Mesazhe informuese në pakot e duhanit. Foto: Facebook/Ministria e Shëndetësisë.

Ilustrime në pako për efektin negativ të duhanit, hyn në fuqi udhëzimi i ri administrativ

Në Kosovë ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ i cili përcakton që në pakot e duhanit të ketë ilustrime që tregojnë për efektet negative të duhan-pirjes për shëndetin e njeriut.

Përmes një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se qëllimi i këtij udhëzimi administrativ është përcaktimi i rregullave për vendosjen e fotografive apo ilustrimeve të tjera dhe tekstit – mesazhit informues për efektet negative të duhanit, në paketimet e produkteve të duhanit dhe të ndërlidhura me duhanin.

“Përmes vendosjes së vërejtjeve shëndetësorë në produktet e duhanit synohet të ngritën njohuritë e duhan-pirësve për efektet shëndetësore negative që shkakton përdorimi i produkteve të duhanit dhe, gjithashtu, synohet të inkurajohet ndërprerja e pirjes së duhanit si dhe dekurajimi i nisjes ose ri-nisjes së pirjes së duhanit”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, aplikimi i vërejtjeve të kombinuara apo paralajmërimeve për rreziqet nga duhani është masë që, bazuar në dëshmitë shkencore, në vende të ndryshme ku është aplikuar, ka ndikuar në uljen e përdorimit të duhanit, sidomos nga të rinjtë.

Ky udhëzim administrativ, sipas njoftimit ka hyrë në fuqi me datë 25.04.2024.