(Arkiv) Ish-ministrja Dhurata Hoxha në gjykatë, Foto: KALLXO.com

Administrohen provat materiale në gjykimin ndaj ish ministres Dhurata Hoxha

Ish-ministrja Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi, Fitim Mustafa dhe Ekrem Tahiri, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Në gjykimin e së enjtes (18.04.2024) u bë administrimi i provave materiale të propozuara nga Prokuroria Speciale, në mesin e të cilave ishin tri video incizime, kontrata mes kompanisë “Pr Solutions” dhe disa portaleve, fatura e biseda elektronike në mes të të akuzuarve.

Prokurorja Speciale që përfaqëson këtë aktakuzë, Iliriana Çollaku- Tafa, bëri elaborimin e këtyre provave.

Gjatë elaborimit të provave materiale prokurorja speciale përmendi si prova kontratat e kompanisë “Pr Solutions” me portalet  “Periskopi”, “Veriu Info”, “Ekonomia Online”, “Rrokum TV”, “Gazeta Tribuna”, “Epoka e Re”, “Koha net”, “Kosova Press”, “Gazeta Metro”, “Klan Kosova”, “Newborn”, “Ballkan Info”, “Reporteri”, “Telegrafi”, “Top Lajm”, “Ora Info” dhe “Drenica Press”.

Sipas prokurores këto kontrata kishin përmbajtje të ngjashme dhe në to përmendet vendosja e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj.

Hoxha po akuzohet pasi sipas Prokurorisë Speciale kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës sipas Prokurorisë përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Videoja e parë e administruar përmbante material që lidhej me fondet e “IPA”. Ndërkaq videoja e dytë ka të bëjë me fuqizimin e gruas, dhe sipas prokurores në qendër të vëmendjes ishte e akuzuara Hoxha, video e cila sipas prokurores u publikua nga mediumet e kontraktuara. Kurse videoja e tretë e administruar kishte përmbajtje për një qendër për trajnime profesionale në Ferizaj.

Këto prova të elaboruara nga ana e prokurores i kundërshtoi avokati mbrojtës i Dhurata Hoxhës, Florent Latifaj.

“Secilën provë që lidhet me të mbrojturën time e kundërshtojmë sepse të njëjtat nuk pasqyrojnë fare dispozitivin e dytë të aktakuzës me të cilën akuzohet e mbrojtura ime si e patë edhe vetë, video-incizimet vetëm fushatë zgjedhore nuk janë”- tha avokati Latifaj.

Njëlloj kundërshtoi edhe avokati Arbër Jashari, mbrojtës i të akuzuarit Fitim Mustafa.

Ndërkaq avokatja Kosovare Kelmendi lidhur me këto prova dha vërejtje.

“Lidhur me provat e propozuara nga ana e Prokurorisë mbrojtja e të akuzuarit Gëzim Dushi bën vërejtje me theks të veçantë me provat lidhur me pozicionin 26, më konkretisht lidhur me publikimet në mediumin Rrokum…”- tha avokatja Kelmendi.

Fjalën e mori edhe Driton Muharremi, avokat i të akuzuarit Ekrem Tahiri, i cili po ashtu tha se i kundërshton provat e propozuara nga Prokuroria.

“I kundërshtojmë në kuptim të mbrojtjes provat e propozuara nga Prokuroria, përkatësisht ato që kanë të bëjnë me të mbrojturin tim Ekrem Tahiri, për faktin se IPA 26 ka të bëjë ekskluzivisht vetëm me banera dhe aspak me komunikata dhe shkrime siç pretendohet. Fatkeqësisht nuk kemi ekspertizë nga fusha mediale që do të sqaronte dallimin mes banerit dhe artikujve, komunikatave dhe shkrimeve”  – tha avokati Muharremi.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Vesel Ismaili – kryetar, Lutfi Shala dhe Violeta Namani – anëtarë.

Prokuroria me aktakuzë pretendon se mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj Ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions”, e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo Ministri.

Në aktakuzën e PSRK-së përshkruhet se kompania, e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret, ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa, i cili ishte shef i prokurimit në MIE.

Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.

Sipas Prokurorisë, “N.Sh. 2B” ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë sesa kompania e cila në fund u shpall fituese.

Kontrata me kompaninë “PR Solutions” ishte nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e Ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.

Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës në aktakuzë përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri, i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.