Protesta të Gabuara në Vend të Gabuar

E di se shumë përfaqësues të Vetëvendosjes do ta justifikojnë shkeljen e ligjit këtë të shtunë duke thënë se as qeveria nuk është duke iu përmbajtur standardeve ligjore. Ata do të kishin të drejtë në vlerësimin, por jo edhe në gjykimin e tyre.  

Kur përkrahësit e Vetëvendosjes këtë të shtunë të tentojnë t’i vënë punktet e veta kontrolluese pranë kufirit me Serbinë, ata jo vetëm që do të protestojnë por do të uzurpojnë në mënyrë joligjore një autorizim shtetëror. 

Filtrimi i njerëzve në baza etnike paraqet një rregull të rrezikshëm të turmës, i cili do ta tmerrojë një pjesë të qytetarëve që respektojnë ligjin. Rreziku nga eskalimi i situatës është real, ndërsa pasojat e tij mund të jenë potencialisht katastrofale për marrëdhëniet edhe ashtu të brishta mes vendeve të rajonit. 

Mosbindja civile – e ndonjëherë edhe dhuna – paraqesin veglën më të fuqishme përmes së cilës publiku përkrah kauzat e drejta. Këtë më së qarti e dëshmojnë zhvillimet në sheshet e qyteteve arabe gjatë vitit 2011. 

Por, ata që rrezikonin jetët e tyre në rrugët e Kajros dhe Tripolit, këtë po e bënin për të larguar nga pushteti regjime despotësh dhe për të krijuar demokraci të reja. 

Nëse protestuesit duan të gëzojnë përkrahje morale, atëherë arsyet për shkelje të ligjit dhe për veprime të dhunshme që rrjedhin nga këto shkelje duhet t’i kenë tejet të justifikueshme. 

Vetëvendosje thotë se do të bllokojë dy pika kufitare të Kosovës me Serbinë, për tri arsye: e para, sepse pretendon se qeveria ka injoruar thirrjen e parlamentarëve për të vënë ‘masa të reciprocitetit’ me Serbinë që nga fundi i vitit 2011. 

E kuptoj frustrimin e Vetëvendosjes. Dështimi i qeverisë për të trajtuar me seriozitet këtë vendim të marrë në mënyrë demokratike meriton protestë. Por, cak dhe vend i duhur për të mbajtur një demonstratë të tillë do duhej të ishin institucionet shtetërore, respektivisht rrugët e Prishtinës; ishte Qeveria e Kosovës ajo që e injoroi Parlamentin dhe jo Serbia (këtë herë). 

Kësisoj, përveç dëmit që bllokimi i kufijve do t’i sjell bizneseve dhe individëve të cilët thjesht duan të jetojnë jetët e tyre në mënyrë normale dhe dhunës potenciale që ai ngërthen, kjo rezulton të jetë një protestë e gabuar në vend të gabuar. 

Argumenti i dytë, se bllokada bëhet në përkrahje të prodhuesve vendorë, është qesharak. Nëse Kosova dëshiron që të miratojë politika ekonomike proteksioniste për ta nxitur prodhimtarinë vendore, atëherë ajo mund ta bëjë këtë përmes masave të ndryshme stimuluese dhe investimeve, por inkurajimi i bojkotit të produkteve nga një vend i caktuar nuk përbën një plan koherent ekonomik. 

Argumentin e tretë më mirë as të mos tentoj ta parafrazoj. “Kjo bllokadë nuk do ta lejojë Serbinë që të kalojë kufirin me Kosovën. Veprimet tona do të bëjnë që nga vendkalimi i një vije administrative, siç e quan Serbia, kufiri të shndërrohet në një kufi shtetëror, dhe kjo do t’ia pamundësojë Serbisë hyrjen në territorin tonë. Ne duhet ta bllokojmë Serbinë për shkak se ajo po na bllokon neve dhe po na lufton çdo ditë.

“Ne nuk mund t’i normalizojmë marrëdhëniet me një shtet që nuk është normal, ndërsa Serbia ndaj nesh nuk po sillet si një shtet normal.”

Kjo vërtet po krijon bindje se po bëhet një protestë për hir të protestimit. 

Vetëvendosje as që po e përmend shprehimisht ambicien e vet (të prezumuar) për ta shtyrë Serbinë që ta njeh Kosovën si shtet. 

Politikanët dhe aktivistët e dijshëm të kësaj lëvizjeje e dinë, apo do duhej ta dinë, se protestat e tilla nuk do të ndryshojnë qëndrimin e Beogradit dhe nuk do t’i ndihmojnë Bashkimit Evropian në kërkimin e politikave më të arsyeshme nga qeveria e Serbisë. 

Në realitet, e tëra që do të mund të arrijnë përmes protestave të tilla është shtimi i retorikës nacionaliste në të dy anët e kufirit dhe vazhdimi i luftës së rrejshme mes Kosovës dhe Serbisë. A është kjo ajo që po kërkon Vetëvendosja? Nëse po, atëherë duhet të thonë ashtu. 

Kjo është një protestë e rrezikshme me qëllime të paqarta dhe të paarritshme. 

Nëse jeni duke menduar nëse do duhej të merrni pjesë në të, ju këshilloj që këtë të shtunë ta kaloni në shtëpitë tuaja.