër të shënimit të 27 Prillit, Ditës Kombëtare të Viktimave të Zhdukura me Forcë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, 1617 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, 1998-1999.