Mjegulla që Fsheh Monopolin në Media

Kur punëtorët në shumicën e industrive nuk paguhej për disa muaj, ata shpresojnë se mediat do ta bëjnë publike brengën e tyre. Mbase analogjikisht, i tërë opinioni publik do duhej të reagojë kurdo që punëtorëve mediatik mos t’u jepen pagat.

Por, punonjësit e stacionit televiziv serb në krizë Avala TV ka kohë që janë në protestë dhe sigurisht janë duke e pyetur veten përse vallë askush nuk po ju del në ndihmë.

Ata ka njëzet ditë që kanë hyrë në grevë, për shkak se nuk kanë marrë pagat për më shumë se pesë muaj. Edhe pse ata janë ankuar që nga muaji tetor, ata nuk kanë pasur shumë sukses në tërheqjen e vëmendjes së politikanëve, ndërsa që edhe shtypi deri vonë nuk u ka dhënë hapësirë mediale.

Avala është një nga 11 emetuesit të cilëve nga shteti u është dhënë licenca për emetim në tërë vendin. Ky stacion privat, me 132 punëtorët e tij, është hapur në vitin 2006 me premtimin se do të ofrojë programe të cilësisë së lartë dhe lajme azhure mbi rrjedhat afariste.

Aktualisht, kohën po e kalon duke emetuar repriza të emisioneve dhe filmave të importuar. Të gjitha programet e drejtpërdrejta dhe origjinale janë hequr nga skema programore. Një dritare e vogël në ekran tregon numrin e ditëve që nga fillimi i grevës.

Struktura e pronësisë së Avala

– Greenberg Invest – 48.41 për qind
– Danko Gjuniq – 45.65 për qind

– Zhelko Mitroviq – 4.95 për qind

– Instituti Ekonomik – 0.99 për qind

“Ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona, por i kemi humbur pothuajse të gjitha shpresat se do të na paguajnë ndonjëherë,” tha për Gazetën Jeta në Kosovë një nga redaktorët e këtij rrjeti.

Punonjësit e Avala frikohen se ndërmarrja do të falimentojë. Ata frikohen se nuk do të mund t’i nxjerrin pagat e tyre nëse në kontestin që ata kanë me menaxhmentin nuk intervenon ndonjë palë e tretë.
Megjithatë, rregullatori i emetimit dhe qeveria ende nuk kanë reaguar ndaj kësaj krize.

Edhe pse rrjeti u ka borxh punonjësve pagat në fjalë, nuk ka dëshmi se ai është duke e shkelur ndonjë ligj.

Por, gjatë hulumtimit mbi pronarët e këtij rrjeti, Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar një dimension larg më brengosës të problemeve me të cilat po përballet Avala.

Hulumtimi i strukturës që qëndron prapa këtij rrjeti e sqaron përse punonjësit janë aq të nevrikosur me faktin që autoritetet po heshtin. I njëjti sqaron përse ata janë duke lobuar tani që qeveria të bëjë që pronësia mbi mediat të jetë më transparente.

Këtë vit Serbia do t’i mbajë zgjedhjet dhe do përpiqet që ta bind BE-në se është kandidat potencial për t’iu bashkuar këtij blloku. Gjendja e mediave në vend sigurisht se do të shqyrtohet me shumë kujdes. Kriza që e kaploi stacionin Avala dëshmon se ajo do duhej të përgatitet për kritikë në këtë fushë.

‘Çun shumë i hareshëm’

Kërkimi i pronarëve të Avala fillon në një ndërtesë të vjetër në Führichgasse, rrugë kjo në qendër të Vjenës.

Në këtë ndërtesë gjendet zyra e juristit, Johannes Werner Krauss. Ai është edhe pronari edhe punëtori i vetëm i Greenberg Invest, firmë kjo që është e regjistruar në të njëjtën adresë si edhe firma e tij e avokatisë.

Që nga maji i vitit 2010, kjo kompani mban 48.4 për qind të aksioneve në Avala. Vitin e kaluar, Këshilli Antikorrupsion në Beograd nxori një raport në të cilin pretendohej se Greenberg ishte në fakt paravan i Zhelko Mitroviqit, mogulit medial serb.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Mitroviqi i ka shkelur ligjet e Serbisë me të cilat mëtohet që të kufizohet krijimi i monopoleve në media. Ky mogul, të cilit i është vënë pseudonimi ‘Murdoku i Ballkanit’, veç ka nën pronësinë e tij një kanal tjetër me licencë mbarëkombëtare – TV Pink.

Ligji i miratuar në vitin 2002 thotë se pronari i një stacioni me licencë mbarëkombëtare nuk mund të blejë më shumë se pesë për qind të aksioneve në një rrjet tjetër të tillë. Që nga viti 2008, Mitroviqi edhe zyrtarisht mbanë aksione edhe në Avala, por nuk e ka shkelur ligjin sepse i ka blerë vetëm 4.95 për qind të tyre.

Megjithatë, Këshilli Antikorrupsion thotë se në të vërtetë ai mban shumë më shumë aksione. “Supozohet se Mitroviqi mban shumicën e aksioneve në TV Avala, përmes kompanisë austriake Greenberg Invest, pronarët e vërtetë të së cilës nuk mund të përcaktohen,” thuhet në raport.

Mbretëria Pink

Mitroviqi nisi veprimtarinë e tij afariste në vitet e 90-ta, në rrethana në të cilat mediat kontrolloheshin shumë për së afërmi nga qifti që udhëhiqte vendin – Sllobodan Millosheviqi dhe Mirjana Markoviqi.

Kanali televiziv i këtij moguli, TV Pink, filloi me një frymë të re të programeve populliste, duke lëshuar muzikë të zhanrit ‘turbo-folk’ dhe duke promovuar ide nacionaliste. Në programet e këtij stacioni luftëtarët dhe këngëtarët qëndronin sup-më-sup. Ky kanal kishte të drejtat ekskluzive të emetimit të ‘dasmës së shekullit’, martesës së kriminelit të luftës Zhelko Razhnatoviqit (Arkanit) dhe divës së turbo-folkut Cecës.

Pas tranzicionit të Serbisë në demokraci në vitin 2000, Pink veç mbante licencën e vet për emetim mbarëkombëtar dhe kishte krijuar avantazh ndaj rivalëve të vet, siç është B92.

Që atëherë, mbretëria Pink është shpërndarë edhe në vendet fqinje si në Bosnjë, Maqedoni, Slloveni dhe Mal të zi. Aktualisht ajo zotëron me 15 kanale satelitore si dhe një studio filmime pranë Simanovcit afër Beogradit. Megjithatë, fati i kësaj firme ka filluar të venitet kohëve të fundit. Pink Slovenia nuk arriti suksesin e pritur, ndërsa edhe disa firma të tjera në posedim të Mitroviqit por përballen me telashe financiare.

Përpjekjet e shumta për ta intervistuar Mitroviqin ishin të kota. Për dy muaj me radhë Gazetën Jeta në Kosovë e ka kontaktuar Kraussin, përmes emailit dhe telefonit, duke kërkuar nga ai një përgjigje ndaj pretendimeve se i përfaqëson interesat e Mitroviqit. Asnjë përgjigje nuk erdhi, edhe pse avokatia e tij na konfirmoi se e kanë pranuar kërkesën për intervistë.

Vlerësuam se vetmja mënyrë për të arritur deri tek Kraussi ishte që të trokasim në derën e tij. Pas një pritjeje të shkurtër në korridor, në derë u shfaqe një burrë me një kostum të bukur ngjyrë teget. Ai u prezantua si z. Krauss.

Nga sjelljet e tij u kuptua se ai nuk ndjente kurrfarë nevoje për të sqaruar asgjë lidhur me blerjen e aksioneve në Avala. “Unë jam kompani investive dhe nuk flas për investimet e mia,” tha ai. Krauss tha se ai nuk mund ta kujtojë saktë se si i bleu aksionet në këtë stacion televiziv apo se cili ishte çmimi i tyre.

