Albin Kurti në takim me nënkryetaret e tri komunave në veri. Foto: Zyra e Kryeministrit

Kurti takohet me nënkryetaret e tri komunave në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me nënkryetaren e Mitrovicës së Veriut, Katarina Adjançiq, nënkryetaren e Zveçanit, Natasha Tomaniq dhe përmes videolidhjes me nënkryetaren e Leposaviqit, Marina Bogojeviq.

Në takim mori pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve, Elizabeth Gowing.

Sië është njoftuar, pjesëmarrësit e takimit biseduan për situatën aktuale në katër komunat në veri të vendit dhe për zhvillimet e fundit në raportet me fqinjin verior, me theks te veprimet e djeshme me rastin e ndalimit të qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare dhe kërcënimet publike nga presidenti i Serbisë. Aleksandar Vuçiq.

“Vëmendje e veçantë gjatë takimit iu dha dhe mundësive për intensifikimin e investimeve dhe projekteve infrastrukturore në këto komuna, masave praktike që mund të lehtësojnë punësimin, sikurse masa e punësimit për 2000 banorë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, që është lansuar në shkurt të këtij viti, dhe procesit të regjistrimit të popullsisë“ – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje u shtua se lidhur me çështjen e regjistrimit të popullsisë, Kurti vuri theksin te rëndësia e këtij procesi dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që pjesëmarrja në këtë proces ka edhe në ndarjen e drejtë të buxhetit për komuna dhe planifikimin strategjik të politikave dhe projekteve.

Gjithashtu u njoftua se në takim u bisedua edhe për votimin për shkarkimin ose jo të kryetarëve i cili pritet të mbahet me 21 prill dhe për punën e institucioneve rreth organizimit të këtij procesi demokratik, që është iniciuar nga nënshkrimet e vetë qytetarëve të këtyre komunave.

Kurti u tha se falënderoi nënkryetaret për angazhimin e tyre dhe punën që po bëjnë, dhe u ofroi vazhdim të bashkëpunimit në shërbim të kërkesave dhe nevojave të qytetarëve që përfaqësojnë dhe komunave që qeverisin.

Albin Kurti në takim me nënkryetaret e tri komunave në veri. Foto: Zyra e Kryeministrit
Albin Kurti në takim me nënkryetaret e tri komunave në veri. Foto: Zyra e Kryeministrit
Albin Kurti në takim me nënkryetaret e tri komunave në veri. Foto: Zyra e Kryeministrit