I kërkon shpërblim BE’së

Kërkesa kosovare është paraqitur të hënën në Bruksel nga kryenegociatorja Edita Tahiri e cila tha për Gazetën Jeta në Kosovë se konstruktiviteti i Qeverisë kosovare që po dëshmohet gjatë këtij procesi, që nga muaji mars, do të duhej të reflektojë në progresin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Palët në proces, ose duhet të shpërblen ose të dënohen për performancën e tyre. Andaj kemi kërkuar nga Bashkimi Europian të bëjë një raport zyrtar se çfarë ka bërë secila palë, pasi marrëveshjet e arritura duhet të respektohen dhe zbatohen”, ka thënë ajo.

Pala kosovare është gjendur në thumb të kritikave nga opozita për, siç interpreton ajo, lëshimet në favor të kauzës së Beogradit për të fituar kandidaturën për BE. Pasi Kosova është duke provuar të avancojë drejt liberalizimit të vizave me 27 vendet anëtare dhe vendosjen e raporteve kontraktuale me bllokun europian, zyrtarët në Qeveri janë të bindur se qasja e tyre në bisedime duhet të reflektohet në këto aspirata. 

Tahiri së bashku me ekipin e saj do të marrë pjesë në raundin e shtatë të takimeve nën ndërmjetësimin e BE’së ku do të diskutohet për telekomunikacionin, energjinë, bashkëpunimin rajonal si dhe ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Ajo tha për Gazeta JnK se Beogradi zyrtar ende nuk ka dhënë as më të voglën shenjë se do të përmbushë zotimet e shprehura në tavolinën e bisedimeve.

Prijësja e delegacionit të Prishtinës porosit se gjatë këtyre dy ditëve BE’ja ka mjaft kohë për të nxjerrë një përgjigje për Kosovën.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se pala kosovare ka treguar që nga fillimi frymë europiane të punës dhe se për këtë qasje, pret që të shpërblehet.

“Ne dihet se synojmë të integrohemi në BE, andaj presim që si rezultat i bashkëpunimit të marrin vlerësime pozitive për këtë rrugëtim tonin, i cili është në harmoni të plotë me agjendën europiane. E nëse pala tjetër nuk bashkëpunon, atëherë duhet të dënohet”, tha ajo.