Deputeti Rrustemi insiston se në Qeverinë Kurti “s'ka korrupsion e as ministra të korruptuar”

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi është deklaruar në lidhje me kërkesën e opozitës për themelimin e një Komisioni hetimor për tenderët njëburimorë nëpër ministri dhe ndërmarrje publike qendrore.

Rrustemi deklaroi se në këto kontrata nuk ka asgjë të dyshimtë që duhet hetuar, por opozita përmes komisioneve hetimore “po mundohet të hedhë baltë mbi çdo gjë dhe mbi gjithkë”.

“Opozita në mungesë të kauzave dhe në përballje me humbje të besimit të qytetarët po mundohet që me Komisione të tilla hetimore të hedhë baltë mbi çdo gjë dhe mbi gjithkë. Po mundohet ta kthejë Kuvendin në organ të akuzës dhe baltosjes, por ne pa dyshim nuk mund ta lejojmë këtë çoroditje, sepse Kuvendi me Kushtetutë e ushtron pushtetin legjislativ dhe kompetencat e tij janë të qarta”- tha Rrustemi.

Ai foli me bindje se në Qeverinë Kurti “nuk ka ministra të korruptuar dhe nuk ka korrupsion”.

“Sigurisht që Kuvendi mund të themelojë edhe komisione për të hetuar një çështje të veçantë, por nuk mund të keqpërdorët deri në atë masë që ta kthejë Kuvendin në OSHP, KRPP, apo Prokurori e Gjykatë. E kuptoj që shumë nga ju, deputetë të opozitës edhe mund të jeni ekspertë të tenderëve, ndoshta edhe të kontratave njëburimore, por duhet të bindeni për një gjë- ka ikur koha juaj. Në qeverisjen Kurti nuk ka praktika si në kohërat e juaja. Në Qeverinë Kurti nuk ka ministra të korruptuar dhe nuk ka korrupsion, prandaj mos u përpiqeni ta shihni vetën në situata të tilla që çfarë mund të bënit po ta kishit këtë mundësi”- ka deklaruar Rrustemi.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur më 28.03.2024 në seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës: Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.