Nuk Ka 100 €, Pranon 3 Muaj Burg
Gjykata Komunale ne Gjilan e ka dënuar me 90 ditë burgim me kusht Sahit Kërqelin, pasi ai nuk ka pranuar ta paguajë një gjobë prej 100 eurosh.
Kërqeli akuzohej nga Prokuroria Komunale në Gjilan se më 26 maj 2008, ka thyer një banesë në lagjen “Iliria” në Gjilan, pronë e një serbeje nga Ranillugu. Pasi kishte thyer me forcë bravën e derës, aty ka vendosur familjen, duke kryer veprën penale “cenim i paprekshmërisë së banesës”.
Gjykata Komunale në Gjilan, me propozimin e Prokurorisë, me urdhër ndëshkimor e kishte dënuar te akuzuarin me 100 euro dënim me gjobë, por Sahiti kishte bërë ankesë në shkallën e dytë, me arsyetimin se nuk ka para për ta paguar dënimin, pasi jeton me ndihma sociale.
Lënda është kthyer në rigjykim te i njëjti gjyqtar, Ismet Ukshini. I akuzuari e pranoi fajësinë dhe deklaroi se nuk ka pasur para ta paguajë dënimin, prandaj dhe është ankuar.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Isuf Sadiku kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet konform ligjit. Si rrethanë lehtësuese, ai kërkoi të merret pranim i fajësisë dhe gjendja ekonomike e të pandehurit. Ndërsa e dëmtuara kërkoi që i akuzuari t’i kërkojë falje dhe të mos e shqetësojë më në të ardhmen, ndërsa nuk kërkoi që ai të dënohej.
I akuzuari Sahit Kërqeli i kërkoi falje te dëmtuarës dhe deklaroi se banesën nuk e ka thyer, por se e ka marrë çelësin nga një person, të cilit nuk ia di emrin. “Për çelësin kam paguar 70 euro dhe kam menduar se krejt puna është në rregull. I premtoj gjykatës se në të ardhmen nuk do të kryej vepra të tilla”, deklaroi ai.
Në fund, Gjykata solli aktgjykim që Sahit Kërqeli të shpallet fajtor dhe të dënohet me 90 ditë burgim, me kusht që brenda 1 viti mos të kryej vepra penale.