Parlamenti Europian, Foto: Antigonë Isufi, 16.04.2024

Nis debati për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ka nisur debati për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës (KE).

Në fund pritet të hidhet në votim për miratim raporti i raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis, e cila në raportin e saj rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u anëtarësuar në KE.

Nga delegacioni i Kosovës në Asamble do të flasin tre deputetë.

I pari do të flasë deputeti Enis Kervan nga grupi multietnik në Kuvendin e Kosovës nga gjithsej 59 deputetë që do të flasin gjatë këtij sesioni.

Më pas, i shtatëmbëdhjeti me radhë, do të flasë deputeti Arben Gashi dhe në fund apo e 33-ta pritet të dëgjohet nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Nga delegacioni i Kosovës në Asamblenë Parlamentare ndodhen edhe deputeti Besnik Tahiri dhe deputetja Ariana Musliu-Shoshi.

Përveç tyre seancën plenare kanë ardhur ta përcjellin edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, së bashku me ambasadorin në Francë, Mehdi Halimi.

Gjatë ditës, Komiteti për Politikë në kuadër të Këshillit të Europës i ka hedhur poshtë amendamentet e propozuara nga Serbia, njëherësh nuk e ka kaluar as amendamentin e propozuar nga Italia, i cili rekomandonte përfshirjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Raporti i Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pa asnjë parakusht shtesë.

Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27.03.2024, kjo do i hapë rrugë votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.

Në hapin e parë, raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.

Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.

Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim lidhur me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.