Makiaveli Serb mban peng Bosnjën

Pak kohë pas zgjedhjeve të Bosnjës në tetor të vitit 2010, kisha parashikuar se lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, do të bënte çfarë të mundte për të penguar formimin e qeverisë së re të shtetit sa më gjatë që është e mundur. Parashikimi im pesimist u dëshmua të jetë më se i vërtetë.

Lëvizja mjeshtërore e Dodik ishte konstatimi i ndarjeve të papajtueshme ndërmjet boshnjakëve [myslimanëve] dhe kroatëve që u shfaqen pas fitores së respektuar të SDP’së nga radhët e botuesve boshnjakë.

Partia Social Demokratike pretendon të jetë shumetnike, por në realitet është gati jashtëzakonisht boshnjake. Partia e tij vodhi garën elektorale nga Kroatët në sistemin elektoral të Bosnjës.

Në teori, kushtetuta e Bosnjës trajton kroatët si një nga tre popujt konstituivë të vendit, duke i dhënë atyre të drejtën në përfaqësim të barabartë deri në një të tretën e pozitave në institucionet publike të vendit.

Në realitet, kroatët mund të përfaqësojnë vetëm 10 për qind ose edhe më pak të banorëve aktualë të vendit. Prandaj, kuotat që në teori janë rezervuar për kroatët e interesuar praktikisht mund të shpronësohen nga boshnjakët.

Kjo ndodhë kur boshnjakët votojnë për politikanët kroatë të cilët janë të ndjeshëm ndaj qëndrimeve të boshnjakëve. Për shkak se ka shumë më shumë boshnjakë sesa kroatë, votat e boshnjakëve fitojnë ndaj atyre të kroatëve dhe zyrtarët që mbajnë vendet e rezervuara për kroatë në fund të fundit i përfaqësojnë qëndrimet e boshnjakëve dhe jo të kroatëve.

Presidenca trepalëshe e vendit është shembulli më i qartë i këtij përfundimi. Kushtetuta e Bosnjës parasheh tre presidentë: një boshnjak, një kroat dhe një serb. Meqë shteti është etnikisht i ndarë në dy entitete, Presidenti Serb do të zgjedhet nga Republika Sërpska dhe Presidenti boshnjak dhe kroat nga entiteti i Federatës.

Mirëpo 80 deri 85 për qind e popullatës së Federatës janë boshnjakë. Prandaj, nëse një parti politike boshnjake fut në garë një kandidat kroat të ndjeshëm ndaj qëllimeve boshnjake, votat boshnjake mund të zgjedhin dy anëtarë të Presidencës, votat serbe një dhe votat kroate asnjë.

Kjo gjë ndodhi me kroatin që shërbeu gjatë dy mandateve presidenciale, Zeljko Komsic. Pasi që kishte luftuar për armatën boshnjake në luftë dhe u shpërblye me Zambakun e Artë si mirënjohje për shërbimin e tij, është vështirë të parafytyrojmë një kroat më të ndjeshëm ndaj kauzës boshnjake.

Kandidatura e Komsic në zgjedhjet e 2006 dhe 2010 u mbështet nga SDP’ja dhe ai u zgjodh me vota të boshnjakëve, jo të kroatëve. Një gjë e tillë zemëroi kroatët të cilët, ndoshta me arsye, ndiheshin si të zhveshur nga e drejta e votës.

Në ndërkohë, SDP shfrytëzoi zgjedhjen e Komsic dhe mbështetjen e tij nga ana e boshnjakëve në zgjedhje si dëshmi para bashkësisë ndërkombëtare për përkushtimin e tyre drejt idealeve shumetnike. Prandaj, ata këmbëngulnin në të drejtën për ta marrë pozitën e Kryeministrit në qeverinë e koalicionit, e cila duhej të krijohet pas zgjedhjeve të tetorit.

Në këtë fazë, Dodik nxori xholin e tij të fortë. Duke u thirrur në nocionin e rotacionit ndëretnik të pozitave të larta qeveritare, Dodik kërkoi që Kryemistri të jetë kroat.

Kjo për shkak se ish Kryeministri (i cili vazhdoi të jetë në detyrë të përkohshme) është serb, ndërsa para kësaj, ky post i takonte një boshnjaku. Prandaj, arsyetoi Dodik, ishte radha e kroatëve. Megjithatë, ky parim i rotacionit është pa bazë.

Nuk janë aplikuar rregulla strikte në përcaktimin e kombësive të Kryeministrave të Bosnjës, ndërsa kjo çështje në secilin rast varej nga pazaret e negociatave për koalicion, jo në formulë të rreptë etnike.

Megjithatë, pozicionimi politik i Dodik prodhoi përfitim të menjëhershëm. Për të ishte e hapur mundësia të ngulë këmbë se, si partia më e madhe parlamentare në vend, Aleanca e Social Demokratëve e dominuar nga serbët, SNSD, përsëri duhet të emërojë Kryeministrin, siç kishte bërë edhe pas zgjedhjeve të vitit 2006.

