Tensioni Kthehet në Dhunë

Deshën të zgjerojnë perimetrin e tyre të sigurisë në portën 1 në Jarinjë, duke larguar protestuesit në barrikada në 100 metra, nga 20 metra sa i kishin larg për ditë të tëra.

Paqeruajtësit ia dolën t’i largojnë ata, por jo edhe t’i zmbrapsin. Serbët shkuan për të marrë kamionët e buldozerët dhe përforcuan barrikadat e tyre. Derdhën disa tonë me dhe, në distancë prej 100 metra larg pikës kufitare.

Mbrëmja e së hënës, kaloi qetë por me masa të shtuara të sigurisë.

Pasi agoi, KFOR-i rinisi aksionin e vet.

Në orën 06:00, arriti të largojë dheun e vënë natën e kaluar.

Ata serbë që kundërshtuan edhe u arrestuan, kurse 6 vetave iu vunë prangat, e kjo irritoi bashkëkombësit e tyre. KFOR-i arsyetoi se të dyshuarit ishin “agresivë.”

Pak minuta më vonë, të njëjtit u liruan, pasi u pa se mbi 500 serbë ishin mbledhur afër barrikadës në Jarinje dhe situata vlerësohej se ishte para shpërthimit të dhunës.

Ndërkohë, KFOR-i dhe policia e EULEX-it nisën të kontrollojnë makinat që kalonin përmes njërit nga tre vendkalimet ilegale, që serbët improvizuan skaj Portës 1. Paqeruajtësit kujdeseshin për sigurinë, kurse misionarët europianë legjitimonin të gjithë ata që kalonin kufirin nga njëra anë në tjetrën.

KFOR’i qëllon demonstruesit

Telashet e vërteta nisën rreth orës 13:00.

Në ato momente, forcat paqeruajtëse, deshën të largojnë edhe barrikadat e fundit që çojnë për në Jarinje. Por serbët e mbledhur rreth kamionëve që shkarkonin dheun në rrugën, u revoltuan.

Nisën të gjuajnë KFOR-in me gurë.

Paqeruajtësit shtënë në ajër për të paralajmëruar masën që nuk ndalej. Përdorën edhe gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë, por pa rezultat.

Rreth orës 13h15, në malet përreth zonës neutrale, nga ana e Serbisë ose Rashkës, dëgjohen krismat e para nga armët e zjarrit. KFOR-i atëherë u barrikadua dhe thirri përforcime.

Një grup serbësh, brenda demonstruesve, shkëputet nga turma dhe gjuan disa shishe me benzinë në drejtim të KFOR-it. Njëra bombë artizanale godet dhe lëndon katër ushtarë, prej të cilëve një rëndë.

Sipas zëdhënësit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, në këtë moment ushtarët nisën të gjuajnë me plumba gome në drejtim të turmës së elektrizuar.

“Ushtarët nuk mund të rrinë të qetë kur dikush shtie në ta. Bomba artizanale që lëndoi katër ushtarët ishte sinjal i qartë dhe ushtarët, në vetëmbrojtje, u kundërpërgjigjën me plumba gome”, koloneli Kai Gudenogh tha për Balkan Insight.

Si pasojë e të shtënave të KFOR-it, autoritetet spitalore matanë Ibrit, lajmëruan se kanë pranuar shtatë serbë të lënduar. Mjekët thanë se plagët ishin shkaktuar nga plumba të vërtetë e jo të gomës siç thanë forcat paqeruajtëse.

Drejtori i spitalit në veri, Milan Jakovljevic i tha medieve serbe, se gjashtë veta janë hospitalizuar. Tre prej tyre janë operuar nga plagët dhe asnjëri nuk janë të rrezikuar për jetë.

Në Jarinje ndërkaq KFOR-i vazhdoi me gaz-lotsjellës, gjë që shtyri demonstruesit që të lëvizin perimetrin e tyre të rezistencës. E pak para orës 14:00, thuaja se gjithçka iu kthye normales.

Serbët qëndronin prapa barrikadave, kurse KFOR-i në afërsi të Portës 1. Forcat paqeruajtëse u siguruan që të mos përsëriten skenat e paradites, dhe vendosën tela gjemborë skaj barrikadave dhe njërin nga kalimet “paralele”.