Kurti: Krimet ndaj grave tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor e prokurorial për të vendosur drejtësinë

Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 18.04.2024, ka thënë se krimet ndaj grave në Kosovë tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor e prokurorial për të vendosur drejtësi në vend.

Dy vrasjet e grave që ndodhën ditëve të fundit në Kosovë, sipas tij, tregojnë pasojat e ndëshkimeve të ulëta.

“[Këto vrasje] Tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor e prokurorial për vendosje të drejtësisë në shtetin tonë. Dënimet e mangëta janë shkelje mbi të drejtat e viktimave” –  ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se si zë i qytetarëve e si institucione e kanë përgjegjësinë për të vendosur transparencë e llogaridhënie “aty ku është e domosdoshme”.

“Si zë i tyre e kemi përgjegjësinë për vendosjen e llogaridhënies aty ku është e domosdoshme e për të kërkuar drejtësinë me çdo kusht aty ku mungon. Puna dhe çdo veprim procedural i çdo gjyqtari e prokurori duhet të jetë transparente. Që të kemi dënime meritore për burrat vrasës e drejtësi për gratë viktima. Vullneti ynë politik është i palëkundur” – ka deklaruar Kurti.

Qyteti i Pejës është tronditur më 16.04.2024, nga vrasja e një gruaje, nga i dyshuari- burri i saj, i cili është arrestuar nga Policia. Krimi dyshohet se u krye në banesën e çiftit në Pejë.

Gruaja që mbeti e vrarë në qytetin e Pejës, Gjyljeta Ukella, ishte e angazhuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

Ndërsa të premten, më 12.04.2024 një 36 vjeçar, Valon Aliu, vrau ish bashkëshorten e tij, Erona Cokli, 21- vjeçare, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Dy gra vriten brenda pesë ditësh në Kosovë