Suspendohet Prokurorja Zejnije Kela

Prokurorja Zejnije Kela ka bërë disa shkelje në disa seanca duke filluar nga rasti i dhunës në familje ku është gjetur se ka qenë e pa interesuar rreth rrethanave të këtij rasti. 

Seancat janë përcjellë me parregullsi të ndryshme dhe disa prej tyre përfshijnë dyshimet për shkelje nga ana e prokurores Kela e cila ka qenë e përfshirë në këtë rast në cilësinë e prokurores.

Prokurorja e cila kishte propozuar masën e paraburgimit në këtë lëndë, kishte bërë disa shkelje të natyrës profesionale dhe etike, në po të njëjtën çështje. Këto shkelje janë monitoruar nga BIRN-i gjatë seancave gjyqësore.

Në muajin qershor, emisioni televiziv Drejtësia në Kosovë, DnK ka trajtuar dhunën në familje dhe dështimin e institucioneve të Kosovës që të merren me të. Emisioni ka trajtuar rastin e një gruaje të keqtrajtuar, rrahur dhe kërcënuar nga ish-bashkëshorti i saj. 

Shkeljet kishin të bënin me sjelljen jo profesionale të prokurores me të dyshuarin, të cilit i kishte kërkuar numrin e telefonit në korridorin e gjykatës, në mos-dijeninë dhe mosinteresimin e prokurores për raportin e të dyshuarit dhe të dëmtuarës dhe veprat tjera penale të të dyshuarit.

Rrjedhimisht, me t’i identifikuar këto shkelje gjatë monitorimit të rastit, BIRN-i kishte parashtruar ankesë në qershor 2011 në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, ZPD ndaj Prokurores Kela. I njëjti organ, kishte marr masa duke kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, suspendimin e prokurores.

Në vendimin e këtij Komisioni theksohet se prokurorja në fjalë suspendohet për shkak se ka dëmtuar rëndë besimin e publikut në dinjitetin, integritetin, pavarësinë dhe paanshmërinë e prokurorit publik dhe gjithë sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.