Duke lëvizur drejt derës, në mënyrë që ta shkurtojë intervistën, ai shkurtimisht iu përgjigj edhe disa pyetjeve. Kur e pyetëm për interesin e tij në emetuesin serb, ai u buzëqesh dhe tha se “e do Ballkanin.”

Kur e pyetëm për lidhjet e tij me Mitroviqin, ai u përgjigj: “Të gjithë e njohin atë. Ai është një çun shumë i hareshëm.”

‘Nuk ka mekanizëm’ për hetim

Sipas ligjit austriak, Krauss ka të drejtë që të mos flasë lidhur me Greenberg. Ai është i regjistruar si i vetmi aksionar i kësaj firme investive, por edhe po të mos ishte i vetmi, ai nuk do të kishte kurrfarë obligimi që të zbulojë emrat e partnerëve të tjerë.

Në Serbi organi që ka autoritetin për të siguruar transparencë mbi pronësinë është rregullatori kombëtar i emetimit, RRA.

Neni 41 i Ligjit për emetime, të vitit 2002, thotë se RRA duhet të miratojë të gjitha ndryshimet në pronësinë e emetuesve në nivel kombëtar.

Mbase do të mund të pritej që kredencialet e Greenberg, në veçanti burimi i mjeteve të tij, të analizohen me kujdes në Beograd, para se që t’i lejohet që të blejë aksione në këtë emetues në nivel kombëtar.

Por, një zyrtar nga RRA na tha se blerësit potencialë të aksioneve në një stacion televiziv duhet të plotësojnë vetëm dy kushte. Të paraqesin një dokument me të cilin dëshmojnë se kompania e tyre është e regjistruar dhe të paraqiten personalisht pranë RRA-së.

Sipas zëvendëskryetarit të RRA Goran Karaxhiq, Kraussi i përmbushi të dy këto obligime. Kur e pyetëm nëse zyra e tij e ka analizuar historinë afariste të biznesit të Greenberg, Karaxhiqi u shpreh “Ne nuk kemi mekanizëm për ta bërë këtë.”

Nëse RRA do të kishte autoritetin për ta ekzaminuar gjendjen e Greenberg, atëherë ata mbase do ta kishin vërejtur se llogaritë e kësaj firme ishin në minus të thellë vetëm katër muaj para se ajo t’i blente aksionet në Avala.

Sipas raportit financiar vjetor të cilin e siguroi Gazeta Jeta në Kosovë, Greenberg më 31 dhjetor 2009 kishte në llogari vetëm 173.99 euro. Atë vit kompania e kishte mbyllur me humbje prej 14,869.16 euro dhe kishte akumuluar borxh në lartësi prej €177,786.58.

Deri në nëntor të vitit 2011, Greenberg nuk e kishte dorëzuar raportin financiar vjetor për vitin 2010. Firma do duhet ta paguajë një gjobë të vogël për këtë vonesë. Si biznes i vogël, nga kjo firmë kërkohet që të ofrojë një balanc të thjeshtë vjetor çdo vit.

Ndoshta ky dokument do të na tregonte nëse kjo firmë i ka paguar në tërësi aksionet në Avala, në transaksionin në të cilin i ka blerë aksionet nga një numër i aksionarëve të vegjël.

Megjithatë, ai sigurisht nuk do të mund të na sqaronte se si brenda vetëm disa muajsh në vitin 2010, Greenberg ishte në gjendje që t’i gjejë 493,000 për të blerë aksione në rrjetin aksionet e të cilit ishin vlerësuar në 1.17 milion euro. Kjo pyetje ka mundur të parashtrohet vetëm nga një organ rregullativ, por ligji i Serbisë nuk kërkon nga RRA një gjë të tillë.

