Foto, Ilustrim

VIDEO - Shkelja e rregullave të trafikut, Policia konfiskon tri automjete

Tri automjete janë konfiskuar nga ana e Policisë së Kosovës nën dyshimin se nuk janë respektuar rregullat e trafikut të bazuara në ligjin e ri.

Sipas një njoftimi të Policisë, Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin e transportit të pa regjistruar më tepër se 30 ditë.

Policia tha se shoferi sipas ligjit të ri për rregullat e trafikut është gjobitur me 200 euro si dhe mjeti është konfiskuar përkohësisht.

Tutje është thënë se një automjet tjetër është konfiskuar për mos respektimi i masës mbrojtëse “Ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”.

Policia e Kosovës njoftoi se edhe në këtë rast Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin nën masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik.

Në njoftim u tha se përpos konfiskimit të automjetit, shoferi është gjobitur 500 euro, me pesë pikë negative dhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për 6 muaj.

Policia e Kosovës po ashtu njoftoi se edhe një situatë e njëjtë kishte ndodhur në një rast të tretë.

Sipas PK-së, një shofer është dënuar për mos respektim të masës mbrojtëse “Ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”.

Nga ana e forcave të rendit është njoftuar se Njësia për Përcjellje të Personaliteteve të Rëndësishme ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin nën masën mbrojtëse “Ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”.

Shoferi është thënë se është gjobitur 500 euro, pesë pikë negative dhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për 6 muaj si dhe është konfiskuar automjeti.