Protestuesit u Rrahën në Praninë e Ombudspersonit

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me “dhunën e panevojshme, të pajustifikueshme dhe joproporcionale” gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, më 14 janar, në Merdar dhe te Dheu i Bardhë.

Nëpërmes një komunikate shpërndarë media, të martën, tri ditë pas protestave, Avokati i Popullit, konsideron se intervenimi i policisë, përzgjedhja e mjeteve dhe e metodave si dhe përdorimi i dhunës gjatë protestës në Podujevë dhe te Dheu i Bardhë, si i panevojshëm, i pajustifikueshëm dhe joproporcional.

“Përveç në vendin e protestës, dhuna e pjesëtarëve të njësisë speciale është përdorur edhe gjatë transportimit të të arrestuarve, madje edhe në stacionin policor në Podujevë, në praninë e përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, të cilët në një moment janë kërcënuar dhe penguar në kryerjen e punëve të tyre nga ana e pjesëtarëve të njësisë speciale”.

Përgjithësisht, në fillim arrestimet janë bërë në mënyrë përzgjedhëse, me fokus të veçantë tek organizatorët, sidomos deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të pranishëm në protestë, ndaj të cilëve është përdorur dhunë, e përcjellë me veprime degraduese dhe poshtëruese. Po ashtu gjatë ndërhyrjes së policisë dhunë është përdorur edhe ndaj një përfaqësuesi të mediave në krye të detyrës, thekson Zyra e Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi.

“Në Podujevë janë bërë edhe arrestime arbitrare në lokale të ndryshme afariste si dhe në oborret e shtëpive, duke arrestuar edhe persona në vendet e tyre të punës, si dhe kalimtarë të rastit, që nuk ishin pjesë e protestës. Arrestimet janë përcjellë me dhunë të pakontrolluar dhe me fyerje e poshtërime, në baza personale edhe në baza gjinore”.

Shumica e të arrestuarve, në stacionet policore në Podujevë dhe në Gjilan, thuhet se janë vizituar nga përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit. “Është vërejtur se ishte mjaft vështirë të bëhet identifikimi i zyrtarëve policorë, nga ana e të arrestuarve, por edhe e vëzhguesve. Po ashtu vërehej se pjesëtarët e njësisë speciale nuk i posedonin numrat e tyre identifikues”.

Avokati i Popullit shpreh keqardhje për të gjithë të lënduarit me rastin e protestës së 14 janarit dhe kërkon një hetim të detajuar gjyqësor të sjelljeve të pjesëtarëve të policisë, si dhe kërkon identifikimin e të gjithë personave që kanë përdorur dhunë gjatë protestës.

Avokati i Popullit kërkon nga të gjitha palët respektimin e zbatimin e ligjeve në fuqi, kurse nga autoritetet publike garantimin e të drejtës së lëvizjes së lirë, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve si dhe mbrojtjen e pronës, pa tejkaluar kompetencat e përcaktuara me ligj dhe kushtetutë.