Nis shqyrtimi në lexim të dytë i ligjit për KPM-së

Komisioni për Media është duke shqyrtuar në lexim të dytë projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

Në mbledhjen e 26.04.2024 është edhe kryetari i bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti.

Valon Ramadani, kryetar i komisionit tha se ky lexim i dytë po bëhet pas dëgjimit publik në Kuvendin e Kosovës dhe shtatë dëgjimeve të tjera në shtatë komunat e Kosovës.

“Mendoj që është projektligji më i mirë i kohës, konsideroj se në disa pika është me i avancuar se në shtetet e rajonit. Ne kemi kërkuar edhe një ekspertizë shtesë nga Këshilli i Evropës” – tha Ramadani.

Ai tregoi se kanë pasur komente nga Bashkimi Europian, OSBE, Komisioni i Pavarur i Mediave, forumi për integritet, BIRN, drejtoria e shërbimeve juridike dhe nga TV Mitrovica.

Ekspertja e Këshillit të Europës, Deidre Kevin tha se mediat duhet të kenë autoritetet vetërregulluese dhe duhet t’i kushtohet rëndësi pronësisë së tyre.

“Këshilli i Evropës nënvizon disa parime themelore si transparenca, dëgjimet publike që ju i keni pas. ne rekomandojmë që të kemi dëgjime për propozime të reja. BE nënvizon që zbatimi i ligjeve të BE-së të bëhet me parimin e propocionalitetit. Parim tjetër është edhe promovimi i bashkë-rregullimit dhe vetë-rregullimit, pjesë e skemës rregullative duhet të jetë edhe Komisioni për Media të Shkruara” – tha Kevin.

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu pati një pyetje për Ramadanin.

“Ju i bëtë disa komente pozitive për ligjin, pastaj thatë që është ligji më i mirë. Desha të di, a është ky koment i juaji personal apo…” – tha Veliu.

“Unë kam thënë për mua” – ishte përgjigja e Ramadanit.

Me këtë ligj, sipas deputetit tjetër të Vetëvendosjes, Fitim Haziri është ruajtur shprehja e fjalës së lirë.

“Është ndër projektligjet që asnjëherë nuk është debatu më shumë. Por me rëndësi është që me ketë ligj është ruajtur shprehja e fjalës së lirë” – tha Haziri.

Ky projektligj mes tjerash synon që videot dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Për këtë arsye, ka marrë kritika të shumta nga organizata të punës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Më 07.02.2024 Komisioni për Media kishte miratuar në parim projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media. Gjatë kësaj mbledhje deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri në shenjë revolte kishte dalë nga salla.

Miratohet Projektligji për KPM-në në Komisionin Parlamentar, Besnik Tahiri largohet nga salla kur votohet