Ish-këshilltari i lartë, Eset Berisha dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj

Gjykata Themelore konstaton se Lekaj e Berisha fshehën opinionin e kompanisë mbikëqyrëse për rastin e '53 milionëshit'

Gjykata Themelore e Prishtinës në aktgjykimin e datës 20.03.2024 ka konstatuar se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj së bashkë me këshilltarin e tij politik, Eset Berisha, kanë fshehur opinionin këshillëdhënës të “Hill International”.

Gjykata ka konstatuar se Lekaj dhe Berisha nuk ia kanë prezantuar këtë opinion anëtarëve të Komitetit drejtues ndërministror, për realizimin e qëllimeve të tyre.

“Hill International” ka pasur funksionin e kompanisë mbikëqyrëse, duke e mbikëqyrur punën e projektit për autostradën “Arbën Xhaferi”. Në opinionin që e kishte dhënë kompania mbikëqyrëse nga 53 milionë euro që kishte kërkuar “Bechtel & Enka”, vetëm 14 milionë i kishte parë si të arsyetuara.

“Nga të lartcekurat vërtetohet se opinioni ligjor i ‘Hill International’, është dërguar në MI, më datë 21.12.2017, e ka pranuar personalisht dëshmitari Besnik Avdija, dhe në parim si çdo dokument që e ka pranuar e ka përcjellë në parim tek i pandehuri Eset Berisha, e i njëjti në bashkëkryerje me të pandehurin Pal Lekaj e kanë fshehur këtë opinion, siç e kanë fshehur gjatë gjithë këtij procesi ekzistencën e kësaj kompanisë mbikëqyrëse ‘Hill Internacional’ dhe gjithë kjo me qëllim të realizimit të veprimeve të vazhdueshme të kundërligjshme të tyre”- thuhet në Aktgjykim.

Ky vendim është marrë nga trupi gjykues me kryetare, Violeta Namani, anëtarët Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli.

Gjykata Themelore tutje ka konstatuar se Pal Lekaj ka injoruar opinionet e kompanisë mbikëqyrëse edhe atëherë kur opinionin në fjalë të datës 21.12.2017 nuk e ka prezantuar para Komitetit Drejtues Ndërministror, ndonëse takimet ishin mbajtur për këtë qëllim.

Tutje trupi gjykues ka konstatuar se Pal Lekaj si kryesues i Komitetit Drejtues Ndërministror, duke e fshehur dhe mosparaqitur anëtarëve të tjerë opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, i ka shtyrë anëtarët e KDNM-së që t`i rekomandojnë Qeverisë së Kosovës për ta aprovuar pagesën prej 53 milionë euro për “Bechtel & Enka”-n.

Gjykata tutje ka konstatuar se anëtarëve të KDNM-së nuk iu ka paraqitur opinioni i “Hill International”, por opinioni ligjor i Zyrës ligjore të MI-së.

Lidhur me opinionin e MI, Gjykata ka konstatuar se Eset Berisha ka bërë presion tek drejtori i Zyrës ligjore Avdi Kamerolli, që në opinionin e MI të hiqet rreshti ku parashihej që opinione ligjore për këto pagesa të bënte kompania mbikëqyrëse “Hill International”.

Krejt këto veprime sipas gjykatës i pandehuri i ka marrë me qëllim që të realizojnë qëllimet e tyre.

Berisha në emisionin KALLXO përnime më 03.02.2024 kishte mohuar t`i ketë bërë presion drejtorit të Zyrës ligjore të MI për ndryshimin e opinionit ligjor.

Afera e 53 milionëshit – Gjykata e Prishtinës konstatoi se marrëveshja ishte kundërligjore

Historiku i rastit

Gjykata e Prishtinës më 31.01.2024 kishte gjetur fajtor të pandehurit, Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha.

Gjykata kishte shpallur fajtorë dhe kishte dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berishën ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike; sekretari i përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtorin e prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri, janë dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit kurse mbrojta lirimin e të pandehurve në seancën kur janë thënë fjalët përfundimtare, e cila është mbajtur më 26 janar 2024.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare më datë 29 shtator të  vitit 2017.

Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Përfundimi i autostradës me kontratën bazë e cila ishte lidhur në vitin 2014 parashihej të përfundonte më 18 janar të vitit 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit dhjetor të vitit 2018.

Kjo marrëveshje, sipas prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosto financiare që ishte në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror.

Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.

Tutje aktakuza thotë se Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik Eset Berisha që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka” për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur.

Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

Kjo kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017, pastaj sipas prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor të vitit 2018.

Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare lidhur me këtë projekt e kishin, Komiteti Drejtues Ndërministror i cili kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.

Sipas prokurorisë pagesa për shumën prej 53 milionë eurove ishte në kundërshtim të plotë me rekomandim e kompanisë mbikëqyrëse të projektit e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, “Hill International”.

Sipas këtij rekomandimi të bërë në vitin 2017 nga “Hill International” kishte thënë që shuma e vetme që do duhej t`i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro tjera në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit (dy kërkesat e fundit, “Hill” i kishte konsideruar si të pa bazuara).

Këtë rekomandim sipas Prokurorisë e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.

Këtë opinion prokuroria thotë që Pal Lekaj nuk e ka prezantuar fare në mbledhjet e KDNM-së, të mbajtura për këtë arsye.

Përmbajtja e aktakuzës vazhdon duke treguar se si Pal Lekaj dhe këshilltari i tij, Eset Berisha kishin kërkuar nga drejtori i departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli ndryshimin e opinionit ligjor që e kishte përpiluar më herët lidhur me këtë rast.

“Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” dhe Departamenti i prokurimit Publik si nënshkrues i kontratës të cilët posedojnë njohuri të specializuar”- përshkruhet të ketë qenë formulimi i opinionit paraprak ligjor nga Avdi Kamerolli më datë 01.06.2018 me numër protokolli 5124.

Pas presionit që përshkruhet në aktakuzë të ketë pasur drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, nga Eset Berisha {përmes dërgimit të një draft opinioni të shkruar në email} dhe Pal Lekaj,  ka hartuar një version të ri të opinionit ligjor duke e hequr emrin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” duke e lënë si kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të MI.

Kështu Pal Lekaj si kryesues i KDNM-së duke fshehur dhe mos paraqitur para anëtarëve të tjerë të këtij komitetit gjendjen reale {respektivisht opinionin e kompanisë “Hill International”}, e duke i prezantuar tashmë opinionin e ndryshuar të Avdi Kamerollit të të njëjtës datë 01.06.2018 por që mban numër tjetër të protokollit 5142, i ka shtyrë anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror që të rekomandojnë te Qeveria e Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka-s” për t`iu paguar shuma prej 53 milionë eurove ashtu siç kishin kërkuar.

Duke mos përfillur opinionin e “Hill International” që parashihte pagesë për “Bechtel & Enka” për vetëm 14,778,654.87 euro, më të cilin vlerësim ishte pajtuar edhe kompania në fjalë, sipas prokurorisë, më aprovimin e pagesës prej 53 milionë euro, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë euro.

Kështu prokuroria në përfundim ka ardhë se katër të akuzuarit në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Por, në bazë të përshkrimit të dispozitat të aktakuzës dhe aktvendimit të prokurorit të shtetit të datës 7 Gushtit të vitit 2019, del se i pandehuri Eset Berisha ka ushtruar ndikim tek drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, gjë për të cilën shprehimisht në aktakuzë nuk specifikohet siç ndodhë me përshkrimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dënim maksimal të të akuzuarve në seancën kur janë dhënë fjalët përfundimtare kishte kërkuar prokurorial Speciale, por që në aktakuzë prokuroria ka kërkuar dënimin plotësues për të pandehurit duke kërkuar nga Gjykata që urdhëroj të pandehurit që në mënyrë solidare të bëjnë kompensimin e humbjes apo dëmit që i është shkaktuar Buxhetit të shtetit e që sipas aktakuzës dëmi monetar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit del të jetë 38 milionë euro.

Si dënim plotësues Prokuroria Speciale ka kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike për të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK