Gjithmonë Kthehemi në Qymyr

Nuk ka kaluar shumë kohë prej kur unë dhe të gjithë ju kemi pritur deri në nga tetë orë në terr, për të pasur dy orë furnizim të pandërprerë me energji elektrike. Reduktimet  e rrymës ishin aq të ashpra, sa që u bë e pamundur të mbijetohej një ditë, e lëre më të punohej apo të planifikohej ndonjë investim biznesi.

Si shtet i ri, as nuk mund të prodhonim energji të mjaftueshme, as s’na e mbante xhepi të blinim nga jashtë. E si pasojë e një rrjeti të vjetruar, nuk ishim në gjendje të shpërndanim si duhet edhe atë pak energji që e kishim.

Gjendja në të cilën kishim arritur ishte aq e mjerë, sa që çdo njëri prej nesh do të ishte i gatshëm të jepte gjithçka veç sa për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike. Dhe këtë gjendje dëshpërimi, të gdhendur thellë në kujtesën tonë, po e shfrytëzon për merak sot Qeveria e Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë, në përpjekje për të nxituar në privatizimin e sektorit të energjisë dhe ndërrimin e një termocentrali të ri të bazuar në djegie qymyri.

Zyrtarë të qeverisë thonë se ky veprim do të sigurojë energji të mjaftueshme për Kosovën, duke e ndihmuar shtetin e ri që të gjallërojë ekonominë thuajse të paqenë. Të njëjtit zyrtarët pohojnë se termocentrali i ri do të luftojë shifrat negative të Kosovës, respektivisht 45 përqindëshin e papunësisë dhe 15 përqindëshin e varfërisë së skajshme. Kësisoj, në vitin 2009, qeveria dërgoi në Kuvend Strategjinë e Energjisë të Kosovës, politikë kjo e cila do të ishte më mirë të quhej “Strategjia e Qymyrit”, meqë në të vetëm shkarazi përmenden burimet tjera të energjisë.

Megjithatë, ky dëshpërim nuk pengoi shoqërinë civile që të monitorojë planet e qeverisë në sektorin e energjisë. Rezultatet fillestare tregojnë se strategjia kombëtare e energjisë, e sidomos mënyra se si ajo po zbatohet, do të lë të papunë me qindra kosovarë, ndërsa qindra të tjerë do të zhvendosen nga shtëpitë e tyre. I njëjti projekt, po që se zbatohet, do të dëmtojë burimet edhe ashtu të kufizuara të ujit në vend,  do të lirojë më shumë dioksid karboni në ajër dhe do të rrisë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët, çmim ky i cili edhe ashtu është i papërballueshëm.

Ideja e një termocentrali të ri në Kosovë është po aq e vjetër sa vet nevoja për energji. Ky termocentral do të bënte të mundur mbylljen e termocentralit “Kosova A”, i ndërtuar në fillim të viteve ’60, i cili mbetet ndotësi më i madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Dhe nuk ka asnjë qytetar në Kosovë që do ta kundërshtonte mbylljen e këtij dinosauri. Por ideja që të ndërtohet një termocentral i ri veç sa për t’u mbyllur i vjetri, është sa ironike, po aq edhe e gabuar.

Aktualisht në Kosovë pika kulminante e konsumit të energjisë elektrike është 1200MWh (megavat për orë). Sipas dokumenteve të qeverisë, gjysma e kësaj energjie humbet. Humbjet mund të jenë komerciale – që do të thotë se njerëzit vjedhin rrymën, ose humbje teknike – që do të thotë se energjia humbet nga rrjeti tejet i dobët i distribuimit. Përqindja e toleruar për këso humbje, sipas kritereve të BE-së, duhet të jetë 7 deri në 8 përqind. Nëse Kosova do të reduktonte humbjet deri brenda këtyre kufijve, ne thjesht do të mund ta mbyllnim “Kosovën A” qysh sot, pa pasur nevojë për të ndërtuar një termocentral të ri.

Pos kësaj, ky kulm prej 1200MWh shpenzohet kryesisht gjatë dimrit, meqë kjo energji përdoret për të ngrohur qindra mijëra shtëpi kosovare të cilat nuk kanë izolim të duhur. Investimi në burime alternative të ngrohjes, si dhe investimi drejt një programi kombëtar për renovim të shtëpive, i cili edhe ashtu na duhet, jo vetëm që do të ulte më tej shpenzimet e energjisë, por edhe do të krijonte mijëra vende të reja pune, aq të nevojshme për Kosovën.

Por natyrisht, një ekonomi në rritje nënkupton edhe rritje të nevojës për energji. Kësisoj, unë dhe kolegët e mi nuk jemi në mënyrë kategorike kundër idesë për ndërtim të një termocentrali të ri. Por, duhet ditur se autoritetet relevante në Kosovë kanë bërë shumë pak, ose më mirë të themi fare hiç, për të hulumtuar kapacitetet për energji të ripërtritshme. Disa studime të pjesshme tregojnë se Kosova ka potencial solid nga erërat. Fakti që i kemi 300 ditë me diell gjatë vitit, të shtynë të mendosh për shfrytëzimin e energjisë solare, e cila nuk është hulumtuar kurrë. Njëjtë siç nuk është hulumtuar potenciali gjeotermik.

