‘Krizë’ e Quan KFOR’i Gjendjen në Veri

KFOR’i e dha versionin e vet të ngjarjeve që eskaluan të mërkurën pas një operacioni që ndërmori në mbështetje të EULEX’it për të zhbllokuar rrugët për pikën kufitari 1, në Jarinjë.

Në një deklaratë për shtyp, të lëshuar të martën vonë, KFOR’i tha se e tëra nisi pasi një makinë civile tentonte të kalonte nëpër radhët e ushtarëve të saj.

“Forcat e KFOR’it vepruan për të parandaluar shkeljen dhe një ushtar ishte lënduar nga makina”, thuhet në deklaratë. “Gjatë incidentit një përpjekje ishte bërë për t’i marrë armën ushtarit dhe, pas një paralajmërimi verbal, një ushtar i KFOR’it gjuajti një herë (një plumb), duke lënduar civilin që po përpiqej t’i merrte armën.  Ai ishte marrë nga vendi i ngjarjes me një makinë civile dhe ne nuk jemi në dijeni të gjendjes së tij të tashme”.

Disa persona civilë raportohet të jenë lënduar lehtë e rëndë gjatë përshkallëzimit.

“Situata pastaj u keqësua dhe një numër i bombave të gazit u gjuajtën mbi personelin e KFOR’it duke shkaktuar lëndime të lehta”, thotë KFOR’i. “Ka pasur gjithashtu raportime të gjuajtjeve në personelin e KFOR’it nga afërsia”.

KFOR’i thotë se gjendja aktualisht është nën kontroll por se veprime si këto janë kërcënim serioz për sigurinë e banorëve në atë zonë. “Komandanti i KFOR’it, gjeneral-majori Drews u apelon të gjithë njerëzve paqësorë të Kosovës të abstenojnë nga dhuna dhe të mbështesin zgjidhje paqësore për këtë krizë”.

Ndërkohë, Nicholas Hawton, zëdhënës i EULEX’it, ka thënë të martën në një konferencë për gazetarë se misioni europian dhe KFOR’i kishin ndërmarrë një operacion të përbashkët ‘për të marrë kontrollin e një pike kalimi që ishte mbyllur pa autorizim në Pikë 1, Jarinjë, në mëngjes’.

“Faza e parë e operacionit kaloi paqësisht dhe pa incidente”, tha Hawton. “Më vonë disa individë u përpoqën të thyenin radhët e KFOR’it…Problemet u paraqitën pastaj. Mendoj se KFOR’i mund të flas për më shumë detaje për rrjedhën e ngjarjeve. Mjafton të themi se një numër i njerëzve përfshirë protestues dhe ushtarë të KFOR’it ishin lënduar”.

Ai tha se EULEX’i dëshiron të bëjë të qartë se ky mision dhe KFOR’i janë prezentë në ‘pikat në Jarinjë dhë Bërnjak me qëllim të sigurimit të rendit dhe ligjit’ dhe se ‘dhuna ndaj KFOR’it ose EULEX’it është e papranueshme’.

Hawton ka shtuar se EULEX’i po shikon ngjarjet me pikëpamje për të nisur një hetim.

Po të martën, raundi i tetë i bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që pritej të fillonte në Bruksel dështoi të fillonte me insistimin e palës serbe që së pari gjendja në veri të Kosovës duhej vënë nën kontroll. Bisedimet pritet të rifillojnë të martën.