Takimi Kurti- Baerbock. Foto: ZKM.

Kurti takoi diplomaten gjermane, i kërkoi mbështetje për anëtarësim të plotë të Kosovës në KiE

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se qëndrimin e tij në Berlin, kryeministri Albin Kurti e përmbylli me një takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Sipas njoftimit, marrëdhëniet dypalëshe, reformat demokratike, integrimi evropian i Kosovës, me theks te procesi i anëtarësimit në Këshillin e Europës, dhe energjia, ishin çështjet kryesore për të cilat u diskutua.

Kryeministri Albin Kurti në Gjermani, Foto: ZKM

“Më tej, kryeministri Kurti falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe vit pas viti, rolin aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës dhe për partneritet të afërt. Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë kyçe të mbështetjes së qeverisë gjermane deri në anëtarësimin e plotë”- thuhet në njoftim e ZKM-së.

Gjithashtu, sipas ZKM-së Kurti e njoftoi ministren Baerbock me suksesin e ankandit të parë diellor prej 100 megavatë dhe për përgatitjet që po bëhen për ankandin e radhës me energji të erës prej 150 megavatë.

Sipas njoftimit, ky ishte takimi i tretë në më pak se tri vjet ndërmjet kryeministrit Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Baerbock.