Eh po, pse të na interesojë energjia e ripërtritshme? Kosova është shtet i vogël dhe nuk kontribuon aq shumë në ngrohjen globale. Rezervën e tretë më të madhe të qymyrit në botë e kemi pak metra nën dhe. Atëherë pse të mos e djegim? Nuk do të duhej të kishte rëndësi pse qymyri jonë është i shtrirë horizontalisht dhe sipërfaqësisht, që e bën nxjerrjen e tij të shkatërrojë një hise të madhe të tokës pjellore. Pse të na interesojë zhvendosja e njerëzve, kur njerëzit në Kosovë me mezi presin që pronat e tyre të shpronësohen nga qeveria? As për ujin nuk duhet të kemi brenga. Kjo është logjika që mbizotëron tek qeveria e Kosovës. Si e tillë, është gabim.

Por, nuk është vetëm qeveria ajo që po kushtëzon këso mënyre të të menduarit. Të paktën në këtë projekt ata kanë një mbështetje të fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë si Banka Botërore, institucion ky i përfshirë në projekt që nga fillimi. Miliona dollarë që vijnë nga tatimpaguesit e shteteve të botës janë harxhuar në mbështetje teknike për këtë projekt nëpërmjet Bankës Botërore.

Do të ishte shumë më e dobishme që këto të holla të dedikoheshin për hulumtimin e burimeve alternative të energjisë e jo të shkonin në paga për ekspertë të ndryshëm, këshilltarë e zyrtarë, të cilët nuk është se bënë gjë të re, pos që zvarritën zbatimin e një ideje të vjetër, idesë për një termocentral të ri qymyri.

Për shumë vite me radhë, çdo transaksion, studim dhe punë tjetër që është bërë në suaza të këtij projekti energjetik vital për vendin, është bërë në mënyrë tejet jo-transparente. Mediat dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë endur prej zyrave të qeverisë në zyrat e Bankës Botërore, e anasjelltas, duke kërkuar informata, përderisa këto dy institucione e kanë fajësuar njëra-tjetrën për përgjegjësinë që kanë.

Pas shume viteve të mbështetjes teknike, detyra e Bankës Botërore tash mbetet ofrimi i garancisë për investitorët privatë, të cilët do të ndërtojnë termocentralin e ri me kapacitet prej 600 MWh dhe të cilëve qeveria ka vendosur t’ua dhurojë, pa kurrfarë kompensimi, termocentralin ekzistues “Kosova B” me kapacitet prodhimi prej 600MWh. Pra, kushdo që do të përzgjedhet të ndërtojë 600MWh, do të fitojë 600MWh falas, si në lojë shpërblyese.

Ky vendim i qeverisë pos që është ekonomikisht absurd do të krijojë monopol për investitorin privat, gjë që gjithsesi do të rezultojë në rritje të çmimit të faturës së energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.

Nëse këtij monopoli ia shtojmë edhe faktin që sipas këtij projekti janë qytetarët e Kosovës ata që do të paguajnë koston e ndërtimit të termocentralit, e po ashtu edhe të gjitha kostot shtesë sa i përket lirimit të dioksidit të karbonit, rezultati është fare i thjeshtë. Ne do të paguajmë shumë më shumë para për energji të njëjtë, e cila energji do të prodhohet duke ndotur mjedisin ku ne jetojmë.

Termocentrali i ri do të punësojë rreth 200-300 njerëz, gjersa mijëra punëtorë që aktualisht punojnë në termocentralet e vjetra do të mbeten të papunë. Mjedisi, përfshirë edhe tokën, ujin dhe ajrin, do të vazhdojnë të shkatërrohen.

E nëse gjithë këto nuk mjaftojnë si arsye për të mos e zbatuar këtë projekt qymyri, atëherë e ardhmja jonë evropiane duhet të jetë arsye e mjaftueshme. Si shtet i ri me aspiratë për t’iu bashkuar familjes evropiane, Kosova nuk guxon të lejojë një investim në një termocentral i cili për 40 vitet e ardhshme sa do të ketë jetë, do të jetë në kundërshtim me standardet e BE-së.

Nëse zbatohet kësisoj, ky projekt do të bie ndesh me Kriteret Evropiane (Acquis) për Mjedis dhe për Konkurrencë. Kjo madje ende pa i përmendur objektivat e BE-së që deri në vitin 2020 të reduktohet lirimi i dioksidit të karbonit deri në 20 përqind, të kursehet energjia për 20 përqind dhe që 20 përqind të energjisë që konsumohet të vije nga burime të ripërtëritshme.

Përfundimisht, nëse Kosova ka nevojë për më shumë energji dhe domosdoshmërisht duhet të ndërtojmë termocentral qymyri, atëherë le të jetë ashtu. Por, shoqëria kosovare në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojë këtë ndërtim pa i zvogëluar humbjet aktuale të energjisë, pa rritur efiçiencën dhe sidomos pa e shqyrtuar të gjithë potencialin energjetik që e kemi.

Krenar Gashi është drejtor ekzekutiv i institutit KIPRED.