Aktivistja Blenda Asllani e quan 'të kundërligjshëm' vendimin e rektorit të UP-së për Xhevat Krasniqin

Aktivistja nga Lëvizja Feministe Studentore, Blenda Asllani në emisionin “Kallxo Përnime” vendimin e Universitetit të Prishtinës për pezullimin nga puna të profesorit të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i dyshuar për ngacmim seksual, e ka quajtur vendim “të kundërligjshëm”.

Asllani ka cituar Rregulloren për mbrojtjen nga ngacmimi seksual në UP dhe Statutin e UP-së, të cilat mendon se janë shkelur nga Këshilli i Etikës i UP-së gjatë trajtimit të rastit.

Asllani ka udhëhequr protestat e mbajtura nga Lëvizja Feministe Studentore për këtë rast.

Sipas Rregullores për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi në Universitetin e Prishtinës, KE duhet ta kontaktojë të dyshuarin menjëherë pas pranimit të denoncimit, jo më vonë se pesë ditë kalendarike pas pranimit të denoncimit formal.

“Këshilli i Etikës e kontakton subjektin e dyshuar menjëherë pas pranimit të denoncimit dhe e fton në intervistim, jo më vonë se pesë ditë kalendarike pas pranimit të denoncimit formal për ngacmim ose ngacmim seksual, duke u siguruar që subjekti i dyshuar është njoftuar dy ditë më herët” – thuhet në nenin 11, paragrafi 3, të rregullores së UP-së.

“Këta janë ftu tri javë më vonë, kur ia kanë nisë protestat edhe kur rasti ka dalë në media. KE po ashtu e ka shkelë Statutin e UP-së, nenin 7, që e obligon UP-në me garantu mundësi të barabarta, pavarësisht kategorizmeve shoqërore. KE e ka shkelë këtë nen, sepse e ka ftu Xhevatin dhe ia ka dhënë dy herë mundësinë për m’u deklaru, njëherë 45 min e njëherë tjetër 2 orë” – ka deklaruar Asllani në emisionin “Kallxo Pernime”.

Pas intervistimit të Krasniqit në mbledhjet e datave 04.04.2024 dhe 22.04.2024 të Këshillit të Etikës të UP-së, Asllani tha se nuk e ka kuptuar pse u ftua dy herë për intervistim Krasniqi.

“Me gjasë ia kanë dhënë edhe një mundësi m’u shpërla për herë të dytë, veç tash me një deklaratë pesë faqëshe të shkrume me avokat. Çikat (studentet e Mjekësisë) i kanë ftu nga 10 minuta edhe veç i kanë pyt se a po pajtoheni me çka keni shkru, kurgjo ma shumë. Momentin kur një prej çikave ka dasht me fol ma shumë se sa që ka shkru, ka thënë – po du me fol për gjendjen time emocionale gjatë kohës sa jam ngacmu, gjatë kohës qysh e kam përjetu, qysh jam tu e përjetu tash, anëtarët e Këshillit të Etikës i kanë thënë jo nuk ki nevojë me fol për gjendjen tënde emocionale” – tha Asllani.

Pasi rasti është inicuar në Prokurori, Asllani bëri thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi dhe njohuri të dëshmojnë për këtë rast.

“Kur po flasim për këtë denoncim, ngacmimet seksuale që kanë ndodhë prej këtij profesori, nuk kanë ndodhë veç në një hapësirë të izoluar, këto kanë ndodhë në rrugë, në ligjërata, konsultime, në provimin me gojë që ka shumë dëshmitar të tjerë. Mendoj që është tepër e rëndësishme për ata persona që i kanë pa edhe ni këto rast me shku në Prokurori edhe m’i mbështet shoqet e tyre” – ka ftuar Asllani.

Sipas Asllanit, KE ka shkelur edhe paragrafin 4 të nenit 11 të rregullores së UP-së për mbrojtjen nga ngacmimi seksual.

“Këshilli i Etikës merr vendim, me të cilin konstaton a është kryer apo jo shkelja e paraqitur në denoncim sipas kësaj rregulloreje. Nëse Këshilli i Etikës e konstaton shkeljen, shqipton masa sipas kësaj rregulloreje. Vendimi i Këshillit të Etikës është vendim përfundimtar në shkallë të parë” – thuhet në paragrafin 4 të nenit 11 të rregullores së UP-së për mbrojtjen nga ngacmimi seksual.

“Këshilli i Etikës e ka dhënë një rekomandim, ani pse i ka pas krejt kompetencat për me marr një vendim edhe i ka pas shkeljet e paracaktume sipas rregullores çka kanë mujt me marr vendim edhe me ba këtë vendim të formës së prerë, po për me i ikë përgjegjësisë ia kanë dhënë një rekomandim rektorit” – ka theksuar Asllani.

Ajo mendon se KE ia ka lënë rastin organeve të drejtësisë për të blerë kohë e për t’u harruar kjo çështje pas gjashtë muajve dhe Krasniqi të kthehet si profesor i rregullt në Fakultet të Edukimit në UP.

