Kthimi i Gjashtëfishtë

Bisedat për filmin, që ndodhë të zhyten plot pasion në terrene imagjinate, që nxisin reflektime se si bota që na rrethon mund të jetë më e mirë, në nostalgji për veprat e mëdha e si rrjedhojë edhe pezm e thirrje për të ndryshuar të sotmen, trupojnë qoftë kalimthi nëpër Prishtinë, çdo vjeshtë, stinën tonë të festivaleve. Një ditë ato janë të destinuara të kthehen në bëma të mëdha, por për momentin mbeten vetëm në atë rrafsh – pra as në filmin e realizuar e as në cilësinë e organizimit shoqëror.

Edicioni më i ri (i teti) i NINE ELEVEN, që organizohet në përkujtim të dhjetëvjetorit të sulmeve terroriste në New York, brenda tri netëve të shfaqjes së filmave në konkurrencën zyrtare, solli hiç më pak se tetëmbëdhjetë filma të metrazhit të shkurtë, shtatë prej të cilëve të prodhuar ekskluzivisht nga NineEleven Dedication Festival. Pjesa tjetër janë produksione të pavarura studentësh e kineastësh të rinj nga Kosova e Shqipëria, këta të fundit të prezantuar nga Akademia e Filmit “MARUBI”.

Me moton ‘veç shqip’, ky festival sivjet rezultoi me një fitues të gjashtëfishtë. Filmi “KTHIMI” me skenar të Shefqet Gjocajt e regji të Blerta Zeqirit, ngadhënjeu bindshëm në të gjitha kategoritë kryesore: Filmi më i Mirë, Regjia më e Mirë, Skenari më i Mirë, Aktorja më e Mirë Femër, Montazha më e Mirë dhe Kamera më e Mirë. Dy çmimet e mbetura, për Muzikën më të mirë, dhe Aktorin më të mirë shkuan për filmin “S.O.S”, përkatësisht për kompozitorin Korab Shaqiri dhe aktorin Veton Osmani.

“Kthimi” është një dramë familjare e një të burgosuri shqiptar (Lulzim Bucolli) që kthehet nga burgjet serbe pas mbarimit të luftës dhe përballet me ndryshimin e madh, jo të lirisë, por me pasojat e dhunimit të gruas së tij (Adriana Matoshi) e cila, me gjithë vuajtjet dhe tmerret ka pranuar të sjellë në jetë fëmijën, si fryt të dhunimit, duke e pagëzuar me emrin Jeta.

Është një film për luftën që mundohet t’i ikë shablloneve. Në të nuk ka dhunë, gjak e as kufoma, por dialog njerëzor, që herë të bën me lot e herë të qeshësh nën interpretimin e lehtë të Adriana  Matoshit. Qasja regjisoriale është autentike dhe identifikohet me Blerta Zeqirin, e cila është e njohur me filmin e saj “EXIT”. Filmi arrin të trajtojë dhunimin dhe pasojat e tij në kornizën që ka.

Ndoshta kjo është vetëm një gjendje e realizuar në film dhe e cila mbretëron në Kosovën e përtej skenës – atë të realitetit – ku plagët e luftës provohet të trajtohen me durim duke i ikur hakmarrjes dhe duke mbjellë gjasat e një të ardhme tjetër, pse jo edhe me shumë e filma e aktorë. E ardhmja është vet film.
 
Megjithatë, prapa përtej perdeve, përgjatë këtyre viteve të tranzicionit kosovar me të madhe është trumbetuar ideja se kinematografia kosovare krahas mungesës së mbështetjes materiale vuan edhe nga bazat e dobëta të arsimimit që shpërfaqen ekraneve në projekte interesante që kërkojnë arnim dhe në rezultatet e tyre të dobëta në konkurrencën rajonale e më gjerë.

Artisti është njeri radikal, pranohet gjithandej. Njeri që mund të çlirojë të tjerët nga kufizimet që i vendosin botëkuptimet. Në këtë kuptim, Kosova ka terren të pafundmë.

Prapëseprapë, edhe në rastin e këtij edicioni të NineEleven, u dëshmua se përdorimi i temave të mëdha politike e nacionale mbeten motiv kryesor i kineastëve të rinj tek ne. Filmat “Lufta” (Faton Bajraktari), “Mulliri” (Ilirian Himaj), “Kofja e zbrazët” (Antoneta Kastrati), “Greetings from Prishtina” (Petrit Domi), etj, shquhen për trajtim temash që lidhen me luftën, politikën dhe historinë.

“Nusja” (Korab Lecaj), “Acropolis” (Blerdi Malushi), “No Exit” (Arlinda Morina), “Baba” (Gledis Bica), “Aksidenti” (Valon Jakupaj) janë ndërtuar mbi rrëfime që reflektojnë më shumë gjendjen e përgjithshme ekonomike dhe sociale të qytetarëve tanë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mbetur gjallë.

Në këta filma më shumë vihet theksi te sfida e personazheve për t’u përballur me realitetin e zymtë që i rrethon dhe me perspektivën që po zbehet dita-ditës në një vend si Kosova ku zhvillimet pozitive janë shumë të ngadalshme, ose mungojnë fare.

E, thuhet, se artisti duhet të sjell dritë diku mes errësirës. Qoftë ajo edhe gënjeshtërte, megalomane, iluzore.
Njeriu shkon në skenë për të ikur nga jeta. Ose për ta mashtruar atë duke e imituar.

Në këtë perspektivë, ky edicion i NineEleven nuk bëri ndonjë kapërcim të madh as në aspektin ideor as tematik.

Si zakonisht, ky festival realizoi dhe shfaqi filma që mund të konsideron si përpjekje e vazhdueshme e kineastëve të rinj, për të krijuar identitetet dhe autorësitë e tyre krijuese, me shpresën e pashuar se një ditë do të jenë emra të njohur botërorë.

Megjithëse NineEleven është mbase i vetmi që prodhon filma, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Në mos për asgjë tjetër atëherë është mundësi e mirë, që të stimulojë ‘prodhimtarinë vendore ’me filma të shkurtë.

Deri më tash shumë studentë të regjisë së filmit kanë dhënë provimet e tyre ose edhe kanë diplomuar me filmat e mbështetur nga NineEleven. Në këtë rast, ata së paku janë kursyer nga shpenzimi i parave të veta.

Shikuar nga ana e shpenzimeve, ku filma të tillë shpesh realizohen me vetëm rreth 5,000 euro, këto janë ndërmarrje të guximshme.

Por, prapë, besohet se në vendet ku jetohet vështirë e keq, të bësh art të madh është lehtë. Këndej shpesh qytetari i rëndomtë është artisti vet.

NineEleven ka përfunduar për t’i lëshuar rrugë festivalit të radhës, Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kosovë “PRIFILMFEST”.

Kështu nis e mbaron vjeshta në Kosovë, me festivale. Tek e fundit, ndoshta në këtë mënyrë duhet të nxitet, si nëpërmjet ‘Kthimit’, ai kthimi te shpirti që i flet kësaj bote njerëzish. Sepse fjala ishte e para. Ose, të paktën, më mirë të ketë qenë ashtu.

(Autori është dramaturg dhe skenarist).