Dalin para Apelit tre të akuzuarit për vrasjen në Gjilan

Lirim Jakupi, Afrim Ismailoviq dhe Faton Osmani, të dënuar me gjithsej 66 vite burgim në shkallë të parë për vrasjen e Bakush Veselit në Gjlian, u sollën sot në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Gjilanit më 13.11.2023 ka shpallur fajtor dhe dënuar Lirim Jakupin me 27 vite burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Afrim Ismailoviq për të njëjtat vepra me 24 vite burgim, kurse Faton Osmani për ndihmë në kryerjen e vrasjes me 15 vite burgim.

Me këtë vendim nuk është ndarë e kënaqur mbrojtja dhe kanë parashtruar ankesë në gjykatën e shkallës së dytë për çka u mbajt seanca të premten (29.03.2024). Ankesë ka parashtruar edhe Prokuroria me të cilën kanë kërkuar ngritjen e dënimit ndaj të akuzuarve, në seancë nuk prezantoi askush nga Prokuroria e Apelit.

Në shkallë të parë ka vendosur trupi gjykues me kryetar Naser Maliqi dhe anëtarët Islam Thaçi dhe Sahit Boroci. Ndërkaq kolegji i Apelit që po e shqyrton rastin përbëhet nga Xhevdet Abazi, Kadrije Goga – Lubishtani dhe Hashim Çollaku.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lirim Jakupi, avokati Ilir Shaqiri, ka parashtruar ankesë mbi tre baza ankimore duke pretenduar se me asnjë provë nuk është vërtetuar që i akuzuari Jakupi ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

I njëjti ka kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim.

Fjalën e mori edhe vetë i akuzuari i cili qëndroi prapa pafajësisë së tij.

“Unë jam i pafajshëm, qe tre vite jam në burg i pafajshëm, vetëm se më ka falë Zoti kështu të gjatë” . “Zotëri gjykatës nëse këtu kish pas profesionalizëm, nëse kish pas guxim shkalla e parë nuk është dashur fare kjo lëndë të vij këtu” – tha i akuzuari.

Në vazhdim fjalën e mori mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Ismailoviq, avokati Muhamet Muja, i cili në seancë bëri të ditur se përmes ankesës së parashtruar kërkon që çështja të kthehet në rigjykim ndërsa kërkoi që të akuzuarit të lirohen nga paraburgimi.

I akuzuari e mbështeti fjalën e avokatit të tij dhe tha se është i pafajshëm.

Në vazhdim foli avokatja Elvira Haziri e cila mbron të akuzuari Faton Osmani. E njëjta po ashtu kërkoi që Gjykata të vlerësojë drejtë provat dhe të akuzuarit të i liroj nga përgjegjësia penale, ose që çështja të kthehet në rigjykim.

Këtu fjalën e mori edhe i akuzuari Osmani i cili gjithashtu tha se është i pafajshëm dhe se kërkon drejtësi.

“E mbështes avokaten, ndihem plotësisht i pafajshëm dhe kërkoj vetëm drejtësi” – tha i akuzuari.

Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja kritike kishte ndodhur në kafiterinë “Premium” në rrugën “William Shakespeare” në Gjilan.

“Lirim Jakupi dhe Afrim Ismailoviq pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B. A. nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafiteri dhe afërsi të të ndjerit”- përshkruhet në dosjen e prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, ata kishin shkuar të armatosur me veturën e markës “Audi A3”, të cilën po e drejtonte Faton Osmani, armët që i kishin poseduar të njëjtit kishin qenë pistoletë të kalibrit 9 mm, dhe kalibrit 7.65 mm.

Aktakuza e Prokurorisë thotë që pasi kishin arritur në vendin e ngjarjes në kafiteri, i ishin afruar në shpejtësi tani të ndjerit Bakush Veselit i cili kishte qenë në shoqëri edhe me dy persona të tjerë ulur duke biseduar dhe të akuzuarit kishin shtënë me revole plot 14 herë.

“Dy të pandehurit Jakupi dhe Ismailoviq, me armë në dorë dhe nga distanca rreth një metër, i pari shtënë me pistoletë të kalibrit 9 mm, duke i zbrazur 8 fishekë dhe në vazhdim edhe i pandehuri tjetër me revolën tjetër të kalibrit 7.65 mm, duke e goditur me këtë rast tani të ndjerin me gjashtë plumba në pjesët vitale të trupit nga të cilat i njëjti ndërron jetë menjëherë” – përshkruhet në dosjen e Prokurorisë

Sipas dosjes, pas kryerjes së vrasjes, ata ishin larguar nga vendi ngjarjes drejt veturës që ishte duke i pritur dhe kishin ikur në drejt të lagjes “Arbëria”.