BE u bën thirrje qytetarëve serbë të votojnë më 21 prill, Listës Serbe i kërkon ta rishqyrtojë vendimin

Bashkimi Europian u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në katër komunat në veri të Kosovës që të votojnë të dielën më 21.04.2024, për apo kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë. Krahas kësaj, BE-ja ka përsëritur thirrjen që Lista Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë në këtë proces.

“Ne morëm parasysh shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës në lidhje me procesin që mundëson zgjedhje të reja lokale. Megjithatë, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe elektoratit serb të Kosovës që të shfrytëzojë të drejtat e veta dhe të shprehë opinionin e tyre politik në kutinë e votimit”- thuhet në përgjigjen e Bashkimit Europian për KALLXO.com.

Për BE-në, e rëndësishme është që në katër komunat në veri të Kosovës të mbahen zgjedhjet lokale.

“BE-ja rikujton se është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte të mbahen në të katër komunat në veri të Kosovës. Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetar bashkie do të siguronte një qeverisje vendore plotësisht përfaqësuese në veri dhe do të ndihmonte në de-përshkallëzimin e situatës. Vota e tërheqjes është një hap në këtë drejtim”- thuhet në përgjigjen e BE-së.

Sipas BE-së, është e domosdoshme të kthehet situata “ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës”.

Në katër komunat në veri të Kosovës, të dielën më 21.04.2024, do të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës me 21 prill, por nga ana tjetër Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, që janë shumicë në këtë zonë, për ta bojkotuar këtë proces.

E vetëm dy ditë para organizimit të këtij procesi, përfaqësuesit lokal të partive politike të udhëhequra nga shqiptarët thonë se e kanë lënë në vullnetin e qytetarëve që të vendosin nëse duan ose jo të dalin në votime.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

“Referendumi” i 21 prillit në veri: Pak interesim për votim e shumë pritje për dështim të procesit