Qendra për Studentët me Nevoja të Veçanta në UP, Foto: UP/Facebook

UP inauguroi Qendrën për Studentët me Nevoja të Veçanta

Ofrimi i mbështetjes dhe shërbimeve për studentët me nevoja të veçanta, duke siguruar qasjen e tyre të barabartë në mundësitë arsimore dhe duke nxitur një mjedis akademik gjithëpërfshirës, është qëllimi i Qendrës për Studentët me Nevoja të Veçanta në Universitetin e Prishtinës.

Qendra për Studentët me Nevoja të Veçanta në UP është inauguruar më 19.04.2024, ngjarje kjo në të cilën i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.

Sipas njoftimit të UP-së, kjo Qendër përmes aparaturës profesionale ofron një ambient të përshtatshëm dhe resurse  të nevojshme që ndihmojnë eksperiencën e studentëve me nevoja të veçanta.

Gjatë inaugurimit të Qendrës, prorektorja për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe Çështje të Studentëve, Njomza Llullaku ka folur për rëndësinë e angazhimit të universitetit për respektimin e të drejtave të gjithë studentëve dhe ofrimin e kushteve që mundësojnë qasje në arsim për të gjithë.

“Themelimi i kësaj qendre nuk është thjesht një vendim; në fakt, është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të siguruar që çdo student të ketë qasje të barabartë në mundësitë arsimore dhe eksperiencë pozitive” – ka thënë prorektorja Llullaku, sipas njoftimit të UP-së.

Kurse, zëndëskryeministri Bislimi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve për krijimin e hapësirave dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për studentët.

Si përfundim, UP ka falënderuar Zyrën e zëvendëskryeministrit të parë, UNDP-në, Odën Amerikane në Kosovë, Forumin Kosovar për Aftësinë e Kufizuar dhe gjithë kolegët e angazhuar për mbështetjen në realizimin e kësaj iniciative.

“Përmes inaugurimit të Qendrës rikonfirmojmë përkushtimin tonë kolektiv për të krijuar një mjedis universitar që pranon diversitetin, fuqizon çdo individ dhe udhëheqet mbi principet e barazisë dhe gjithëpërfshirjes” – kanë thënë nga UP.

Sa i përket gjendjes së njësive akademike në UP dhe përshtatjes së këtyre ambienteve për përmbushjen e nevojave të studentëve me nevoja të veçanta, në disa prej tyre nuk ka pjerrina, si në Fakultetin Filologjik. Ka prej fakulteteve që nuk iu funksionon ashensori, e që këto do t’ua lehtësonin studentëve qasjen në fakultet.