Deklarimi i presidentes Vjosa Osmani për Samitin e Tretë për Demokraci, Foto: Presidenca

Osmani: Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar nga zemra të gjithë ata “që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën për të drejta të njeriut”.

Sot Kosova, sipas saj, shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian.

“Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e  përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike!”, ka uruar e para e shtetit, duke paralajmëruar se Kosova tashmë është edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës.

Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raporton gazetarja e KALLXO.com që ndodhet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.Votimi i sotëm i hap rrugën votimit përfundimtar nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.