Drejtori i Anesteziologjisë flet për pretendimin se anesteziologët punojnë më shumë në sektorin privat

Drejtori i Anesteziologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Gazmend Spahija, ka folur për pretendimin se anesteziologët kryejnë nga 9 deri në 10 operacione brenda ditës në sektorin privat, e nga 1 deri në 2 në atë publik.

Kjo deklaratë ishte dhënë nga drejtori i Ortopedisë me Traumatologji, Gani Jashanica, gjatë raportimit të tij para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK), më 10.02.2024.

I pyetur për këtë çështje nga KALLXO.com, Gazmend Spahija thotë se anesteziologët punojnë aq sa e kanë orarin dhe sa shfrytëzohen nga kirurgët.

“Sa i përket asaj se një anesteziolog punon 8 apo 10 raste në sektorin privat, nuk është e imja ta komentoj. Në sektorin privat, aneteziologu i ka duart e lira të punojë sa do, këtu punon aq sa e ka orarin dhe aq sa shfrytëzohet prej kirurgut, aq sa kirurgu i ofron raste” – tha Spahija në një intervistë për KALLXO.com, i pyetur për pretendimin e kolegut të tij.

Jashanica, sikurse edhe shumë drejtorë të tjerë të klinikave kirurgjike kanë arsyetuar numrin e ulët të operacioneve, me numrin e ulët të anesteziologëve. Sipas tij, anesteziologët neglizhojnë punën duke vendosur standard të dyfishtë mes sektorit publik dhe atij privat.

“Na nganjëherë punojmë në privat, edhe e dimë se atje anesteziologët i ‘kryejnë’ nga 9-10 operacione brenda ditës, e këtu 1-2” – pati thënë ai.

Me këtë deklaratë ishte pajtuar edhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Në mungesë të anesteziologëve, Jashanica kishte thënë se nga katër salla operative sa kanë, maksimumi shfrytëzohen tri prej tyre, duke operuar nga 5 pacientë në ditë, për të cilën tha se është shifër brengosëse.

E kreu i anesteziologëve tha se në Ortopedi nga 5 anesteziologë kanë rënë në 3 dhe kanë tentuar që t’i kenë në funksion së paku tri salla operative e sipas tij shpesh edhe katër.

“Në rastin konkret, Ortopedia i ka katër salla operative. Atje i kemi pas 5 anesteziologë, prej të cilëve një është pensionu edhe një e ka lëshu punën. Pra, kemi mbet me tre anesteziologë dhe tentojmë që t’i angazhojmë së paku tri salla operative edhe pse ka ndodh shpesh kur është hapë edhe salla e katërt operative.”

Kjo, sipas Spahijës ka ndodhur për shkak të gatishmërisë së anesteziologëve për të trajtuar rastet e mbetura në listë të pritjes.

“Është e vërtetë që ne kemi numër të vogël të anesteziologëve, por kemi një shtim të numrit të sallave operative” – tha Spahija ndër të tjera.

Mungesa e anesteziologëve është problem disavjeçar që konsiderohet të jetë edhe problem kombëtar.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nurmi i tyre ka rënë në 49 nga 64 sa ishin në vitin 2019. E sipas tij, për të plotësuar nevojat duhet të jenë më shumë se dyfishi.

Kjo gjendje ka ndikuar në lodhje të tepërt të anesteziologëve të punësuar që në anglisht njihet si “burnout”.

“Burnout” është një gjendje lodhjeje fizike, emocionale dhe mendore e shkaktuar nga stresi i zgjatur ose puna e tepërt, që mund të çojë në punë joefektive.

“Sipas kalkulimeve të kolegjiumit na duhen rreth 115 për me mujtë me i mbulu krejt nevojat. Jemi në limite të punës. Kemi shenja të “burnout” që janë evidente, ku kolegët shpesh kanë probleme, që ne po duhet me i kuptu. Mirëpo çdo kuptim i joni për pacientin shkakton telashe” – kishte thënë Spahija gjatë raportimit të tij para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) më 23.03.2024.

Ikja më e madhe e anesteziologëve, sipas tij, u shënua në vitin 2022, me largimin e 11 prej tyre, pensionimin e njërit e vdekjen e një tjetrit.

Anesteziologët janë të specializuar në ofrimin e anestezisë dhe menaxhimit të dhimbjes gjatë procedurave kirurgjikale.

Ata sigurohen që pacientët të jenë të pavetëdijshëm ose pa dhimbje gjatë operacionit, monitorojnë shenjat vitale dhe menaxhojnë çdo ndërlikim që mund të lindë në lidhje me anestezinë.

Këta mjekë gjithashtu ofrojnë lehtësim dhimbjeje për pacientët në mjedise të ndryshme mjekësore, si gjatë lindjes së fëmijëve ose në njësitë e kujdesit intensiv.

Përveç këtyre, ata luajnë një rol vendimtar në vlerësimin para operacionit dhe kujdesin pas operacionit për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e pacientëve.