RRA

Anëtarët e RRA, të cilët emërohen nga parlamenti, ka kohë që i nënshtrohen presioneve nga elita e fuqishme e biznesit-politikës.

Pak pas krijimit të rregullatorit në vitin 2003, tre ekspertë të pavarur – Snjezhana Millivojeviq, Vlladimir Vodinelliq dhe Mirolub Radojkoviq – u larguan në shenjë proteste.

Komentues të ndryshëm shpesh janë ankuar lidhur me vendimet e RRA-së, përfshirë këtu edhe vendimin e saj për t’i dhënë Avala licencë për emetim mbarëkombëtar.

Rrezik për demokracinë

Sipas Këshillit Antikorrupsion, Avala nuk është i vetmi emetues në nivel kombëtar pronësia mbi të cilin nuk është transparente. Raporti i nxjerrë nga ky organ shtatorin e kaluar thotë se është vështirë që të përcaktohen aksionarët e vërtetë që qëndrojnë prapa nëntë nga njëmbëdhjetë kanalet e radiove dhe televizioneve që operojnë në frekuenca kombëtare.

Përkundër pretendimeve të bëra nga organi që lufton korrupsionin, nuk ka kurrfarë dëshmie se Mitroviqi ka bërë ndonjë shkelje. Njëjtë nuk ka dëshmi se Kraussi apo RRA e kanë shkelur ligjin kur e kanë miratuar investimin e Greenberg në Avala. Krauss nuk shkelte ligjin as kur refuzoi të diskutojë për biznesin e vet me Gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe pse aksionet e Greenberg në Avala mund të jenë blerë në mënyrë ligjore, lehtësia e realizimit të kësaj blerjeje është shokuese. Rregullatori i mediave në Serbi i ka parashtruar Kraussit më pak pyetje se sa reporteri i cili shkurtimisht u konfrontua me të tek zyra e tij.

Sipas vëzhguesve të huajë, rregullat për blerjen e aksioneve në rrjetet kombëtare televizive janë tejet fleksibile, dhe si të tilla nuk mund të jenë vërtetë efektive. Përmes shfrytëzimit të një kompanie si paravan, moguli mediatik ka arritur që të anashkalojë të gjitha pengesat dhe të krijojë monopol pa e shkelur ligjin.

“Nuk ka asnjë ligj që lejon që pronësia mbi media që të mbetet e panjohur” thotë një jurist i specializuar në media që punon në një organ ndërkombëtar, e i cili është intervistuar në kushte anonimiteti, për shkak se nuk është i autorizuar që të flasë me mediat. “Megjithatë, zbrazëtirat juridike në ligjet aktuale mundësojnë kundërvënie ndaj frymës së reformës mediatike.”

Shfrytëzimi i zbrazëtirave të tilla paraqet kërcënim për demokracinë në Serbi.

Dragana Nikolliq Solomon, udhëheqëse e departamentit për media në Misionin e OSBE-së në Beograd, thotë se qytetarët duhet ta dinë se kush kontrollon mediat e tyre, në mënyrë që të mund të vlerësojnë kredibilitetin e informatave që u shërbehen.

Pronësia transparente është thelbësore edhe për “ruajtjen e pluralizmit të opinionit në shoqëri” dhe për parandalimin e “përqendrimit të papranueshëm” të fuqisë në media, thotë ajo.

Zyrtarët e lartë të BE-së në Serbi gjithashtu kanë theksuar vazhdimisht nevojën për më shumë transparencë në media. Në një deklaratë nga zyra e delegacionit të BE-së në Beograd të lëshuar më 9 janar thuhet se mungesa e qartësisë sa i përket pronësisë mbi mediat paraqet një “çështje të rëndësishme” për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së. “Kjo çështje është po aq e rëndësishme sa edhe të gjitha çështjet tjera politike,” thuhej në këtë deklaratë.

