Foto: Arkiv

Mbledhja e KQZ-së me polemika pasi votimi në veri dështoi të mbahet në të gjitha objektet shkollore

Një ditë para procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhje ku u diskutua lidhur me procesin, por edhe pati polemika mes anëtareve se përse nuk kishte arritur që votimi të bëhej në objektet shkollore.

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmeti bëri të ditur se arsyetimi i drejtorëve të shkollave ka qenë se aty ‘do ketë aktivitete kulturore për fëmijë’.

“Nuk është kërkuar që të shkohet me polici e t’i hapim ato shkolla”- u shpreh ai.

Sipas tij, tani janë në proces kur do bëhet edhe transportimi i materialit në qendra të votimit.

Anëtari i KQZ-së, Ilir Gashi kërkoi të dijë se përse nuk janë hapur 43 qendra votimi dhe përse nuk kanë marr përgjigje nga institucionet nëse ka qenë e nevojshme të improvizohet me qendra tjera.

“A janë shtjerr të gjitha format e komunikimit me institucionet tjera për të mundësuar hapjen e të gjitha qendrave të votimit, jemi kthyer në vitin 2009 me kontejnerë që nuk i plotësojnë kushtet. Pse nuk kemi përgjigje prej institucioneve të sigurisë përse nuk duhet të mbahen zgjedhjet në shkolla”- u shpreh Gashi.

Lidhur me këtë reagoi anëtari Alban Krasniqi i cili potencoi se shkollat do mund të hapeshin për dy orë, por nuk është në interes të vendit të hapen me polici.

“Ato shkolla mund të funksionalizohen për dy orë nëse kjo është ajo që po kërkoni, por nëse po kërkon diçka tjetër, atëherë nuk plotësohet, sepse interesi i Kosovës është më i madh se interesi i ngushtë i dikujt, nëse do luftë apo konflikt ajo edhe mund të ndodh”- ia ktheu Krasniqi.

Ai tutje shtoi se e dinë pozicionin dhe përpjekjen e listës serbe për të dështuar këtë proces.

“Herën e kaluar keni qenë në rregull që zgjedhjet të mbahen në kontejnerë. Me ligj, komunat janë përgjegjëse për sigurim të ambienteve të nevojshme. Kryetarët duhet t’u drejtohen organeve të caktuara që t’i adresojnë këto refuzime për moslirim të hapësirave për organizmin të votimit”- shtoi tutje Krasniqi.

Sami Hamiti, po ashtu anëtar në KQZ u shpreh se Lista serbe mund të ketë vërejtur që procesi do jetë më i monitoruar dhe që nuk mund të manipulojnë me rezultate, andaj shantazhojnë.

“Ne e kemi ditur që ata kryetarë nuk do mund të ushtrojnë funksionin si duhet, sepse ato shkolla sot do ishin hapur. Ata me siguri e kanë parë që procesi këtë herë do jetë më i integrueshëm dhe nuk do kenë rezultat që kanë menduar. Tash shantazhojnë, kur e kuptojnë se nuk mund të manipulojnë”- tha Hamiti.

Derisa, Sami Kurteshi u shpreh se me qëllim janë caktuar aktivitet kulturore që nëse do hynte policia, të bënin propagandë me pamje.

“45 ditë më parë janë njoftuar se bëhet  votimi, kanë caktuar ata aktivitete me vonë. Pra, qysh me shku aty me polici, kur ka fëmijë me aktivitete. Vuçiq ka manipulu zgjedhjet edhe në Serbi. Kjo është politika e tyre. Ato pamje më pas do i përdorin për propagandë, kinse policia hyri me dhunë tek fëmijët” – tha Kurteshi.

Në katër komunat në veri të Kosovës, të dielën më 21.04.2024, do të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës me 21 prill, por nga ana tjetër Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, që janë shumicë në këtë zonë, për ta bojkotuar këtë proces.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

 Lista e qendrave të votimit për procesin e shkarkimit të kryetarëve në katër komunat në veri