Furishëm Edhe në Dubravë

Institucionet shtetërore janë aktivizuar për të ndaluar tregtinë e zezë nëpër burgjet e Kosovës.

Ministria e Drejtësisë së bashku me Policinë e Kosovës si dhe atë të EULEX’it ka bastisur të shtunën Burgun e Dubravës. Bastisja është kryer me urdhër të Prokurorisë dhe Gjykatës së Qarkut në Pejë, pasi që ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi i ka drejtuar një kërkesë organeve të sigurisë për të kryer këtë aksion.

Komisari i burgjeve në Kosovë, Resmi Hoxha, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo bastisje është kryer me qëllim të ngritjes së nivelit të disiplinës nëpër burgje dhe se nuk është diçka serioze ngase bëhet një herë në vit.

“Nuk e di nëse ka pasur konfiskime mirëpo, ju them se kjo është bërë në bashkëpunim me institucionet vendore si dhe ato ndërkombëtare për të vetëdijesuar të burgosurit për disiplinë. Nuk është diçka serioze”.

Përderisa Komisari Hoxha nuk flet për dyshimet se në burgun të cilën ai menaxhon ka dilerë të drogës e të armëve të ftohta, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani thotë se kjo bastisje është bërë pikërisht për shkak të dyshimeve se në burgjet e Kosovës kryhet tregti e zezë me mjete ilegale si armë të ftohta, telefona celularë si dhe substance narkotike.

“Kemi konfiskuar disa telefona, armë të ftohta si skallperë si dhe substanca narkotike nga disa të burgosur”, tha Kelani dukë bërë të ditur se së shpejti Policia e Kosovës do të dalë me një komunikatë për media ku do të japë detaje më të hollësishme rreth kësaj bastisjeje.

“Jo, kjo nuk është diçka që bëhet një herë në vit për të ngritur disiplinën në burgje, por është bërë me kërkesë të veçantë të ministrit Kuçi sepse, ka dyshime se në burgjet e Kosovës po kryhen biznese me mjete ilegale”.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate për media ka thënë se të gjitha të gjeturat e Policisë do te shqyrtohen ndërsa përgjegjësit për lejimin e futjes së këtyre mjeteve në burg do të ndëshkohen me masa disiplinore.