Por, kjo do të shkaktonte që boshnjakët dhe kroatët të renditen kundër tij. Duke pranuar që posti i Kryeministrit t’i takojë një kroati, ai vetëm sa ushqeu tensionet boshnjako-kroate veç të ndezura me çështjen e Komsic.

Si partia me numrin e dytë më të madh të vendeve, SDP u pozicionua se kishte të drejtë të emëronte Kryeministrin e shtetit dhe do të emëronte një kroat tjetër që ishte në vijë me Komsic që ta merr përsipër atë rol. Në këtë pikë, Unioni Kroat Demokratik, HDZ, dhe partia e tij simotër, HDZ-1990, për të cilët kishin votuar shumica e kroatëve të Bosnjës, kundërshtoi.

Duke e parë veten si përfaqësues të opinionit të përgjithshëm të kroatëve të Bosnjës, ata interpretuan kërkesat e Dodik si shugurim i kandidatit të tyre për postin e Kryeministrit. Prandaj, boshnjakët dhe kroatët u ndanë menjëherë dhe vazhdojnë të jenë të ndarë.

Për aq gjatë që Dodik do t’i mban dy popujt joserbë të Bosnjës të ndarë, ai mund ta udhëheqë tërë shtetin. Njeriu i Dodik, Nikola Spiric, anëtar i SNSD, vazhdon të jetë Kryeministër i Shtetit.

Nën vëzhgimin e Spiric, institucionet e shtetit kanë pasur arsyetime të shumta për të mos bërë asgjë: në pritje të krijimit të qeverisë së re, ata përfaqësojnë rezultatet e zgjedhjeve të 2006 dhe nuk kanë legjitimitet demokratik.

Pikërisht këtë e dëshiron Dodik, si synim të tij për të forcuar Republika Srpskan, entitetin federal serb të Bosnjës, president i së cilit është ai vetë, në dëm të qeverisë qendrore shumetnike.

Duke e mbajtur shtetin e dobët, ai demonstron para botës se demokracia shumetnike në Bosnje – e cila për serbët do të thotë demokraci të dominuar nga boshnjakët – nuk mund të funksionojë. Në këtë mënyrë ai gradualisht po sforcon idenë e tij për shuarje të shtetit qendror dhe zëvendësimin e tij me një model tërësisht tjetër kushtetues.

Në këtë kontekst duhet t’i kuptojmë dështimet e negociatave të pafundme ndërmjet partive më të mëdha politike të Bosnjës për formimin e një qeverie të re. Diskutimet e fundit janë mbajtur në Mostar dhe në fund të muajit do të mbahet një raund tjetër i negociatave në Brcko.

Agjenda e Dodik është të sigurojë se për sa më gjatë që është e mundur nuk do të formohet qeveria, duke pretenduar se mban distancë olimpike nga kjo çështje. Retorika e Dodik është e tillë se ky është kontest ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve në të cilin ai nuk ka fare rol. Dodik e kupton se SDP është partia më e rrezikshme boshnjake për agjendën e tij.

Në pretekstin se shumetnia mbetet synim real politik i Bosnjës moderne, SDP mund të përjetësojë iluzionin e bashkësisë ndërkombëtare se ky vend ka të ardhme të realizueshme shumetnike. Vizioni joreal i përqafuar nga diplomatë të huaj është pengesa kryesore, ndoshta e vetme, për lirinë e veprimit politik të Dodik.

Ai më parë do të merrej SDA, Partinë Boshnjake për Veprim Demokratik. Gjersa praktikisht SDA është më e papërkulur në ideologji, në realitet ajo është më pragmatike. Ajo megjithatë, në mënyrë të pashprehur, pranon ndarjen territoriale etnike që përfundoi luftën e Bosnjës.

“Marrëveshja e Prudit” tanimë e harruar e vitit 2008 ndërmjet Dodik dhe liderit të SDA, Sulejman Tihic, parashihte një riorganizim kushtetues, duke dorëzuar pushtetin qendror tek regjionet në të cilat dominon njëri grup etnik.

Kjo ishte anatemë për agjendën e SDP-së që parashihte një qeveri qendrore të udhëhequr nga Boshnjakët dhe për synimet që komuniteti ndërkombëtar i kishte përcaktuar vendit. Rrjedhimisht, guvernatori kolonial i Bosnjës, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, e anuloi atë.

Tani që SDP ka kontroll mbi SDA sa i përket politikës boshnjake, strategjia e Dodikut ka ndryshuar.

Në vend se të negociojë drejt një marrëveshjeje të pamundshme me një kundërshtar ideologjia e të cilit është diametralisht e kundërt me atë të tij, ai mëton të demonstrojë se synimi i SDP-së është i pashpresë. Kjo arrihet duke i përkrahur kroatët e Bosnjës në përpjekjet e tyre për ta ruajtur përfaqësimin fillestar të interesave politikë të tyre (që ngjashëm me ato të serbëve janë kryesisht centrifugal) në qeverinë qendrore.