Ajo shtoi po ashtu se KE ka shkelur edhe paragrafin 7, neni 11 në rregulloren e UP-së për ngacmimet seksuale.

“Universiteti i Prishtinës do të zbatojë masat dhe procedurat disiplinore për rastet e ngacmimit dhe ngacmimit seksual, pavarësisht nga zhvillimi i procedurës penale për rastin e njëjtë” – thuhet në paragrafin 7, neni 11 në rregulloren e UP-së për ngacmimet seksuale.

Me këtë rast ajo ka përmendur përballjen që kanë pasur ndaj rektorit të UP-së, Qerim Qerimi, në konferencën STEMInists24’ të orgnizuar nga Ministria e Arsimit, e që u mbajt të premten, më 26.04.2024.

Asllani tha se kanë shkuar të protestojnë për të mos e lënë rektorin Qerimi ta mbajë fjalimin në këtë konferencë, pasi sipas saj, rektori Qerimi nuk ka folur asnjëherë për rastin e raportuar ndaj Krasniqit, porse ka nënshkruar vendimin ku i rekomandohet pezullimi nga puna i Krasniqit në UP.

Ajo ka përmendur se përgjatë protestave të tyre para Rektoratit të UP-së për shkak të pakënaqësisë ndaj trajtimit të rastit të ngacmimit seksual të raportuar, Qerimi nuk ka dalur në punë, por u ka dërguar ftesë përmes këshilltarëve të tij që aktivistët të takohen me të, por ata nuk kanë pranuar të takohen ndryshe.

Asllani ka njoftuar se do të vazhdojnë ta reagojnë ndaj rektorit Qerimi, derisa ta shfuqizojë vendimin për pezullimin e Krasniqit, të cilin e ka vlerësuar “të kundërligjshëm”.

Asllani tha se është studente në Fakultetin Filozofik në UP dhe se ka profesora dhe kolegë të saj që po ia përmendin angazhimin e saj si aktiviste për këtë rast të ngacmimit seksual, dhe se janë duke e akuzuar se mos janë duke e tepruar ndaj profesorit Krasniqi.

Dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, Blerim Saqipi ka njoftuar se profesori Xhevat Krasniqi punon në Fakultetin e Edukimit nga vitet 2004-2005, në fushën e matematikës.

Ndërsa, nga Fakulteti i Mjekësisë në një përgjigje për KALLXO.com, më 27.03.2024, kanë thënë se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë

Denoncimin me shkrim për ngacmimin seksual studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu, denoncimin e studenteve e kishte përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Përveç këtyre tri studenteve, në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

Pesë ditë pas transmetimit të emisionit të Kallxo Përnime për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria ka autorizuar organet e rendit që të nisin hetimet.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi më 12.04.2024 ka konfirmuar për KALLXO.com se janë intervistuar katër dëshmitarë.

“Prokuroria ka autorizuar policinë për të ndërmarrë hetime pas publikimit. Janë intervistuar katër dëshmitarë dhe intervistat televizive janë vendosur në dosjen e Policisë” – tha kryeprokurori Gashi.

Aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë pasi bllokuan hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës më 11.04.2024, për shkak të protestës së tyre gjithëditore të cilën e kishin paralajmëruar më 10.04.2024, u shpërndanë nga Policia e Kosovës me forcë.

Ekipi i KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes se disa aktivistë janë tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës, për të zhbllokuar kështu hyrjen e Rektoratit.

Përderisa mbahej protesta e aktivistëve para Rektoratit të UP-së, më 11.04.2024, studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UP-së, e bojkotuan mësimin për një orë.

Përveç tyre, edhe studentët e Mjekësisë, ku u raportua ngacmimi seksual në UP, nuk kanë mbajtur mësim. Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com vetë Fakulteti i Mjekësisë, i cili nuk i është referuar si “bojkot” mosmbajtjes së procesit mësimor, por u janë referuar “mosvijim”.

Këshilli i Etikës i UP-së mbajti mbledhje për këtë rast, më 17.04.2024, në të cilën dëshmuan u dëgjuan si dëshmitarë tre studentë, dy vajza dhe një djalë.

Mbledhja ishte e hapur për media, mirëpo është kërkuar që për shkak të konfidencialitetit të dëshmitareve që janë duke dëshmuar aktualisht, mediat të mos marrin pamje.

Në këtë mbledhje nuk u mor vendim nga KE ndaj Krasniqit, mirëpo KE pati kërkesa ndaj Fakultetit të Edukimit dhe atij të Mjekësisë.

KE i kërkoi Fakultetit të Mjekësisë që ta ridërgojë edhe njëherë listën e nënshkrimeve të studenteve denoncuese në afat prej një jave pasi që, sipas anëtarëve të këtij Këshilli, profesori Krasniqi pretendon se 9 prej nënshkrimeve janë të falsifikuara.

Ndërsa, Fakultetit të Edukimit i kërkoi vlerësimin zyrtar të performancës së profesorit të rregullt, Xhevat Krasniqi, në këtë Fakultet.

