Parlamenti i Belgjikes

Foto: Denis Sllovinja

Deputeti belg propozon ndërtimin e një burgu në Kosovë për të burgosurit pa dokumente në Belgjikë

Deputeti belg, Theo Francken ka shprehur idenë e ndërtimit të një burgu në Kosovë për të burgosurit pa dokumente në Belgjikë, raporton gazeta belge, HLN.

Për këtë ide, ai thotë të jetë frymëzuar nga një marrëveshje që ka Kosova me Danimarkën, me anë të së cilës parashihet transferimi i 300 të burgosurve danezë në burgun e Gjilanit në këmbim të mbi 200 milionë eurove.

Ideja e tij ka ardhur gjatë një udhëtimi në Ballkan javën e kaluar, ku edhe e ka parë burgun në Kosovë, aty ku parashihen të vendosen të burgosurit nga Danimarka.

Përmes një plani të ngjashëm, Francken ka thënë se dëshiron që të lehtësojë burgjet belge.

HLN shkruan se plani për burgun në Kosovë është në kuadër të fushatës zgjedhore të partisë së tij Aleanca e Re Flamane (N-VA), në zgjedhjet federale që do të mbahen më 09.06.2024.

“Të vuash një dënim me burg në një distancë të tillë është frenuese për të thënë më së paku” – ka thënë deputeti belg.

Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar letër-pëlqim për sjelljen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në traktat.

Qeveria e Kosovës ka miratuar më 07.06.2023 projektligjin për Ratifikimin e këtij traktati, por i njëjti nuk ka kaluar ende në Kuvend.

Traktati, i cili ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh, parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në Burgun e Gjilanit, ndërsa Kosova, në këmbim, të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Ky shtet do t’i shfrytëzojë qelitë për pesë vjet nga hyrja në fuqi e traktatit dhe mund t’i vazhdojë edhe për pesë vjet shtesë.

Udhëheqësit dhe gardianët në Burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.