Përçarjet i Shpërfaqin në Bruksel

Një diskutim i zëshëm publik në një debat për mediat në Maqedoni i mbajtur në Bruksel këtë javë zbuloi edhe një herë përçarjet e hapura politike në këtë shtet Ballkanik të ndarë në fraksione.

Zënka shpërtheu në një debat për lirinë e shtypit në Maqedoni të mbajtur të martën në Parlamentin Europian, me titull “Heshtja e Shtypit”.

Pasi që disa gazetarë maqedonas u ftuan që të tregojnë hollësi për ato që ata i konsideronin incidente të ngacmimit qeveritar, tre gazetarë pro-qeveritarë të pranishëm akuzuan anëtarët e ftuar të panelit se po e tradhtojnë shtetin.

Treshja shpërtheu kur organizatorët e panelit, dy eurodeputetë, kërkuan nga ata që të presin deri kur pjesëmarrësit e listuar të përfundojnë me fjalimet e tyre para se t’i adresohen panelit.

Pasi që akuzuan dy deputetët e PE’së se janë “Talibanë” dhe “Euro-Bolshevikë”, eurodeputeti Gjerman, Jorgo Shatzimarkakis, kërkoi që ta lëshojnë sallën.

Përfaqësuas nga media Maqedonase
Përfaqësuas nga media Maqedonase

Gazetarët patën një grindje fjalësh ndërmjet vete dhe pastaj doli në skenë Shatzimarkakis, ku edhe i shau ata në greqisht – në gjuhën e tij të prejardhjes.

Në shtëpi, mediumet pro-qeveritare akuzuan organizatorët e debatit, eurodeputetët Shatzimarkakis dhe Jelko Kacin nga Sllovenia, se nuk e lejuan treshen të flisnin.

Në anën tjetër, oponentët thanë se i tërë ky sherr dukej i kurdisur dhe caktuar me qëllim pikërisht në kohën e lajmeve të mbrëmjes në Shkup. 

Të gjithë pajtohen se incidenti ka dhënë vëmendje turpërimi në Maqedoninë tanimë të polarizuar si kurrë më parë ndërmjet përkrahësve dhe kundërshtarëve të pasionuar të qeverisë nacionaliste të Nikola Gruevskit dhe partisë së tij VMRO DPMNE.

Në Maqedoni duket se po përhapet një kulturë e ofendimeve, akuzave dhe gjuhë e urrejtjes, e cila është përkeqësuar që nga koha kur VMRO DPMNE korri edhe një mandat në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në qershor 2011, duke lënë socialdemokratët edhe një herë në opozitë.

“Kjo vetëm sa tregon sa alarmuese është duke u bërë gjendja me lirinë e medias në Maqedoni,” tha eksperti i komunikimeve nga Shkupi, Klime Babunski.
“Nëse këto akuza të dyanshme bëhen standardi, mund t’i themi lamtumirë standardeve profesionale gazetareske në të ardhmen”, tha ai për Balkan Insight.
Babunski tha se dyshonte se veprimi i tre gazetarëve që ndërprenë takimin do të bëjë që Maqedonia të pranojë edhe më shumë kritika nga Brukseli, të cilët për kohë të gjatë kanë ngurruar t’i ofrojnë shtetit një datë të nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.

Asociacioni i Gazetarëve në Maqedoni, ZNM, të mërkurën kritikoi të dy grupet e gazetarëve si dhe Shatzimarkakisin për drejtimin e të sharave ndaj tyre. ZNM tha se “të dy grupet e gazetarëve që paraqitnin mendime skajshmërisht të kundërta nuk pasqyrojnë situatën reale me mediat dhe gazetarinë në vend”.
Megjithatë, në një letër të dërguar të enjten, ZNM kërkoi nga policia që të ofrojë mbrojtje për gazetarët që kishin marrë pjesë në debat për shkak të krijimit të një atmosfere gjithnjë më të madhe të kërcënimit publik ndaj tyre në vend.

“Dëshmi për këtë janë diskutimet në rrjetet sociale dhe mënyra përmes së cilës disa nga mediat dhe gazetarët janë duke inkurajuar dhunë përmes gjuhës së urrejtjes”, tha ZNM.

Tre gazetarët e përfshirë në debatin e zëshëm ishin të papenduar për poteren e shkaktuar në selinë e BE-së.

“Ky diskutim paneli ishte demonstrim i njëanshmërisë dhe Euro-Bolshevizmit”, tha më pas Mirka Velinovska, gazetare e ditores Nova Makedonija. “Ne provuam ta ndërpresim takimin duke shkaktuar skandal”.

Milenko Nedelkovski, nikoqir i një programi televiziv në Kanal 5 TV në Maqedoni tha se paneli i ftuar ishte përfaqësues i pesë tradhtarëve maqedonas që dëshironin ta dëmtonin vendin tonë dhe të krijojnë një imazh negativ të medieve tona”. Boban Nonkovic, gazetar dhe redaktor në ditoren Dnevnik, fajësoi organizatorët e panelit për atë që, siç tha ai, i larguan nga salla në mënyrë të ashpër.

Velinovska dhe Nedelkovski iu bashkuan figurave tjera të spikatura pro-qeveritare të mediave në Maqedoni, të cilët dërguan një letër për komisionerin e zgjerimit në BE’së, Stefan Fuele, më 4 shtator, duke i akuzuar disa nga kolegët e tyre për shpërndarjen e përshtypjeve të rrejshme se qeveria po shtyp mediat kritike.

“Ne ju sigurojmë se liria e medias në vendin tonë është problem që nuk ekziston”, shkruan ata. “Gazetaria maqedonase nuk vuan nga presionet qeveritare dhe përpjekjet për kontroll.

