Njerëz të Tjetërsuar

Nëse demokracia matet me mënyrën se si shoqëria e shpërndanë pasurinë, Kosova ka shumë punë përpara për të bindur se ajo është një shtet i tillë pasi dallimet mes shtresave janë marramendëse. Këtë më së miri e ndjejnë në supet e tyre pensionistët e vendit, qytetarët me të ardhurat më të dobëta në Europë. 

Më shumë se të gjithë, ata janë njerëz të varur nga të tjerët. Dhe atë, nëse janë me fat. 

Në shoqatën ku shumë prej tyre e kalojnë kohën, në Prishtinë, të vjetruara e të pambajtura duken jo vetëm veshjet e tyre, por edhe figurat e shahut – lojës së tyre të preferuar e të rrallë. Disa nuk pinë as kafe në mungesë të parave edhe pse ajo aty kushton jo më shumë se 0.20 centë. Ata janë njerëz të revoltuar, por të pafuqishëm. 

Ragip Krasniqi, 72 vjeçar, ka punuar për 40 vjet në arsim. Ai thotë se as në versionin më të keq nuk e kishte paramenduar gjendjen në të cilën ka arritur. “Tetëdhjetë euro që i marr nuk më dalin për ushqim. Shumë herë kam mbetur pa barna”, tregon ai. “Rrymën ma kanë këputur, aktualisht as nuk mund të pastrohem në shtëpi. Kjo është të jesh pensionist sot”.

Në kulturën shqiptare dhe të komuniteteve tjera në Kosovë për të vjetrit shpesh kujdesen familjet, përndryshe deri vonë devijimi nga kjo traditë është parë si shok shoqëror. Prandaj, brengat e kërkesat e tyre gjithmonë janë marrë pa nguti. Por, botëkuptimet duket se kanë ndryshuar me kohë dhe këtë pensionistët e kanë prekur me lëkurën e vet. 

Këtë tjetërsim e përshkruan nënkryetari i Partisë së Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, Aziz Abrashi. “Një ditë kam qarë prej mllefit kur i kam parë disa pensionistë, të cilët janë kolegë të mi, duke kërkuar gjëra nëpër kontejnerë disi fshehurazi”, shprehet Abrashi. “Ne jemi shtresa më e përbuzur e shoqërisë kosovare ndonëse, në kohën më të vështirë, kemi kontribuar shumë për këtë vend”. 

Një  nga arsyet kryesore të kësaj gjendje ndërlidhet me pamundësinë për të nxjerrë një ligj për pensionet. Shumë qeveri erdhën në pushtet me premtime për më të vjetrit, por pastaj i lanë ata në harresë nën presionin e obligimeve tjera si edhe të institucioneve të fuqishme monetare ndërkombëtare të cilët kërkojnë shpenzime minimale publike. 

Pensionet familjare nuk mund të merren, nëse vdes njëri nga bashkëshortët pensionistë tjetri nuk gëzon të drejtën që ta trashëgojë pensionin e tij, as fëmijët që nuk i kanë 18 vjet nuk kanë të drejtë që ta marrin pensionin e prindit të vet. Por, mbi të gjitha, pensionistët kërkojnë një pagë për vete e cila do të ishte e dinjitetshme, në përputhje me trendin rajonal dhe mesataren e të ardhurave në Kosovë. 

Ata kërkojnë që vlera e pensioneve mesatare të jetë 60 për qind nga vlera e pagës mesatare në Kosovë, që sipas shënimeve të Entit të Statistikave të Kosovës është 374 euro, dhe që i bie se pensioni duhet të jetë rreth 224 euro. Ata nuk pranojnë që pensioni mesatar të jetë më i vogël se paga minimale në Kosovë, që tash është 170 euro, sepse  jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, pensioni mesatar është më i lartë se paga minimale.

Pensioni mesatar në Shqipëri është 145 euro, në Serbi 230 ndërsa në Slloveni 604 euro. 

Për t’ia dalë mbanë kërkesave të tyre, pensionistët kishin krijuar partinë e vet politike në vitin 2009 – Partinë e Pensionistëve të Kosovës. Por, edhe ajo ka qenë e pafuqishme të shtyjë agjendën e saj deri më tash. 

Kryetari Sahit Dragaj thotë se arsyetimet për të mosmiratuar ligjin adekuat për pensionet që nga mbarimi i luftës janë të paqëndrueshme. Ai thotë se njerëzit do të mund të çuditen se sa këmbëngulës janë pensionistët tani në kërkesat e tyre. 

