Ilustrim

Kuvendi mblidhet tri herë javën e ardhshme

Kuvendi i Kosovës pritet që javën e ardhshme, përgjatë dy ditëve, t’i mbajë tri seanca.

Kështu ka paralajmëruar kryetarja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 29.03.2024.

Kusari-Lila ka bërë të ditur se më 04.04.2024 do të zhvillohen dy seanca. Njëra do të jetë e veçantë sepse i kushtohet 25 vjetorit të Betejës së Koshares dhe do të nisë në orën 10:00, kurse tjetra do të jetë e rregullt dhe do të fillojë në orën 11:00.

Në seancën e rregullt, sipas saj, do të hiqen pyetjet parlamentare dhe deklarimet e rendit dhe do të shkohet drejtpërdrejt me diskutimin e kërkesës së opozitës për themelimin e Komisionit hetimor parlamentar për subvencionimin e blerjes së librave.

Ndërsa, më 05.04.2024, sipas Kusari-Lilës, do të mbahet seanca tjetër vetëm me pyetje parlamentare që janë mbledhur ndër javë në Kuvend.

“Në agjendë prapë janë marrëveshjet ndërkombëtare për të cilën s’ka pasë ndonjë diskutim për konsensus politik”- deklaroi Kusari-Lila.