Dy Amerikanë, Nobelistë për Ekonomi

Akademia Suedeze e Shkencës njoftoi sot se u ka ndarë Çmimin Nobel për Ekonomi dy profesorëve amerikanë.

Thomas Sargent, nga Universiteti i New York-ut dhe Christopher Sims, nga Universiteti Princeton, janë nderuar për “hulumtimin e tyre empirik rreth shkaqeve dhe efekteve në makroekonomi”, thuhet në komunikatën për shtyp të lëshuar nga Akademia Suedeze.

Sargent ka treguar se si makro-ekonometrika strukturore mund të përdoret për të analizuar ndryshimet e përhershme në politikën ekonomike. Sims ka zhvilluar një metodë të bazuar në të ashtuquajturin vektor autoregresiv për të analizuar se si ekonomia është prekur nga ndryshimet e përkohshme në politikën ekonomike dhe faktorë të tjerë, thuhet mes tjerash në arsyetimin për ndarjen e çmimit

“Edhe pse Sargent dhe Sims kanë kryer studimet e tyre të pavarur, kontributet e tyre janë komplementare në disa mënyra”.

Çmimi për Ekonomi është i fundit Nobel për vitin 2011. Më herët janë ndarë çmimet për mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe për paqe.