ARKIV: Akil Gjakova pas triumfit | Foto: Facebook

Çka deklaroi në Gjykatë i dyshuari për dhunë në familje, Akil Gjakova?

Gjykata e Pejës ka refuzuar propozimin e Prokurorisë që xhudistit Akil Gjakova t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh për shkak dyshimit se ka ushtuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Të enjten, më 18.04.2024, u mbajt seanca gjyqësore për këtë rast.

Në këtë seancë, Akil Gjakova ka mohuar pretendimet se ai ka ushtruar dhunë fizike apo psikike ndaj bashkëshortes së tij.

“Unë asnjëherë nuk kam ushtuar dhunë psikike e as dhunë fizike ndaj bashkëshortes time. Kërkoj nga gjykata që të mbrohem në liri dhe mos të shkoj në paraburgim për arsye së është e domosdoshme të vazhdoj ushtrimet, pasi çdo humbje e ditës është e madhe për mua.” – ka thënë Gjakova në gjykim.

Masa ndaj Akil Gjakovës që të mos i afrohet personit apo vendit të caktuar do t’i zgjasë për 30 ditë.

Kërkesën për paraburgim e ka kundërshtuar edhe avokati Akil Gjakovës, Asdren Mekaj duke thënë se asnjëra nga kushtet që i ka specifikuar prokuroria nuk qëndrojnë.

Avokati i tij ka deklaruar se në momentin kur është lëshuar ftesa për tu paraqitur në stacionin policor, Gjakova ka qenë në jashtë vendit.

Mekaj ka thënë se me tu bërë publik shpallja për kërkim të Akilit, i njëjti i ka njoftuar se posa të përfundoj trajtimet mjekësore në Shqipëri, do të vinte në Kosovë.

Ai po dyshohet për dhunë në familje. Akili me bashkëshorten e tij janë në proces divorci.

Pak më parë KALLXO.com ka raportuar se Gjakovës i është aplikuar masa e ndalimit që t’i afrohet personit apo vendit të caktuar në distancë prej 50 metra. Ky vendim është marrë nga gjyqtari i çështjes, Veton Ademaj.

KALLXO.com ka arritur që të sigurojë dosjen e Prokurorisë në të cilën janë vënë edhe dyshimet se Gjakova mund të arratiset nëse qëndron në liri, kjo për faktin se i njëjti nuk ishte gjetur në shtëpi në ditën kur ishte kërkuar nga Policia pas raportimit të bashkëshortes për dhunë në familje.

Në bazë të dosjes, ai fillimisht i kishte thënë policëve se do të paraqitet me avokatin e tij në Polici.

Meqenëse nuk ishte paraqitur ashtu siç kishte thënë, Policia kishte nisur kërkimin e tij në shtëpinë e tij, as aty ai nuk ishte, ndërsa iu la edhe ftesa për paraqitje në stacion policor.

Tutje një tjetër pikë që Prokuroria ka konsideruar se është bazë për caktimin e paraburgimit është edhe fakti i ndikimit në dëshmitarë si dhe fshehja e provave, e edhe përsëritja e veprës penale.

KALLXO.com ka siguruar edhe ankesën që ka ushtruar ish-bashkëshortja e xhudistit Akil Gjakova.

Në bazë të dosjes, më 13.04.2024 Policia kishte pranuar një informacion përmes linjës 192 nga ankuesja S.Gj. për dhunë në familje. Ajo bashkë më fëmijën 3-vjeçar janë dërguar në stacion policor pasi kanë dalë ekipet në vendin e ngjarjes dhe aty është intervistuar.

Dhuna fizike e cila dyshohet se u përdor nga Akil Gjakova ndaj bashkëshortes së tij me të cilën është në proces divorci, sipas dosjes, ka ndodhur gjatë vitit 2023.

Kishte qenë vetë ankuesja e cila kishte dërguar prova materiale në Polici në lidhje me dhunën fizike dhe psikike që pretendon se kishte përjetuar gjatë vitit të kaluar.

Në ditën kur u raportua Gjakova për dhunë në familje, ankuesja S.Gj., ka raportuar në Polici se kishte shkuar te Akil Gjakova bashkë me fëmijën e tyre dhe aty e kishte gjetur derën mbyllur dhe një shënim “derën e ke mshelë dhe jam ka t’i boj gati teshat dhe po t’i bi te shtëpia jote”.

Viktima në Polici ka deklaruar se ka pasur vazhdimisht dhunë psikike nga Akil Gjakova.

Pas intervistimit nga ana e Policisë në prezencë edhe të zyrtares së QPS, S.Gj. është dërguar me kërkesë të saj në strehimore.

Nga 13.04.2024, Policia kishte iniciuar rastin ndërsa gjatë datës 16.04.2024 të njëjtit kishin shpallur në kërkim Akil Gjakovën pasi nuk ishte lokalizuar në Kosovë.

Gjykata refuzon propozimin e Prokurorisë, Akil Gjakova nuk shkon në paraburgim