Mbledhja e datës 15.04.2024, Foto KALLXO.com

U.d. kryeshefi ekzekutiv i KPM-së: Nuk jemi të kënaqur me deklarimet vjetore financiare të subjekteve të licencuara

Deri më datë 31.03.2024 subjektet të cilat janë të licencuara në Komisonin e Pavarur të Mediave kishin për obligim që të dorëzonin raportin vjetor financiar në KPM, bëri të ditur kryetari i këtij institucioni, Jeton Mehmeti.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KPM-së, Faruk Rexhaj, është shprehur i pakënaqur më 15.04.2024 lidhur me raportimet e deritanishme të subjekteve, duke thënë se në mbledhjen e radhës do të shpalosë një raport më të detajuar lidhur me këto raportime, se cilat subjekte nuk kanë raportuar, cilat kanë raportuar dhe cilat kanë deklaruar me devijime ose mospërputhje të deklarimeve.

Ai shtoi se vitin e kaluar kanë shqiptuar vërejtje si sanksione për subjektet të cilat nuk kanë përmbushur këtë obligim, kurse tani është koha për gjoba më të ashpra.

“Më 31 mars ka përfunduar afati për raportim. Nuk jemi të kënaqur me përgjigjet karshi këtij obligimi. Kemi raste të vitit të kaluar ku kemi shqiptuar vërejtje. Në raportet financiare të dorëzuara ka raste kur ka mospërputhje të deklarimeve. Në mbldhjen e radhës do të paraqitet një raport i detajuar, ato që kanë devijime ose mospërputhje të deklarimeve financiare vjetore. Kemi shqiptuar disa sanksione si vërejtje, i ka ardhur koha të shqiptojmë gjoba më të ashpra” – u shpreh Rexhaj në mbledhjen e katërt të KPM-së më 15.04.2024.

Jeton Mehmeti, kryesuesi i KPM-së, u bëri thirrje subjekteve të dorëzojnë raportet e tyre vjetore financiare dhe shtoi se këto raporte janë shumë të rëndësishme për ndërtimin e politikave të KPM-së dhe publiku të dijë se kush janë pronarët e mediave.

“Edhe publikisht ju bëj thirrje subjekete të licencuara t’i dorëzojnë raportet, është obligim ligjor. Raportet na ndihmojnë për të ndërtuar politikat tona, na mundësojnë t’i tregojmë publikut kush janë pronarët e mediave, çfarë skema programore ofrojnë ato, është tepër me rëndësi t’i kemi raportet e plota” – u shpreh kryetari Mehmeti.

Para kësaj mbledhjeje, Komisioni vazhdoi mbledhjen e datës 19.03.2024, në të cilën u trajtuan disa raste ligjore ndër to edhe rasti i shkeljeve të Kodit të Etikës, Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve si dhe disa raste të disa radiove që kanë ndryshuar pronësinë pa miratimin e KPM-së.

Ndër të tjera, me 5 vota pro mori vendim që televizionit “1ST Channel” t’i shqiptohet gjobë prej 5 mijë eurosh si sanksion për shkelje të Kodit të Etikës dhe Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve nga programi “It’s my home”.

Zyra Ekzekutive në mbledhjen e sotme njoftoi se ka bërë monitorim të transmetimit të këtij programi dhe ka konstatuar se është bërë transmetim të disa mosmarrëveshjeve të banorëve të cilat kanë pasur gjuhë vulgare dhe ofenduese dhe kanë nxitur urrejtje e dhunë.

Komisioni i Pavarur i Mediave në mbledhjen në fjalë me 5 vota pro të anëtarëve të komisionit ka vendosur që Klan Kosovës t’i shqiptohet gjobë në shumë prej 10 mijë eurosh.

Rekomandimi ka ardhur nga Zyra Ekzekutive e KPM-së, e cila ka monitoruar televizionin në fjalë dhe ka konstatuar se ky televizion ka kryer shkelje kur ka transmetuar “Prime” e “Big Brother” pa kodim, siç përcaktohet me Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Përcaktimi ligjor që këto transmetime të jenë me kodim, bëhen sipas nenit 7 paragrafi 6 i Rregullores, bëri të ditur kryetari Jeton Mehmeti.

Mehmeti njoftoi se deri te kjo gjobë është marrë parasysh edhe gjoba e mëhershme e shqiptuar ndaj këtij televizioni në shumën prej 5 mijë eurosh.

Komisioni i Pavarur ka shqiptuar gjobë ndaj Radio Klan Kosovës në Prishtinë dhe asaj në Deçan për shkak se Zyra Ekzekutive ka konstatuar se kanë bërë ndryshim të pronësisë pa miratim të KPM-së.

Përveç këtyre dy radiove edhe Radio Plus, Radio Sharri, Radio Urban FM-Prishtinë dhe Radio Urban FM-Prizren janë gjobitur me nga 1 mijë euro për ndryshim të pronësisë pa miratim nga KPM-ja.

Radiot detyrohen ta paguajnë këtë gjobë në afat prej 30 ditësh, si dhe të dorëzojnë dokumentet e parapara ligjore në KPM.