Prokuroria Hapet për Monitorim

Duke folur në një konferencë të organizuar të mërkurën nga BIRN’i, në lidhje me prezantimin e raportit vjetor të monitorimit të gjykatave prej kësaj organizate, Kabashi i ka quajtur të gjeturat të pa kontestueshme ndërkohë që ka nënvizuar gatishmërinë e hapjes për vëzhgim edhe të prokurorive.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do ta shqyrtojë mundësinë e një forme të monitorimit të prokurorive”, tha Kabashi. “Këshilli ka miratuar rregulloren për punën dhe performancën e prokurorëve, ku për çdo muaj do të shikohet puna që kanë bërë ata”.

Zotimi vjen si një hap i rëndësishëm përpara për një sistem të drejtësisë të karakterizuar nga vështirësitë e transformimit pas luftës dhe mungesës së resurseve njerëzore.

BIRN’i ka monitoruar 18 gjykata të rregullta – gjykatat e qarkut të Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Mitrovicës; gjykatat komunale të Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Gjakovës, Deçanit, Vushtrrisë, Podujevës, Lipjanit, Klinës dhe Istogut si dhe në Gjykatën Ekonomike të Prishtinës.

Në fushën e transparencës, raporti gjen problematike moslajmërimin e gjykimeve në tabelën e shpalljeve, mbajtjen e gjykimeve në zyra të gjykatësve dhe jotransparencën e gjykatësve  e prokurorëve.

Sa i përket shkeljeve procedurale gjatë shqyrtimit gjyqësor, janë nënvizuar fillimi i seancave pa përbërjen e plotë të trupit gjykues, dërgimi i ftesave për gjykim, papërgatitja e prokurorëve në gjykim, pasiviteti i anëtarëve të trupit gjykues (gjyqtarëve laikë) gjatë gjykimit, dëshmia e dëshmitarëve gjatë gjykimit dhe mosefikasiteti i policisë për urdhër arrest.

Gjyqësori në veri, politikat ndëshkimore në sistemin gjyqësor të Kosovës, funksionaliteti i gjykatave model janë cekur tek të gjeturat përmbajtjesore.

Po ashtu, te të gjeturat teknike është theksuar caktimi i pakoordinuar i seancave gjyqësore në mes gjykatësve e prokurorëve, vonesa e fillimit të gjykimeve, përkthimi gjatë mbajtjes së gjykimeve, procesverbalet e gjykimeve, problemet me transportin e të paraburgosurve për gjykim, mospërdorimi i pajisjeve elektronike nëpër gjykata, përdorimi i telefonave gjatë mbajtjes së gjykimeve dhe mosmbajtja e uniformës nga ana e gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve gjatë gjykimeve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, tha se të gjeturat e raportit janë reale. “Gjetjet ndikojnë në punën e KGjK’së”, tha Peci. “Secili gjykatës e ka tejkaluar normën për më shumë se 150 për qind, por KGjK-ja do të jetë e patolerancë nëse konstatohen shkeljet e qëllimshme nga gjykatësit”.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, u ndal në masat që do të ndërmerren për të evituar mosparaqitjen e plotë të trupit gjykues në seancë, ndalimin e përdorimit të telefonave dhe korrektimin e problemit të dërgimit të ftesave. Ai premtoi se shumë shpejt do të fillojë auditimi i lëndëve nga pika e parashtrimit, siç është nënvizuar në raportin e BIRN’it.

Genc Nimoni, koordinator i projektit të monitorimit dhe autor i raportit, tha se të gjeturat tregojnë mangësi të shumta në sistemin e drejtësisë. “Por, është e rëndësishme që një sistem që ka qenë aq i mbyllur dhe me aq shumë probleme zbatimi, po ecë në drejtimin e duhur”.