Qeveria Synon 8 për qind Rritje

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë në një tryezë të martën se Qeveria e vendit po synon zhvillimin të qëndrueshëm ekonomik përmes hartimit dhe zbatimit të politikave të bazuara në parimet e ekonomisë së tregut.

“Prioritet janë reformat strukturore, transformimi i pronës publike dhe shoqërore dhe infrastrukturës fizike për zhvillim të sektorit privat”, tha Beqaj.

Ministri që udhëheq privatizimin ka thënë se vazhdon përkushtimi për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, por edhe promovimi i shfrytëzimit të energjisë alternative me qëllim për të tërhequr investitorë potencialë për ndërtimin e Hidrocentralit të ZHUR’it dhe hidrocentraleve të tjera, promovimi i energjisë solare, të erës etj.

Beqaj ka nënvizuar përkushtimin e ekzekutivit për të tërhequr investitorë veçanërisht në sektorin minerar. Në këtë drejtim, ai ka cekur rëndësinë e ligjeve të posakaluara për agjencinë e privatizimit dhe ligjin për organizimin e ndërmarrjeve me interes të veçantë etj.

Ministri i infrastrukturës, Fehmi Mujota, deklaroi se infrastruktura publike pritet që të sjell efekte në rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Ai tha se ndërtimi i autostradës Morinë-Merdar po shkon mirë se dhe deri në fund të tetorit pritet që të jenë gati 3 segmente të saj.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se gjallërimi dhe rritja ekonomike duhet të jenë ‘prioriteti i prioriteteve në vend’.