Obiliqi në Hall edhe me Mbeturinat

Komuna e Obiliqit është në hall të madh nga ndotësit e mjedisit. Së fundi, jo vetëm KEK-u është ndotës, por edhe deponia e mbeturinave që ndodhet në Mirash. Më 16 shtator në këtë deponi ka shpërthyer zjarri, i cili për katër ditë ka përfshirë një pjesë të madhe të deponisë. Ndonëse zjarri është lokalizuar, edhe dy javë më pas, nga deponia vazhdojnë të dalin tym dhe gazra të dëmshme për njerëzit dhe mjedisin.

Komuna e Obiliqit, e shqetësuar me gjendjen, ka bërë një raport të cilin e ka paraqitur para Kuvendit Komunal dhe në Ministrinë e Mjedisit. Komuna, madje ka deponuar në gjykatë, një padi ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive Sanitare në Kosovë (KMDK).

Në raport thuhet se Deponia e Mirashit nuk është duke u menaxhuar nga kompania në pajtim me kriteret dhe kushtet të cilat parashihen me ligj; ka mungesë të infrastrukturës në deponi; mungesë të stafit dhe mekanizmave të nevojshëm për kryerjen e punimeve operative në deponi; nuk bëhet rregullisht shpërndarja, shtresimi, mbulimi me materiale inerte dhe ngjeshja (kompaktimi) i mbeturinave; nuk bëhet integrimi ditor i materialeve inerte, gjë që ndikon në jostabilitet të trupit te deponisë; ekziston rreziku për shpërthim të zjarrit brenda deponisë; mund të ndodhin lëvizje të mëvonshme të trupit të deponisë; krijohen kushte për inflacione sekondare siç janë: shpezët, kundërmimi, pluhuri, insektet, rreziku nga infeksionet dhe për prodhimin e gazrave nga zbërthimi i mbeturinave…

Nazif Shala, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Obiliq, tha se në deponinë e Mirashit ka jomenaxhim të mirë dhe se ajo po rrezikon mjedisin jetësor, ajrin, ujin, tokën dhe bimët. “Kompania nuk i kryen shërbimet e saj ditore siç janë mbledhja e mbeturinave, kompaktimi dhe deri tek mbulimi i tyre”.

Sipas tij, kompania asnjëherë nuk i ka bërë punët sikur parashihet me licencë. “Deponia e Mirashit po shndërrohet në ndotës më të madh se KEK-u”, i tha Shala, Gazetës Jeta në Kosovë.

Zjarri që shpërtheu ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e banorëve në fshatrat përreth. Banorë të fshatit Dardhishtë, të intervistuar nga Gazeta JNK, u ankuan se krahas ndotjes nga KEK-u, jetën ua kanë vështirësuar edhe mbeturinat, të cilat kundërmojnë dhe lirojnë gazra të dëmshme.

“Ka pasë shumë tym dhe aromë të rëndë. Nuk po mundemi as ujin me pi, pemët që i kemi të mbjella me i hangër, po as rrobat nuk mundesh me i tha në oborr; në njërën anë prej KEK-ut, e tash edhe nga deponia e cila kundërmon shumë rëndë”, thotë një banore e fshatit Dardhishtë.

Imer Mehana, një banor tjetër, thotë se jeta këtu bëhet e padurueshme sidomos kur ka erë. “Prej hapjes së deponisë, në vitin 2007, gjendja e ambientit veç sa është keqësuar”, tha ai.

“Toka dhe ajri janë prishë, uji ka fenol, këta janë tre faktorët kryesorë për jetesë. Deponia e ka rëndu ajrin, sepse non-stop digjet dhe ka erë të rëndë”, thotë Ymer Raçi, banor i Dardhishtës.
 
Deponia në Mirash ndodhet në territorin e Divizionit për prodhimin e qymyrit në gropat e ish-Mihjes sipërfaqësore të Mirashit; është deponi rajonale dhe mbulon me shërbime komunën e Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit, Gllogocit, Fushë-Kosovës; ka një sipërfaqe prej 50 hektarësh dhe kapaciteti i saj prej 3.5 milionë m³ pritet të mbushet për 15 vjet.

Sipas ushtruesit të kryeshefit ekzekutiv të KMDK-së, Edmond Halimi, shkaktarët shpërthimit të zjarrit në deponinë e Mirashit mund të kenë qenë ndezja e qymyrit nga ana e KEK-ut, që bëhet në anën e djathtë të deponisë, mosvendosja e gypave për ajrosje apo ndonjë brejtës.

“Deponia e Mirashit që nga ndërtimi i saj nuk ka pasur gypa për ajrosje, e po ashtu në këtë deponi asnjëherë nuk ka funksionuar sistemi i kullimit, sistemi i pompave cirkuluese dhe sistemi i spërkatjes së mbeturinave në formë riciklimi nga laguna”, u shpreh Halimi.

Halimi tha se qysh në fillim ka pasur probleme me ujërat e zeza, për shkak të groposjes nga ana e KEK-ut, me ç’rast ujërat e bardha kalojnë në deponi dhe përzihen me ujërat e zeza të deponisë. Niveli i ujit tashmë ka arritur në 9 metra.

Qeveria e Kosovës, e cila është aksionare e KMDK-së, ka ndarë 100 mijë euro për trajtimin e deponisë në Mirash, por mjetet duket se nuk kanë ndikuar të përmirësohet situata.

Deponia në Mirash ka vetëm 9 punëtorë të cilat punojnë me ndërrime dhe një bager. Kurse kompaktori, i cili bën ngjeshjen e mbeturinave, është në defekt dhe rregullimi i tij do të zgjasë së paku dy muaj.

KEK-u i ka ofruar ndihmë kompanisë, e cila merret me menaxhimin e kësaj deponie, duke bartur 50 kamionë me materiale inerte.

Ndërsa një bager i kompanisë për menaxhimin e deponisë, gjatë intervenimit, ka rënë në ujërat e zeza. Kompania është munduar që ta nxjerrë nga aty automjetin, por vetëm ka forcuar edhe më kundërmimin.