Të zhytur në borxhe

Megjithëse mosnjohja e pronarëve të aq shumë emetuesve në nivel kombëtar në Serbi përbën një lajm të keq për dem0kracinë e vendit, kjo për punonjësit e papaguar në Avala paraqet një problem tejet urgjent. Pasiguritë lidhur me pronësinë mbi emetuesin do t’ua vështirësojnë atyre rikthimin e mjeteve që u janë borxh.

Dyshime ka pasur që nga fillimi. Avala është krijuar në mars të vitit 2006. Një muaj më pas, u bë një nga pesë rrjetet e reja që fituan licencën shtetërore për emetim mbarëkombëtar.

Suksesi i saj ngriti dyshime në disa qarqe të caktuara. Akterë të tjerë të cilët humbën në garën për këtë frekuencë ishin kanali gjerman ‘i kategorisë së rëndë’ RTL, si dhe BKTV nga Beogradi dhe TV5 nga Nishi.

RRA mbrojti dhënien e licencës, duke thënë se pronarët e Avala kishin premtuar se do të investojnë fuqishëm dhe do të ofrojnë programe kulminante.

Aksionari më i madh, me 45.65 për qind të aksioneve, ishte Danko Gjuniq, i cili dikur ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e ish-liderit të fuqishëm të vendit – Sllobodan Millosheviqit. Gjuniqi kishte luajtur një rol kyç në programet kontroverse të privatizimit edhe gjatë epokës së Millosheviqit edhe pas rënies së tij.

Ai ka mbajtur aksionet e tij në Avala. Gazeta Jeta në Kosovë me ngulm ka kërkuar komentin e tij, por ai nuk i është përgjigjur.

Pjesa tjetër e aksioneve të këtij emetuese fillimisht mbaheshin nga shumë firma dhe institucione të vogla. Të gjitha aksionet e tyre, që gjithsej përbënin pak më pak se 50 për qind, u blenë në vitin 2010 nga Greenberg Invest.

Mitroviqi kishte blerë 4.95 për qind të aksioneve në shkurt të vitit 2008, për një çmim prej 120,211.96 euro.

Përkundër investimit të tij relativisht të vogël, ky mogul më pas u bë president i bordit të aksionarëve të këtij rrjeti. Regjistrat financiarë të vitit 2010 tregojnë se kompanitë e tij i kanë dhënë kësaj kompanie disa huazime afatshkurtra.

Punonjësit e Avala thonë se ai ka luajtur rol kyç në menaxhimin ditor të rrjetit.

Sipas Nikolla Vukomanoviqit, udhëheqësit televiziv i cili po i përfaqëson grevistët, Mitroviqi mori pjesë në takimin e Bordit më 29 dhjetor. Kraussi nuk mori pjesë në këtë takim. Vukomanoviqi, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se Mitroviqi kishte thënë se Kraussi ka ‘hequr dorë’ nga kjo punë.

Duket fare qartë se Avala është në telashe të mëdha. Regjistrat financiarë për vitin 2010, të cilët u analizuan nga Gazeta Jeta në Kosovë dhe ekspertët financiarë, tregojnë se rrjeti ka borxh 25.7 milion euro për huazime dhe shërbime. Në të njëjtin vit, të ardhurat e saj arritën në 2.6 milion euro. Kjo bën edhe më të pavolitshme gjendjen për punonjësit që janë në kërkim të pagave të tyre.

Karaxhiqi, zëvendëspresident i RRA, tha se rregullatori nuk mund ta hulumtojë pronësinë mbi Avala për shkak se nuk ka kurrfarë indikacioni të jetë shkelur ndonjë ligj.

Ai tha se prokurori shtetëror do duhej të ndërhyjë nëse ekziston ndonjë dyshim sa i përket shkeljeve.

Megjithatë, Tomo Zoriq, zëdhënës i prokurorisë, tha se rregullatori ka përgjegjësi për ta iniciuar hetimin.

