Qeveria Paditi Sharrcem’in

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, MMPH, ka paditur të hënën prodhuesin e çimentos “SharrCem” nga Hani i Elezit pasi inspektorët e mjedisit kanë konstatuar se ajo nuk ka të instaluar sistemin për shkallën e ndotjes së ajrit nga emetimi i gazrave ndotëse dhe pluhurit.

Në një procesverbal të javës së kaluar, inspektorët e mjedisit kishin konstatuar se fabrika në fjalë kishte dështuar të instalojë këtë sistem të obliguar nga ligji kosovar.

Po ashtu, ata kanë kërkuar nga udhëheqësja e fabrikës që të fillojë përgatitjen e dokumentacionit për aplikim për leje ujore për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave teknologjike gjatë procesit të prodhimit.

Në fund të procesverbalit, inspektorët kishin reaguar për ‘pengesa banale dhe të pakulturuara nga personeli i sigurimit’.

“‘Sharrcem’-Shpk është përgjegjës për situatën e pakontrolluar mjedisore, të krijuar nga mosveprimi në monitorimin kontinual të përcjelljes së shkallës së ndotjes, gjë që mund të jetë me pasoja të pa parashikuara për popullatën dhe mjedisin në lokacionin për rreth objektit dhe më gjerë”, thuhet në një kumtesë për shtyp të ministrisë.

MMPH thekson se fabrika është përgjegjëse për situatën mjedisore, por në këtë rast, ministria nuk është në gjendje të tregojë se cila është shkalla e ndotjes.

“Nuk mund të themi sa po e ndotë ajrin fabrika Sharrcem, sepse nuk kemi të instaluar sistemin tonë të monitorimit. Kemi krijuar bazamentin dhe në fund të muajit të ardhshëm do të bëhet instalimi i pajisjeve tona monitoruese”, Sylë Tahirsylaj, drejtor i insitutitit të hidrometeorologjisë, i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Sipas ligjit për mbrojtjen e ajrit, operatorët e burimit të ndotjes mund të dënohen prej 1,000 deri në 10,000 euro.

Fabrika e çimentos Sharrcem është privatizuar në dhjetor 2010 dhe i është shitur kompanisë Titan Cement Group, me seli në Greqi për 30 milionë euro.

Të kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë të martën, zyrtarët e fabrikës nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me padinë. 

Autoritetet lokale të Kaçanikut dhe ekspertët ekonomikë kishin reaguar për këtë shitje duke thënë se çmimi nuk ka qenë real.

Shqetësimet nga ambientalistët kosovarë kanë qenë të vazhdueshme për fabrikat industriale të cilat privatizohen dhe më pas nuk përfillin ligjin për mbrojtje të mjedisit. 

Më 8 shtator, ministria e mjedisit kishte paditur eksportuesin më të madh në Kosovë, Ferronikelin, prodhues i niklit për të njëjtën gjë – mos posedim të sistemit të brendshëm të monitorimit të ndotjes.

Në rastin e Feronikelit, ministria kishte raportuar se kjo fabrikë ndot ajrin në Drenas dhe rrethinë për nëntë herë më shumë se që është e lejuar.