Milojko Spajiq, Foto/Llogaria zyrtare ne Facebook

Kryeministri i Malit të Zi: Qëndrimin zyrtar për anëtarësimin e Kosovës në KiE do ta shihni më vonë

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq teksa po komentonte votën kundër propozimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës nga ana e delegacionit malazias në krye me Maja Vukiçeviq, bëri të ditur se qëndrimi shtetëror i Malit të Zi do të shihet kur të vjen puna në Komitetin e ministrave.

“Votimi i vërtetë do të jetë në Komitetin ministror dhe aty do të mund të shihni qëndrimin zyrtar të Malit të Zi”, tha Spajiq.

Më 27.03.2024, Maja Vukiçeviq, kryetare e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Media malaziase Pobjeda thekson se qëndrimi i Vukiçeviqit është në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të shtetit të Malit të Zi, i cili mbështet anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, si dhe është në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar të koalicionit për formimin e qeverisë së re, e cila parasheh respektimin e plotë të politikave të partnerëve perëndimorë.

Vukiçeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) pro-ruse në parlamentin malazias, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Pas rekomandimit të Komisionit Politik për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, më 18 prill, në seancën e Asamblesë Parlamentare do të votojnë 306 deputetë nga 46 shtete. Dhe, më pas, vendimi përfundimtar do të merret nga Komiteti i Ministrave, i përbërë prej 46 anëtarësh, në maj.

Në asamble, Mali i Zi ka tre deputetë, një prej të cilëve është Maja Vukiçeviq.