Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Lajçak pas takimit për dinarin serb: Përfunduam duke paraqitur një dokument kompromisi

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit të kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq në Bruksel, ku u diskutua për çështjen e dinarit serb, tha se takimi përfundoi duke paraqitur një dokument kompromisi në një përpjekje për të kapërcyer dallimet.

Lajçak shtoi se do të presë takimin e radhës pas marrjes së komenteve konstruktive nga palët e përfshira.

“Mbajtëm një takim dialogu për një rrugë përpara për “çështjen e dinarit”, i cili u dha hapësirë të mjaftueshme palëve për të shpjeguar qëndrimet e tyre” – u shpreh i dërguari i BE-së.

Edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se lidhur me çështjen e dinarit do të diskutohet në takimin e radhës, që sipas tij, do të mbahet në fund të javës së dytë të muajit maj.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Bislimi ka thënë se takimi i sotëm për dallim nga takimet e tjera ka qenë shumë më konkret, dhe palët kanë diskutuar nen për nen rreth ideve që ka prezantuar Lajçak dy javë më herët.

“Ne kemi shpresuar që ky diskutim konkret do jetë i dobishëm meqë do të na ndihmojë që t’i afrojmë qëndrimet. Fatkeqësisht ne kemi dëgjuar disa deklarata bukur brengosëse nga ana e Serbisë, të cilat kanë bërë që faktikisht qëndrimet në vend që të afrohen të largohen” – tha Bislimi.

Ai gjithashtu shtoi se sot për herë të parë kanë parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si sipas tij ata e shohin procesin e krijimit të Asociacionit.

“Përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë” – tha zëvendëskryeministri.

Gjithashtu ai shtoi se sot vazhdoi loja e vjetër me tendenca që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garancione për licencimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka” në Kosovë.

“Duke parë se qëndrimet nuk po mund të afrohen, pas disa orëve bisedime, Lajçak duke respektuar linjat e kuqe të palëve, ka dalë me një propozim të ri, e i cili pak a shumë do të duhej të ishte propozimi i fundit që del nga Lajçak dhe në të cilin ne duhet të japim komentet tona gjatë ditëve në vijim” – shtoi Bislimi.

Kryenegociatori i Kosovës shtoi se propozimi i Lajçak është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve dhe se shkon në drejtimin e duhur.

Por, Bislimi tha se kjo kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme.

Zëvendëskryeministri në një konferencë për media në Bruksel është pyetur nëse çështja e Asociacionit është diskutuar në përgjithësi apo vetëm për çështjen që ka të bëjë me pagesat.

Ai tha se jo, por shtoi se një prej problemeve i cili është diskutuar në javët e kaluara është si të mundësohet financimi edhe më tej i shkollave dhe ambulancave të cilat operojnë në katër komunat në veri e në komunat tjera.

Tutje ai tha se sot pala serbe ka kërkuar që të financohen çfarëdo strukture paralele e Serbisë, por sipas Bislimit pala tjetër nuk tregoi se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.

“Ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet Asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të Asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin” – tha kryenegociatori i Kosovës.

Tutje Bislimi shtoi se propozimi i sotëm është më i detajuar sesa propozimi i javës së kaluar dhe sqaron më mirë disa prej pikave dhe vërejtjeve të cilat kanë pasur në idetë fillestare.

Ky është takimi i pestë në Bruksel me pjesëmarrjen e kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Për dallim nga takimet e mëparshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në takim trepalësh me ta.

Me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 01.02.2024. Hyrja në fuqi e kësaj Rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë Rregulloren në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhjeje sipas të cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.

Përfundon pa zgjidhje takimi për dinarin, takimi i radhës në javën e dytë të majit