“Nëse RRA dyshon diçka, ajo duhet të ngrisë padi, ndërsa ne më pastaj do të fillojmë me pjesën tonë të punës,” tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndryshimet e mëdha në Avala

Pas blerjes së një pjese të vogël të aksioneve në Avala nga Mitroviqi, në vitin 2008, filluan ndryshime dramatike sa i përket punonjësve. Rreth njëqind sish humbën vendet e punës, ndërsa edhe disa nga menaxherët e lartë u zëvendësuan.

Sërrgjan Gjuriq, këshilltar për media i ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica, u emërua kryeredaktor. Pas disa muajsh ai u zëvendësua nga Alleksandra Radujko, ish-udhëheqëse e programeve në Pink. Atëbotë, bashkëshorti i saj, anëtari i Partisë Demokratike Branko Radujko, u emërua drejtor i kompanisë shtetërore Telekom Srbija.

Në mars të vitit 2010, bordi menaxhues i Avala emëroi Mitroviqin si ‘këshilltar special të menaxhmentit operativ’, duke i dhënë kësisoj liri të plotë sa i përket punësimit dhe shkarkimit të punonjësve. Hapi i tij i parë ishte largimi i Radujkos dhe vënia e Robert Nemecekut, regjisorit të programeve filmike në Pink, si kryeredaktor. Ai në këtë post qëndroi deri në nëntor të atij viti, kur bordi e shkarkoi dhe emëroi Bojana Llekiqin kryeredaktore. Në janar të vitit 2012, anëtari i bordit të Avala, Dushan Pançiq, e zëvendësoi Llekiqin në postin e kryeredaktorit.

Rruga e gjatë drejt transparencës

Grevistët nga Avala thonë se i kanë humbur shpresat për ndihmë nga institucionet e Serbisë.

Më 8 janar ata i shkruan një letër të hapur Presidentit të Serbisë Boris Tadiq dhe Kryeministrit Mirko Cvetkoviq, duke kërkuar nga ta që të nxjerrin ligje me të cilat pronësia mbi mediat do të bëhej më transparente. Ata gjithashtu thonë se kanë kërkuar ndihmë nga ministria e kulturës dhe mediave dhe nga ministria e punës.

Pasi që asnjë nga apelet e bëra nuk ishin frytdhënëse, punëtorët thonë se tani janë duke shqyrtuar adresimin e kërkesave të tyre tek institucionet ndërkombëtare.

Disa grupe që punojnë për të drejtat e mediave kanë përkrahur grevistët. Federata Evropiane e Gazetarëve, që përfaqëson mbi 260.000 punonjës në media në mbi 30 shtete të ndryshme, bëri bujë për trajtimin e punonjësve të Avala dhe kërkoi nga institucionet e Serbisë mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë gjithashtu ka përkrahur grevistët dhe ka kërkuar nga autoritetet e Serbisë hetimin e pronësisë mbi Avala.

Sipas ekspertëve juridikë austriakë, Greenberg mund të detyrohet që të zbulojë regjistrat financiarë, nëse rasti i Avala paraqitet në gjykatë.

Nikolliq Solomon, nga Zyra e OSBE-së në Beograd, thotë se organizata e saj ka monitoruar dhe financuar një grup punues që ka pasur për detyrë hartimin e një ligji të ri për transparencën mbi pronësinë në vitin 2008. Ky ligj për herë të fundit është debatuar në janar të vitit 2009. Por, i njëjti nuk është miratuar ende.

“Rrugëtimi drejt një sektori më transparent të mediave duket se do të jetë i gjatë dhe me pengesa të shumta,” thotë Nikolliq Solomon. Ajo frikohet se ky proces mund të zgjatë më shumë se një dekadë.

“Nuk them se transparenca do t’i zgjidhë të gjitha problemet dhe se të fuqishmit dhe të pasurit nuk do të mund të rregullojnë më agjendën e lajmeve. Kjo do të ishte naive. Megjithatë, transparenca paraqet hapin e parë thelbësor. Dhe është ky një hap të cilin Serbia ende nuk e ka bërë,” thotë ajo.