Gjejlanja Shkon në Shkollë

Ndoshta e mbani mend Gjejlanen – ajo ishte në ballinë të Prishtina Insight para disa muajve, dhe që nga marsi ajo ka qenë në rendin e parë të klasës mësimore të cilën organizata jonë e ka mbajtur për hir të saj dhe shoqeve e shokëve të vet, pasi zbuluam se ata nuk kanë të drejtë regjistrimi në shkollë kosovare. 

Gjejlanja është vajzë 9 vjeçare e komunitetit ashkali nga Fushë-Kosova e cila nuk u regjistrua në shkollë në dy vitet e para shkollore. Kjo paraqet humbje për cilindo sistem edukimi, por në Kosovë kjo do të thotë se ajo përgjithmonë e ka humbur shansin e vet për shkollim.

Kur zbuluam këtë politikë të Ministrisë – se fëmijët e moshës nëntë e më shumë mund të regjistrohen në shkollë vetëm nëse kalojnë testin (por si të mësojë dikush aq mirë e të kalojë testin kur nuk vijojnë shkollën?) – dukej të ishte shkelje e të drejtës për edukim dhe gjithashtu dukej si një problem rreth të cilit mund të bënim diçka. Ne mbajtëm këtë besim edhe pse shtrirja e këtij problemi filloi të shihej më qartë.

(Pa u kryer java e parë e mësimit që ofronim ne, ishin bërë 50 fëmijë që po vijonin, ndërsa tani kemi gjithsej 76).

‘Ne’ u bëmë një grup më i gjerë sesa që do të kisha mundur ta ëndërroj. OJQ’ja jonë, Partneriteti i Ideve, është organizatë e vogël me staf të përbërë krejtësisht nga vullnetarë.

Tani kemi njëzet e tre vullnetarë të cilët ndihmojnë që për këta fëmijë të Fushë Kosovës të mundësohet edukim dhe kemi pasur fat të gëzojmë mbështetje më të mira nga Heifer International, nga Agape Service Foundation, UNDP’ja dhe UNV’ja si dhe mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga mëse njëqind donatorë individualë. Njerëz të ndryshëm kanë bërë reklamime nëpër lundrime me varka, kanë organizuar kuize nëpër kafiteri, kanë organizuar ahengje, na kanë ftuar në dasma, si dhe na janë afruar përvjedhurazi për të na dorëzuar pliko me kesh – nga pesë euro e deri në mbi një mijë – për nevojat e projektit.

Pas konferencës që organizoi ECLO për çështjet e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, ku patëm mundësi të ngrinim disa shqetësime rreth politikës së regjistrimit shkollor, një numër agjencish ndërkombëtare kanë bërë trysni tek vendim-marrësit.

Ndërkohë, Gjejlanja ka nxënë mësime me zell: mund të shkruajë emrin, e di alfabetin, numëron në dyshe dhe në dhjetëshe dhe ka aftësi themelore komunikimi në anglisht. Por, edhe gjëra më të sofistikuara – atë se ç’do të thotë të meritosh medaljen për përpjekjet e tua; si të përshtatësh kohën e detyrave të shtëpisë me detyrat që të kërkojnë prindërit kur t’i je në shtëpi; kondicionin dhe qëndrueshmërinë që nevojitet për t’u ngritur çdo ditë dhe për t’u përgatitur për klasë.

Të vësh datën dhe emrin tënd mbi punën tënde. Të mbyllësh kapakun e lapsit kimik të hapur.

Kështu, për katër muaj, unë dhe kolegët e mi kemi kaluar çdo mëngjes duke punuar për të siguruar se Gjejlanja dhe të tjerët në klasën tonë janë të gatshëm për shkollë. Kemi kaluar edhe çdo pasdite duke u munduar që shkollën dhe sistemin ta bëjmë gati për Gjejlanen.

Të premten e kaluar të dy erdhën së bashku – Gjejlanja dhe pesëdhjetenjë shoqe/shokët e saj, të cilët u nisën në rresht si të shpërndarë dhe të buzëqeshur duke kaluar mëhallën, për të mbërritur tek shkolla shtetërore ku ishin të regjistruar. Jo shpesh ndodh që gjatë një dite të jesh prezent pranë pesëdhjetedy momenteve që ndryshojnë jetën; mua më preku shumë domethënia që kishte kjo qasje në arsim për të zmadhuar shanset në jetë për secilin prej këtyre fëmijëve.

Nuk do të ndodhte kjo gjë pa gjithë ata vullnetarë, gjitha ato donacione, gjithë ata zëra lobues – gjithë ata njerëz si ju. Jemi shumë mirënjohës!

Tani e dimë më mirë se çfarë nevojitet në këtë komunitet.

Ne do të mbështesim Gjejlanen dhe shokët e shoqet e saj gjersa ata fillojnë aventurën e re në edukim, duke bërë vizita javore në shtëpi tek secili fëmijë, e duke u munduar të merremi me çfarëdo lloj çështje lidhur me shkollën, para se ata të mund të dëmtojnë ecurinë e mbarë.

Po ashtu kemi filluar një projekt për prodhim të sapunëve me qëllim të krijimit të të hyrave për gratë në komunitet, si dhe klasë mësimi për lexim shkrim për të rriturit. Jemi duke ofruar klasë të shtuara të gjuhës angleze për të gjithë fëmijët në komunitet gjatë verës, si dhe jemi duke vazhduar mbajtjen e mësimeve për Gjejlanen dhe shoqërinë e saj deri në gusht, meqë u duhet çdo mësim që mund të marrin.

Kështu që ende na duhet ndihmë. Në qoftë se ju apo dikush që ju njihni jeni të interesuar të dedikoni së paku pesë gjysma të ditës (përafërsisht nga 3 orë mësimdhënie gjatë atyre ditëve), dhe jo domosdo të gjitha përnjëherë, atëherë ju lutem na kontaktoni.

Në javët në vijim, kjo do të jetë enkas për klasë të gjuhës angleze, por kemi edhe role tjera – p.sh. gjatë dorëzimit të veshmbathjeve për familjet nevojtare që ne organizojmë, ose projekte tjera të cilat mund të fillojnë.

Ndërkohë që Gjejlanja mëson politikë shkollore, si dhe sjelljen e çuditshme të tabelës së shumëzimit me tre, unë mësova diçka për muret me tulla të Kosovës – dhe se si ato mund të (anash)kalohen. Kam mësuar diçka për fuqinë e vullnetarit – atë që dëshmuan se mund ta bëjnë para komisionit vlerësues komunal ata 52 fëmijë të premten, ishte rrjedhojë e një kombinimi kontributesh nga një bandë ndërkombëtare si dhe vullnetarësh brenda shtetit, të cilët uleshin në bërryla duke shqiptuar fjalët me kujdes të hollë që fëmijët të kuptojnë.

Nëse doni të përjetoni ndjenjën e kënaqësisë që të jep pamja kur një fëmijë zotëron një njohuri të re; nëse doni të mësoni si të luani lojëra shumë kureshtare me duartrokitje; nëse doni t’i përkujtoni vetes se duhet çmuar jetën, shkrim leximin, kushtet e jetës… atëherë punoni si vullnetar.

Kontaktoni nëse keni dëshirë të dini më shumë rreth punës tonë.

Elizabeth Gowing është themeluese e The Ideas Partnership (Partneriteti i Ideve), OJQ kosovare që punon me projekte edukative, kulturore dhe mjedisore. Mund ta kontaktoni në [email protected] ndërsa blogun e saj lidhur me projektin në Fushë Kosovë mund ta gjeni në www.GettingGjelaneToSchool.wordpress.com