KMDLNJ: Përdorim i panevojshëm i forcës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka monitoruar ecurinë e protestave të Vetëvendosjes në pikat kufitare në Merdar dhe te Dheu i Bardhë. Vlerësimi i KMDLNJ-së është se protesta ka qenë e qetë deri në momentin e intervenimit të policisë dhe se protestuesit nuk kanë provokuar dhunën apo intervenimin e policisë.

“Menjëherë pas intervenimit të policisë, një numër i protestuesve ka hedhur sasi të konsiderueshme të kubëzave të betonit, gurëve dhe gjësendeve të tjera të forta në drejtim të policisë, ndonëse kujdestari që kanë qenë përgjegjës për mbajtjen në kontroll të protestës kanë bërë përpjekje të mbajnë situatën në kontroll”, përshkruan KMDLNJ intervenimin policor në Podujevë.

KMDLNJ vlerëson se intervenimi i policisë ka qenë i ngutshëm dhe i panevojshëm, sepse askush nuk ka qenë i rrezikuar gjatë kohëzgjatjes së protestës.

“Qarkullimi i automjeteve ka qenë krejtësisht i reduktuar andaj është dashur të bëhen përpjekje që të tejkalohet kjo situatë, në mënyrë paqësore. Duket se ka munguar vullneti për zgjidhje të problemit, pa përdorim të forcës dhe janë ngritur tensionet pa pasur nevojë në raste të caktuara policia ka tejkaluar autorizimet duke përdorur forcë ndaj të arrestuarve”, vlerëson KLMDNJ.

KMDLNJ është informuar se edhe te Dheu i Bardhë policia ka intervenuar duke arrestuar së protestuesit, të cilët në shenjë proteste janë ulur në tokë.

Ky këshill bën thirrje nga të dyja palët të tregohen të përmbajtura, që të kontribuojnë në shtensionimin e situatës dhe të sigurojnë lëvize të lirë për të gjithë.  “Liria e lëvizjes është e drejtë elementare e njeriut dhe ajo duhet të garantohet. Edhe e drejta për organizimin e protestës paqësore është e drejtë e njeriut e cila po ashtu duhet të respektohet. KMDLNJ nuk përkrah bllokimin e rrugëve pavarësisht motivit për të cilën bëhet dhe pavarësisht atij që bënë këtë”, theksohet ndër të tjera në komunikatë.

Gjithashtu, aktivistë të KMDLNJ-së kanë raportuar nga terreni për lëvizjet e protestuesve nga pjesët e ndryshme të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës në drejtim të pikave ku është paraparë të protestohej.

Sipas raporteve nga terreni KMDLNJ vlerëson se ka pasur përpjekje nga policia që të pengohet shkuarja e protestuesve drejt pikave të parapara. “Rrugët kanë qenë të mbikëqyrura nga forca të shumta policore të cilët kanë kontrolluar shumicën e automjeteve në të cilat ka pasur më shumë se dy persona”.