“Së pari, realizimin e këtyre të drejtave do ta kërkojmë përmes rrugës institucionale dhe ligjore”, thotë Dragaj. “Por, nëse kjo nuk jep rezultate, do të jemi të detyruar që t’i përdorim të gjitha rrugët deri në realizimin e  drejtave tona edhe përmes shprehjes se pakënaqësisë si protestat, tubimet, grevat e urisë”. 

Një draft-ligj qarkullon nëpër departamentet qeveritare për pesë vjet me radhë. Tash edhe një version i ri është përgatitur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Zëdhënësi Musa Demiri thotë se drafti është proceduar në Zyrën e Kryeministrit. 

“Pas marrjes së pëlqimit nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, me siguri që do të procedohet në Kuvend për miratim, sepse duhet një harmonizim i qëndrimeve të mekanizmave financiare vendore me ato ndërkombëtare”, thotë Demiri. 

“Kostoja e këtij projektligji për vitin 2012 është paraparë të jetë 132 milionë e 125 e 730 euro dhe ndryshimi nga viti 2011 është për afro 20 milionë. Këtu janë të përfshira të gjitha skemat e pensioneve, përveç skemës së pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe viktimave civile të luftës”. Këto të fundit janë të rregulluara me ligje të veçanta. 

Sipas draft-ligjit të ri, parashihet rritja e pensioneve si vijon: për pensionistët e moshës, prej 45 eurove sa është tani në 50 euro, për pensionistët kontribut-pagues prej 80 eurove sa është tani në 101 euro, kurse për pensionistët invalidë të punës rritja parashihet në vitin 2013.

Nënkryetari i Partisë së Pensionistëve Aziz Abrashi thotë se draft-ligji ka shumë mangësi dhe është i papranueshëm për pensionistët. Ata sidomos janë të interesuar në ndryshimin e amendamenteve që kanë të bëjnë me kategorizimin e pensionistëve pasi e konsiderojnë të nevojshme që ata të cilët kanë punuar punë më të rënda të paguhen respektivisht. “Ne jemi lodhur me premtimet dhe sjelljen e Qeverisë”, tha Abrashi. 

Në këtë vijë, kryetari i Shoqatës së Minatorëve të Kosovës, Naser Avdiu, thotë se minatorët pensionistë meritojnë të dallohen pasi ata kanë qenë të përfshirë në punë të rënda dhe janë më së shumti të sëmurë. 

“Edhe unë jam pensionist dhe me paratë që marr për një muaj, mund të blejë vetëm ushqim dhe atë vetëm ushqim të thatë, e mos të përmendim barnat dhe mjekimet për të cilat kemi nevojë”, shprehet Avdiu. “Pastaj ku janë obligimet tjera si pagesa për ujë, rrymë etj”. 

Kjo gjendje ka bërë që njerëzit t’i frikësohen pensionimit, pasi e dinë se të ardhurat e tyre do të bien në mënyrë drastike.

Lulëzim Dinarama, punonjës në moshë i cili mbikëqyrë punën në “Trepçë”, do të dalë në pension brenda gjashtë muajsh, gjë që nuk po e lë të flejë rehat. “Aktualisht si mbikëqyrës kam një pagë mbi 600 euro, por pas pensionimit do të mbetëm vetëm me 80 euro”, shprehet Dinarama. “Shqetësohem sepse jetoj me qira dhe me ato të hyra nuk di se çka do të bëj. Kam rënë në hall se si do ta mbajë familjen time”.

Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë diku rreth 170 mijë pensionistë në territorin e vendit. Gjendja e tyre do të ndikohet nga fati i këtij projektligji. 

Fakte: të dhëna nga qershori 2011

Shtetet                                 Pagat mesatare  (Euro)     Pensionet mesatare(Euro) 

Slloveni………………………….  985.00                                    604.00 euro                  

Kroaci….………………………..  736.00                                    326.00                           

Mali i Zi…………………………..  484.00                                    290.00                           

 B &H……………………………..  420.00                                   180.00                           

Republika Srpska………….  417.00                                  164.00                           

Serbi……………………………..  347.00                                    230.00                          

Maqedoni………………………..  331.00                                  159.00                         

Shqipëri.…………………………  400.00                                  145.00 

Kosovë…………………………… 374.00         45 euro të moshës/ 80 euro kontributpaguesit