Për këtë arsye, ai në të njëjtën kohë ia mohon SDP-së kurorën e Kryeministrit dhe mban deri në pafundësi të bllokuar institucionet politike të shtetit të Bosnjës. Një produkt dytësor i kësaj politike është që bëhet që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë, Valentin Inzko, të duket i paaftë.

Inzko kishte shpresuar që të largohet nga Bosnja në fund të muajit gusht, duke i lënë në mënyrë të heshtur autorizimet e veta prej guvernatori dhe duke e lënë pjesën e mbetur të misionit të tij, asistencën në procesin aktual të pranimit në BE, në duart e ambasadorit të ri të BE-së Peter Sorensen.

Por, duke qenë se formimi i qeverisë nuk mund të pritet në të ardhmen e afërt, largimi i parakohshëm i Inzkos do të jepte përshtypjen e një fitoreje politike për Dodikun kundrejt zotimeve politike. Kësisoj, Inzko mbetet pa vullnetin e tij i ngujuar në një burg politik, i frustruar me logjikën e paskrupullt të politikës boshnjake, në pritje të pensionimit të tij në Vjenë.

Si mund të ndalet Dodiku? A do duhej të ndalet ai? Pjesa më e madhe e botës akademike jashtë Ballkanit tani janë të mendimit se eksperimenti me shtetin e Bosnjës ka qenë i gabueshëm që nga fillimi. Marrëveshja paqësore e Dejtonit, e vitit 1995, e imponuar falë forcës diplomatike dhe ushtarake Amerikane, u arrit tepër vonë – pasi që ishin bërë ndasitë etnike.

Kushtetuta e hartuar nga juristë amerikanë ishte tejet defektive dhe nuk arriti t’i balancojë interesat e grupeve të ndryshme.

Tundimi që t’i iket shtypjes nga ndonjëra anë duke i dhënë Përfaqësuesit të Lartë autorizime diktatoriale ishte i marrë dhe i paqëndrueshëm.

Dëshira e atyre që janë larg politikës së Bosnjës që përmes përkrahjes financiare dhe sanksioneve të orientuara kundër partive të caktuara politike ta udhëzojnë politikën e vendit – nuk ka funksionuar.

Në vitin 1998 Dodiku ishte person i dashur për komunitetin ndërkombëtar, pa përkrahjen e së cilit ai kurrë nuk do të mund të fitonte pushtetin. Duket se është harruar se ishte diplomati amerikan Richard Holbrooke ai që e ushqeu këtë monstrum që tani po kërcënon krijesën e tij nga Dejtoni.

Tani po e vërejmë se është i pashmangshëm fundi i lojërave të ndryshme të komunitetit ndërkombëtar të cilët kanë pasur shumë përvoja të keqmenaxhimit shokues. Nuk ka shpresë se do të kenë sukses intervenime tjera në rastet kur përpjekjet e ngjashme në të kaluarën kanë qenë aq të gabueshme.

Ndërsa politika e Dodikut mund të rezultojë me dezintegrimin eventual të vendit, nuk është e qartë nëse komuniteti ndërkombëtar ka ndonjë strategji në dispozicion për ta parandaluar atë.

Dodiku duhet të jetë tejet i vetëkënaqur me faktin se po e mban shtetin e tij të padashur në gjunj, në të cilin ai është de facto kryeministër. Në mes të krizës globale financiare, asnjë lider më nuk ka interes tepër të theksuar në gjendjen në Bosnjë.

Ky vend mbetet fushë e lojës për liderin serb, dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë përderisa politika boshnjake të jetë kaq e ndarë dhe përderisa komuniteti ndërkombëtar të jetë kaq i painteresuar. Ishte pikërisht komuniteti ndërkombëtar ai që e krijoi strukturën kushtetuese që i mundëson Dodikut manovra të tilla.

Në vend se t’i dënojnë sjelljet e tilla, ata mbase do duhej ta dënojnë veten e tyre sepse e kanë dërguar këtë vend tragjik drejt një vorbulli politik dhe më pastaj fare të shkujdesur ia kanë kthyer atij shpinën.

Matthew Parish është jurist me ekspertizë në të drejtën ndërkombëtare nga Gjeneva. Ai në të kaluarën ka qenë Këshilltar Kryesor Ligjor i Mbikëqyrësit Ndërkombëtar dhe shpesh përpilon shkrime dhe komente për çështje të ndryshme në Ballkan. Ai i ka shkruar tre libra: A Free City in the Balkans: Reconstructing a Divided Society in Bosnia (I.B.Tauris 2009); Mirages of International Justice: The Elusive Pursuit of a Transnational Legal Order (Edward Elgar 2011); dhe Ethnic Civil War and the Promise of Law (Edward Elgar 2012, në pritje). www.matthewparish.com