Më 18.04.2024, përderisa profesori Krasniqi po mbante ligjëratë me studentët e Fakultetit të Edukimit, aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore kanë hyrë duke fishkëlluar dhe kanë penguar orën, që ka çuar në largimin e studentëve nga klasa, përderisa Krasniqi ka vazhduar të rrijë në klasë.

Këshilli i Etikës u mblodh më 22.04.2024. Para më se 50 studentëve, Xhevat Krasniqi prapë u ftua për të dhënë intervistë e cila u mbajt e hapur para studentëve.

Iset Morina, kryetar i Këshillit të Etikës ka treguar se ka lejuar studentët në këtë seancë me kusht që s’ka xhirime dhe s’ka zhurmë.

Krasniqi e kishte përgatitur një deklaratë dhe e ka lexuar atë, duke dhënë qëndrimin e tij ndaj shprehjeve të përdorura në ankesën e ish-dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, e cila e ka deponuar ankesën në KE pas raportimit për ngacmim nga studentet e Mjekësisë.

“Shpreh kundërshtimin tim lidhur me atë që më është atribuuar. Pasi që vlerësimi parimor nuk iu ka shkuar për shtati disa njerëzve, ata i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i kanë pasur ndaj meje” – tha Krasniqi.

Ai tha se i kanë keqpërdorur apo joshur disa studentë për të shpifur ndaj tij.

Akuzën për ngacmim seksual nga studentet Krasniqi e ka quajtur “të pavërtetë” dhe “shpifje”. Shprehjet e paraqitura në ankesat e studenteve ai ka thënë se janë shtrembëruar.

“Ejonë ti gjithë Ejona ki me mbet” – Krasniqi tha se e ka kuptimin për një studente që ka bërë zhurmë gjatë ligjëratës, pra sipas tij, jo siç është kuptuar e raportuar “E jonë, ti gjithë e jona ki me mbet”.

Ai tha se nuk i ka përdorur asnjë nga shprehjet që janë në ankesën e FM-së, në asnjë bisedë me studentët, bisedë formale apo jo formale.

“Shprehja e fjalës masazh është shpifje. Se jam afruar dhe kam dashur ta përqafoj është shpifja e radhës” – ka thënë Krasniqi.

Krasniqi tha se i ka falur pikë në një provim një studente, në këtë rast Krasniqi u pyet nga Këshilli i Etikës se cilat ishin motivet që ia ka falur pikët. Ai u përgjigj se në rastet kur studentët janë afër rezultatit të kalueshmërisë ashtu vepron.

Për një studente tjetër, Krasniqi tha se ajo e ka kërcënuar duke i thënë “hajt se ki me pa ti”.

Rreth nënshkrimeve të studenteve të Mjekësisë në ankesën që ka deponuar Fakulteti i Mjekësisë për raportimin e ngacmimit në Këshillin e Etikës, Xhevat Krasniqi pretendon se nëntë nënshkrime të këtyre studenteve janë të falsifikuara.

“Nënshkrimet e tyre i kam krahasu me listat e nënshkrimeve të studentëve gjatë ligjëratave. Dyshoj se nënshkrimet mund të jenë të falsifikuara” – tha Krasniqi.

Ai pretendon se nënshkrimet e listës së ligjëratave nuk janë të njëjta me nënshkrimet në ankesën e Fakultetit të Mjekësisë.

Iset Morina, kryetar i KE, e ka pyetur, se përderisa ai pretendon se 9 nënshkrime janë të falsifikuara, për 18 nënshkrimet tjera a janë të vërteta?

Krasniqi është përgjigjur duke thënë se “nuk ka vërejtur se ato kanë lëshime”.

Pasi që Këshilli nuk mori vendim në mbledhjen e datës 22.04.2024, aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore kanë bllokuar hyrjen e Admnistratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit.

Pas disa orësh bllokadë nga aktivistët, Policia e Kosovës ka larguar nga salla e Admnistratës profesorin Xhevat Krasniqi dhe dy anëtarët tjerë të Këshilli të Etikës, Arben Hajdarin edhe Skender Mujin.

Pas disa minutave, ata intervenuan sërish duke i larguar nga salla edhe kryetarin e Këshillit të Etikës, Iset Morina edhe anëtarin tjetër Rrezeart Galica që kishin mbetur brenda sallës e së cilëve studentët u thanë se “i ka harruar Policia brenda sallës”.

Më 23.04.2024, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore kanë bllokuar me ngjitës derën e zyrës së profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Letra me mbishkrimet “Skenë krimi! Mos kalo!”, “ Xhevat Krasniqi nuk ke vend në UP”, janë shkruar në derë zyrës së profesorit Krasniqi dhe në hyrje të zyrës.

Ky aksion ishte vazhdim i protestës së aktivistëve që kërkojnë me ngulm përjashtimin e Krasniqit nga Universiteti i Prishtinës, që kur u bë publik lajmi për denoncimin e studenteve.