Zgjidhen Drejtorët e Klinikave në QKUK

Komisioni për përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave të QKUK-së ka publikuar, mbrëmë, rezultatet e konkursit publik për drejtorë të Klinikave dhe Instituteve të QKUK-së.

Zyra për informim e QKUK-së njofton se komisioni, pas testimit me shkrim dhe gojë të kandidatëve, sipas cilësive të vlerësuara dhe kritereve të përzgjedhjes, ka vendosur që për drejtorë të klinikave të përzgjidhen:

Prof. Asocc.Dr. Dalip Limani – Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë;
Prof. Dr.Arsim Morina – Drejtor i Klinikës së Neurokirurgjisë;
Prof. Assoc.Dr. Hasan Ahmeti – Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve;
Prof. Ass. Faton Morina – Drejtor i Klinikës së Ortopedisë, Traumatologjisë Lokomotore, Shërbimit Ortopedik;
Prof. Assoc. Dr. Lutfi Dervishi – Drejtor i Klinikës së Urologjisë;
Mr. Sci. Dr. Skender Telaku – Drejtor i Klinikës Interne;
Prof.assoc. Dr. Myrvete Paçarada – Drejtore e Klinikës së Gjinekologjisë me Obstetrikë;
Prof. Dr. Adem Limani – Drejtor i Klinikës së Otorinolaringologjisë;
Prof. Assoc. Dr. Kelmend Spahiu – Drejtor i Klinikë së Oftalmologjisë;
Prof. Dr. Osman Sejfia – Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale;
Prof. Ass. Dr. Shemsedin Dreshaj – Drejtor i Klinikës së Sëmundjeve Ngjitëse;
Mr.Sci.Dr. Valdete Sereqi – Alidema – Drejtore e Klinikës së Psikiatrisë;
Ass.dr. Sci. Valbona Govori-Berisha – Drejtore e Klinikës së Neurologjisë;
Mr.Sci.Dr. Muharrem Avdiu- Drejtor i Klinikës së Pediatrisë;
Prof. Dr. Mujë Shala – Drejtor i Klinikës së Neonatologjisë;
Prof. Ass. Dr. Nehat Baftiu – Drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Reanimacionit;
Ass. Dr. Sci. Gazmend Zhuri – Drejtor i Klinikës së Sëmundjeve të Krahërorit;
Prof. Ass. Sebahate Zeqiri – Drejtor i Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit;
Mr. Sci.Dr. Bislim Bislimi – Drejtor i Klinikës së Biokimisë;
Mr. Sci.dr. Bujar Gjikolli – Drejtor i Klinikës së Radiologjisë;
Mr. Sci. Dr. Basri Lenjani – Drejtor i Klinikës së Emergjencës;
Prof. Dr. Suzana Manxhuka – Drejtore e Instituteve Paraklinike.

Komisioni ka vendosur që për shkak të mos përmbushjes së kritereve të parapara, konkursi të përsëritet për Klinikën e Dermatovenerologjisë dhe Klinikën e Onkologjisë.

Kryetari i komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave të QKUK-së ka qenë Shkëlzen Rexhaj, i cili për Gazetën JnK e ka pranuar se ka lidhje familjare me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë i arrestuar, Ilir Tolaj, i cili edhe e kishte caktuar në panelin intervistues.

Në listën shpërndarë mediave nga QKUK-ja konfirmohet se drejtor i Klinikës së Urologjisë është zgjedhur Lutfi Dervishi, megjithëse ai po gjykohet për akuza të rënda në rastin “Medicus”.

Ndërkohë, komisioni për shqyrtimin e statutit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka reaguar të hënën lidhur me shkeljet ligjore që janë bërë gjatë procedimit të konkursit për drejtorë të klinikave të kësaj qendre.

Komisioni që udhëhiqet nga Xhavit Bicaj, në një shkresë që i ka dërguar ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani; atij të Arsimit, Ramë Buja; si dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (KPMK), ka vlerësuar se konkursi është në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Në bazë të informatave që posedojmë, stafi menaxhues i QKUK-së, gjatë procedurës së intervistimit ka bërë lëshime statutare”, thuhet në shkresën e komisionit.

Aty tutje thuhet se intervistat janë mbajtur pa prezencën e përfaqësuesve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe nuk është kërkuar nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë të dërgojë përfaqësuesin legjitim.