AKP e Superfuqishme

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) është bërë me superkompentenca në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore.

Të gjitha kompetencat që i ka pasur më herët i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, përkatësisht shefi i UNMIK’ut, tashmë me ligjin e ri të AKP’së që ka hyrë në fuqi para pak ditësh, i ka marr ky Bord.

Ky i fundit shpallë listën e ndërmarrjeve që do të privatizohen, aprovon shitjen e tyre, por mund t’i tërheqë edhe aksionet e ndërmarrjeve të privatizuara me metodën e ashtuquajtur Spin-off-special, kur blerësi dështon t’i përmbushë premtimet në investime dhe punësim, etj.

Kompetencat e tilla, për tërheqjen e aksioneve, më herët i ka pasur vetëm shefi i UNMIK’ut, si autoriteti më i lartë në vend, mirëpo roli i këtij të fundit pas 17 shkurtit 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, është zbehur dukshëm.

Sipas nenit 15 të këtij ligji, ku flitet për përgjegjësitë dhe kompetencat e Bordit të Drejtorëve të AKP-së, ky i fundit ka kompetenca ta vendosë një ndërmarrje nën administrimin e drejtpërdrejtë të Agjencisë, ta bëjë shitjen, ose transferin e një pjese ose të gjitha aksioneve të një korporate të krijuar sipas nën-paragrafit 2.11. të këtij paragrafi një pale të jashtme, marrjen e vendimit për Likuidimin; vendimin për fillimin e procedurës së riorganizimit ose likuidikimit të një Ndërmarrje në përputhje me Rregulloren për Riorganizimin dhe Likuidimin e Ndërmarrjeve; etj.

Në anën tjetër, nënkryetari i Bordit të ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, agjenci kjo paraardhëse e AKP-së, Bujar Dugolli, i cili ka qenë edhe ministër i Tregtisëdhe Industrisë gjatë viteve 2004-2007, thotë për “Prishtina Insight” se ndarja e këtyre kompetencave për Bordin e AKP-së, sidomos ato kompetenca që i ka pasur më herët shefi i UNMIK-ut, jo vetëm që paraqesin ngarkesë për këtë institucion, mirëpo, siçt hotë ai, s’ka logjikë që Bordi ta përcaktojë listën e ndërmarrjeve që do të privatizohen edhe ta bëjë njëkohësisht tërheqjen e aksioneve.

“Këto kompetenca të mëdha për Bordin mund të paraqesin edhe konflikt interesi, pasi që gjatë mandatit të ish-AKM-së komptetencat e veçanta në procesin e privatizimit i ka pasur vetëm PSSP-ja”, shprehet Dugolli.

Sipas tij, do të ishte mirë që kompetencat që i ka pasur më herët shefi i UNMIK-ut, si institucioni më i lartë në vend në atë kohë, t’i barten institucionit të Presidentit.

Ai shtonë se ky dublifikim i kompetencave për Bordin e AKP-së me ligjin e ri, është për shkak se ka munguar debati i mirëfilltë në vend, nuk janë konsultuar njerëzit që kanë qenë më herët në Bord të AKM-së, etj.

Me këto kompetenca për Bordin e AKP-së nuk pajtohet edhe partia e zëvëndëskryeministrit Behgjet Pacolli, e cila bashkëqeverisë me partinë e kryeministrit Hashim Thaçi.

Shefja e koalicionit për Kosovën e Re në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmani, thotë se ky koalicion nuk është pajtuar me disa ligje të miratuara së fundi, përkatësisht ligjin për AKP-në, ligjin për “Trepçën”, etj.

Sipas saj, ata që i kanë dhënë kaq shumë kompetenca me ligj Bordi të AKP-së në procesin e privatizimit, duke e votuara këtë ligj, mesiguri kanë menduar se ky institucion është i pavarur, mirëpo, siç thotë ajo, nuk mund të jetë i pavarur kur i gjithë Bordi është politik.

“Bordi i AKP-së nuk mund ta luaj edhe rolin e policit edhe të gjykatësit. Kjo do të ishte e mundur vetëm sikur ky bord të ishte profesional dhe i pavarur”, shprehet ajo.

Ndërsa zyrtarët e AKP-së nuk flasin në lidhje me kompetencat e Bordit të AKP-së në procesin e privatizimit, duke sqaruar se për këtë çështje e kanë autorizuar Gjykatën Supreme të Kosovës.

“Interpretimin e Ligjit zakonisht e bënë ligjvënësi, ose një autoritet i autorizuar nga ligjvënësi. Në këtë rast të autoriozuar e kemi Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës”, thotë zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.

Me ligjin e ri Bordit iu kanë hapur rrugët që t’i tërheqë aksionet në 5 ndërmarrjet e privatizuara më herët me spin-off –special, të cilat kanë dështuar në përmbushjen e zotimeve për investime dhe punësim. Për këtë shkak ndërmarrjet: Hoteli “Grand” në Prishtinë, Industria e Duhanit “Tobaco” Gjilan, minierat Xim Strezoci dhe Goleshi dhe NBI Suhareka janë gjobitur me rreth 30 milionë euro nga AKP-ja, ndonëse këto mjete të gjobave nuk janë inkasuar deri më tani.

Deri në fund të muajit maj të këtij viti, gjobat ndaj hotelit “Grand” kanë qenë 7.5 milionë euro, 4.1 milionë euro ndaj IDGJ “Tobaco”, XIM Strezovc 6 milionë euro, XIM Golesh 7 milionë euro dhe 2.9 milionë euro për ndërmarrjen NBI Suhareka.

Në AKP vazhdimisht kanë thënë se do t’i marrin hapat e nevojshme për inkasimin e këtyre gjobave, mirëpo një gjë e tillë nuk është bërë deri më tani, në të kundërtën këto ndërmarrje i pret tërheqja e aksioneve dhe ri-privatizimi i tyre nga Agjencia.