Kritika për tender ‘të anshëm’

Trepça është kritikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për parregullsi në prokurim dhe politika kundërthënëse për shitjen e mineraleve të veta.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se në vitin 2010 ishte nënshkruar një marrëveshje me vlerë prej 8 milionë eurosh me firmën kontroverse zvicerane Glencore, e cila do të blente rezervat e mëdha të koncentrateve të zinkut dhe plumbit, përkundër faktit se firma zvicerane nuk e kishte dhënë ofertën më të lartë dhe nuk i kishte ofruar të gjitha dokumentet përkatëse.

Glencore është kompania më e madhe tregtare e mallrave me vlerë në botë. Në vitin 2010, ajo mbante 60 për qind të tregut ndërkombëtar sa i përket tregtimit të zinkut, 50 për qind të tregut ndërkombëtar sa i përket tregtimit të bakrit, 9 për qind të tregut ndërkombëtar sa i përket tregtimit të drithërave dhe 3 për qind sa i përket tregtimit ndërkombëtar të derivateve të naftës.

Por reputacioni i saj është dëmtuar për shkak të lidhjeve me regjime të korruptuara dhe marrëveshjeve të dyshimta, përfshirë edhe një rast të vitit 2007 kur gjykatat në Mbretërinë e Bashkuar i kishin konfiskuar pasurinë një firme që i përkiste Glencore-it, si rrjedhojë e një kontrate për derivate të naftës që e kishte lidhur në Kongo.

Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm të publikuar këtë verë, kontrata më e madhe e Trepçës, për shitjen e koncentratit të plumbit dhe zinkut, i ishte dhënë Glencore-it në vitin 2010 megjithëse asaj i mungonin dokumente të caktuara dhe përkundër faktit se tenderi ishte zhvilluar me parregullsi serioze.

Auditori vlerësoi se kompania fituese nuk kishte të drejtë pjesëmarrjeje në tender, pasi që nuk kishte paguar garancinë e tenderit me vlerë prej 50,000 dollarësh amerikanë dhe pasi që nuk i kishte parashtruar dokumentet kryesore që kërkoheshin në dosjen e tenderit.

“Kjo procedurë na bën të konkludojmë se Trepça e ka favorizuar operatorin ekonomik fitues”, thuhej në raport. “Njoftimi për dhënien e kontratës nuk ishte publikuar në gazeta. Zhvillimi i këtij procesi deri në momentin e dhënies së njoftimit të fituesit dëshmohet të ketë ndodhur në mungesë të plotë të transparencës”, thuhet më tej në këtë raport.

Zyrtarët e Trepçës thonë se dokumentet e Glencore-it i kanë pasur në dispozicion, pasi që ato kjo e fundit i ka dorëzuar një vit më parë.

Sipas dokumenteve zyrtare të cilat i siguroi Gazeta Jeta në Kosovë, në mars të vitit 2010, nëntë kompani i kishin dhënë ofertat e tyre për blerjen e koncentrateve nga minierat e Stantërgut dhe Kishnicës, që janë pjesë e Trepçës.

Në listën e entiteteve të parakualifikuara gjendeshin dy kompani: Glencore nga Zvicra dhe Koinmo me seli në Kinë dhe me degë në Serbi.

Glencore kishte ofruar 1,562 dollarë amerikanë për ton të koncentratit të plumbit dhe 500 dollarë për ton të zinkut. Koinmo kishte ofruar çmim më të lartë: 1,592 dollarë amerikanë për ton të koncentratit të plumbit dhe 517 dollarë amerikanë për ton të zinkut.

Në mars të vitit 2010, komisioni vlerësues i Trepçës ia kishte dhënë kontratën Glencore-it me një çmim më të lartë se sa ai i ofertuar, i cili ishte rezultat i marrëveshjes së arritur gjatë negociatave sy-më-sy mes këtyre dy palëve.
 
Sipas auditorëve, Glencore dhe Koinmo ishin ftuar në Trepçë për të negociuar për çmime, që paraqet shkelje të procedurave të zakonshme të tenderimit.

“Pas përfundimit të procedurave të tenderimit, disa ofertues janë ftuar në takim për të negociuar çmimet. Kjo procedurë dëmton konkurrencën në treg, ngase favorizon një operator ekonomik të caktuar”, thotë raporti i auditorit.

Sipas vlerësimit që e ka parë Gazeta Jeta në Kosovë, komisioni tenderues tha se Glencore ofroi të paguajë më shumë nëse në një ton koncentrati të plumbit do të gjendeshin dy gram ari. Gjithashtu, thuhej më tej, ishte marrë parasysh bashkëpunimi i shkëlqyeshëm që kishin pasur me Glencore gjatë implementimit të kontratës së kaluar.

Komisioni vlerësues i Trepçës kishte thënë se kishin disa brenga sa i përket dhënies së kontratës Koinmo-së, megjithëse ata kishin ofruar çmim më të lartë.

Komisioni kishte thënë se Koinmo “nuk ishte kompani serioze dhe profesionale në tregtimin e koncentrateve”.

Gjithashtu, pretendohej se Koinmo kishte vënë kusht që të negociohet çmimi në rast se çmimet e mineraleve në tregun global do të ndryshonin për më shumë se pesë për qind.

Trepça mbron veprimet e veta

Menaxheri i Trepçës Ferat Shala tha se kjo ndërmarrje në parim nuk pajtohet me raportin e Auditorit, për shkak të problemeve të vazhdueshme dhe mangësive teknike të cilat nuk ishin zgjidhur nga administratori – Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Bëhet fjalë për problemet me Trepçën në pjesën veriore.

Trepça është e ndarë në dy pjesë – në pjesën në jug të Mitrovicës që administrohet nga shqiptarët që punojnë për institucionet e Prishitnës dhe në pjesën e veriut që administrohet nga komuniteti serb dhe që ka lidhje të turbullta me agjencitë dhe qeverinë e Kosovës.

“Në njëfarë mënyre ne ishim detyruar që t’i bartim mbi supet tona edhe ato mangësi. Nuk kishte rregullore për shitje [të mineraleve], e as rregullim të brendshëm, gjë që ishte kompetencë e AKP-së”, tha Shala.

Ai shtoi se pjesa më e madhe e rekomandimeve të auditorit deri tani janë zbatuar. Shala tha se shumë nga kritikat të cilave po u përgjigjej ai kishin të bëjnë me paaftësinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për të miratuar rregulla të brendshme të mirëfillta.

Ai nuk pranoi që të flasë më detajisht lidhur me favorizimin e pretenduar që komisioni vlerësues bëri për kompaninë zvicerane gjatë negocimit të ofertës.

“Ne kemi qenë të paanshëm”, tha Shala dhe shtoi se ishte nder që të bashkëpunohet me një kompani zvicerane si Glencore.

Ai tha se komisioni vlerësues i Trepçës e ka kryer punën në mënyrë profesionale. Shala gjithashtu kundërshtoi konkluzionin e auditorit se ftuarja e dy kompanive për të rinegociuar çmimin e kishte dëmtuar konkurrencën.