Dyshimet për mashtrim, arrestohet pronari i një shkolle online në Gjilan

Policia në Gjilan po kryen bastisje në një objekt i cili ishte marrë në shfrytëzim nga një person i dyshuar për mashtrim, i cili kishte hapur një shkollë online. 

KALLXO.com mëson se aktualisht policia po bastisë pronën që ishte marrë nga i dyshuari Driton Ajeti, për të parë nëse ka prova dhe materiale që mund të shfrytëzohen në dosjen penale ndaj tij e cila tashmë ka nisur për veprën penale të mashtrimit. 

Driton Ajeti, është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga ana e policisë në Gjilan nën dyshimet se ka kryer veprën penale të mashtrimit. 

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësi i policisë në Gjilan, Ismet Hashani. 

“Aktualisht jemi duke punuar në rast, hetuesit janë duke trajtuar rastin nuk mund të japim detaje për shkak se mund të pengohen hetimet por ajo çfarë mund të konfirmoj deri më tani është se i dyshuari është arrestuar për mashtrim”- tha Hashani. 

KALLXO.com mëson se gjatë një aksioni të prokurorisë i cili është ndërmarrë gjatë ditës së djeshme është arrestuar i dyshuari dhe është dërguar në mbajtje ndërsa tashmë kanë nisur edhe veprime të tjera hetimore. 

Siç mëson KALLXO.com gjatë ditës së sotme (29.03.2024) janë duke u zhvilluar edhe disa kontrolle në disa lokacione në Gjilan që ndërlidhen me rastin. 

I dyshuari, D. A., po dyshohet për mashtrimin e dhjetëra mësimdhënësve, sociologëve e profesione të tjera. 

Kjo pasi që i njëjti dyshohet se përmes një shkolle online tentoi që të mashtronte persona të ndryshëm për punësim. 

KALLXO.com ka siguruar dhjetëra komunikime që kanë ndodhur në një grup me afër 400 anëtarë që pretendohet se janë mësues, socialogë, psikologë, juristë e profesione të tjera. 

Të njëjtit kishin aplikuar në shkollën online e cila është hapur nga Driton Ajeti, ndërsa u ishte kërkuar që të paguanin trajnime të obligueshme për të marrë më pas edhe kontrata pune. 

Javë më parë derisa KALLXO.com po trajtonte këtë çështje dhe disa akuza që kishin ngritur ish-punonjës të kësaj shkolle online, pati kontaktuar me tashmë të arrestuarin. Ai kishte shpjeguar se si do të financohej shkolla online që pretendonte të mësonte të vegjëlit deri te moshat e shtyera. 

“Shkolla financohet nga unë personalisht. Unë kam ardhur në Kosovë me diku 2.8 milionë euro pasuri timen, dhe pastaj financohet edhe prej klientëve që paguajnë 12 euro për vit, pra janë diku 180 mijë klientë që bëjnë përafërsisht mbi 2 milionë euro, është biznes i regjistruar”- pati thënë Driton Ajeti më datë 08.03.2024 përmes telefonit për KALLXO.com. 

Biznesi sipas tij do të funksiononte online dhe kishte target mosha të ndryshme duke nisur nga nxënësit e deri te moshat e shtyera. 

Vetë Driton Ajeti, kishte konfirmuar për KALLXO.com se në shkollën online kishte rreth 400 të punësuar të profesioneve të ndryshme. 

“99 përqind janë femra, financa kemi mjaftueshëm dhe pavarësisht secilës, ato i marrin rrogat nga data 1-5 prill”- pati thënë ai. 

Ideja e shkollës ishte sipas Driton Ajeti, që të mësohet gjuha shqipe, arti shqiptar, kultura tradicionale shqiptare. 

Kur ishte pyetur për akuzat që kishte hedhur një ish-punonjës i shkollës, ai ishte arsyetuar se nuk po dëgjon dhe më pas nuk ishte përgjigjur më në telefon. 

Avni Rudaku i cili kishte nënshkruar kontratë më 15.01.2024 me shkollën online si konsulent për çështje mësimore ishte tërhequr nga kjo nismë duke ngritur edhe dyshimet e tij në lidhje me punën. 

Ai nisi një shkrim të gjatë të publikuar në rrjetin social Facebook duke treguar edhe për disa çështje të cilat pretendon se i hasi pasi u angazhua në këtë shkollë online. 

Sipas tij shkolla kishte obliguar punëtorët që kishin nënshkruar kontratat që të paguanin disa trajnime apo kurse të obligueshme të cilat do të kushtonin 100 euro për person. 

“Të nderuar, ju njoftojnë se asnjë person nuk do të ketë kontratë pa iu nënshktruar trajnimeve profesionale të obligueshme për secilin profil të organizuar nga vet kompania”- ishte një pjesë e një mesazhi që kishte publikuar Rudaku, që ishte dërguar në një grup në rrjetin social tjetër “Viber”. 

Sipas tij shkolla online kishte obliguar punëtorët që të paguanin edhe një tarifë prej 12 eurosh pa marrë pagat bazë ndërsa të njëjtit ishin kushtëzuar edhe për ndjekjen e trajnimeve në shumë prej 100 eurosh nën kushtëzimin dhe kërcënimin se nëse nuk bëjnë pagesat do t`u ndërpriten kontratat e punës të cilat tashmë i kishin nënshkruar. 

“Investimi me mjete financiare të punëtorëve, akoma edhe pa u bërë një muaj, është praktikë e panjohur dhe mund ta bëjë veç dikush që nuk i ka njohuritë elementare mbi etikën, ligjet në fuqi dhe konventat ndërkombëtare”- kishte shkruar Rudaku. 

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Rudakun por i njëjti pati thënë se ka bërë një reagim publik për këtë çështje dhe nuk do që të flas për të. 

“E nderuar, e konsideroj të mbyllur. Detajet i ke në shkrimin tim”- pati thënë Rudaku më 11.03.2024 për KALLXO.com.