“Problemi ynë kryesor janë një rrjet njerëzish të afërt me Partinë Komuniste që dikur ishte në pushtet  [Socialdemokratët aktualë] të cilët thjeshtë nuk mund ta pranojnë pluralizmin në shoqëri, politikë dhe ekonomi”, theksohej në letër.

Përkundër asaj që pohonin nënshkrueset e letrës, shqetësimi për lirinë e medieve në Maqedoni nuk është i kufizuar në gazetat dhe gazetarët pro-opozitarë.

Kjo çështje është shfaqur në të gjitha raportet vjetore të kohëve të fundit të Komisionit Europian për Maqedoninë.

Këto shqetësime u përshkallëzuan këtë verë pas një varg mbylljesh të mediumeve antiqeveritare, të gjitha në pronësi të të njëjtit magnat, Velija Ramkovski, i cili është në gjykim për evazion tatimor. Të parat që u mbyllën në korrik ishin tri gazeta ditore, Vreme, Spic dhe Koha e Re. Në fund të korrikut, u mbyll edhe stacioni televiziv më popullor në vend, A1. Qeveria insistonte se nuk ka pasur fare rol në mbyllje, duke fajësuar vetë parregullsitë financiare të Ramkovskit.

Në një incident tjetër, jo të lidhur me keqpërdorimet e pretenduara financiare të Ramkovskit, ditorja Utrinski Vesnik, në pronësi të grupit medial gjerman WAZ, shkarkoi 5 gazetarë për pjesëmarrje në një grevë kundër planeve për shkurtime të vendeve të punës.

Monitoruesit e mediave thanë se edhe shkarkimet edhe mbylljet përbënin pjesë të sulmit në gazetarët dhe grupet mediale me bindje të pavarur.

“Mbylljet dhe kërkesat tatimore duket të jenë të motivuara politikisht,” tha Nicola Duckworth, drejtore e Amnesty International për Evropë dhe Azi Qendrore në një komunikatë për shtyp në korrik.
“Këto mbyllje po duken gjithnjë e më shumë si sulm të plota në lirinë e shprehjes,” shtoi ajo.
Në korrik, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, shprehi shqetësime të ngjashme lidhur me seritë e mbylljeve, duke cekur se mediat opozitare në Maqedoni “praktikisht janë eliminuar”.

Organizata Mediale për Evropën Juglindore me seli në Vjenë, SEEMO, po ashtu tha se beson që zërave e pavarur medialë në Maqedoni po u lidhet goja deri në heshtje.

Në gusht, grupi francez Gazetarët Pa Kufi theksuan se janë të shqetësuar për lirinë e mediave në Maqedoni pas mbylljeve gjatë verës.
Njëri nga gazetarët e ftuar për të folur në panel në Bruksel ishte Borjan Jovanovski, ish redaktor për Eurozoom, emision që transmetohej në televizionin tanimë të shuar A1.

Në fjalimin e tij për panelin – pas ndërhyrjes – Jovanovski tha se te autoritetet shihet një tendencë në rritje e anatematizmit dhe diskreditimit të të gjithëve që tentojnë të mendojnë apo veprojnë ndryshe.

Atij kujton kur është etiketuar tradhtar më 2009 si rrjedhojë e nismës së tij për mbajtur një debat ndërmjet ekspertëve maqedonas dhe atyre grekë lidhur me çështjen e ngatërruar të emrit të Maqedonisë, të cilin e kundërshtojnë Grekët.

Si pasojë e kontestit me “emrin”, Greqia ka bllokuar Maqedoninë në anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit në vitin 2008 dhe kërcënon se do ta bëjë të njëjtën gjë me aplikacionin e Maqedonisë për anëtarësim në BE.

“E vetmja gjë që pasoi nga e tërë kjo ishte histeria dhe etiketimi im si tradhtar,” kujton ai gjatë debatit.

Në një incident plotësisht tipik, një i ri ishte afruar në një kafene dhe e kishte sharë atë si “tradhtar i atdheut”, tha Jovanovski.

“Ky është realiteti në të cilin në jetojmë dhe punojmë ne, intelektualët, gazetarët, profesionistët dhe të tjerët që e duam këtë vend, ndryshe nga mënyra të cilën e duan ata që na qeverisin,” shtoi ai.

Koha e këtij sherri në Bruksel ishte e pafat për Maqedoninë.

Në tetor, Komisioni Evropian pritej të lëshojë raportin për aplikacionin e vendit në BE, i cili, shpresojnë zyrtarët në Shkup, do të flasë pozitivisht për progresin e Maqedonisë drejt anëtarësimit.

Njëri nga dy eurodeputetët që morën pjesë në debat, Shatzimarkakis nga Gjermania, këmbëngulte se vendimi i tij për t’i përjashtuar tre gazetarët nga takimi ishte i drejtë.

“Nëse njerëzit bërtasin dhe nuk kanë respekt për rregullat kur duhet të dëgjojnë, ata do të përjashtohen nga çdo tubim,” tha ai.

Ai kërkoi falje për sharje në greqisht dhe për përdorimin e termit “malakas’, që do të thotë “gomar (zharg.)”, duke thënë se ato i ishin drejtuar rojave të sigurisë jo gazetarëve.

Kolegu i tij, Jelko Kacin, tha të mërkurën se incidenti nuk do ta kalonte i pavërejtur. Eurodeputeti slloven tha se institucionet përkatëse të BE-së do të informohen për këtë.

Mirëpo Kacin gjithashtu tha se kishte dyshime se qeveria e Maqedonisë ishte prapa incidentit, me shpresë se do të përfitonte nga ai.

“Incidenti është publikuar në Maqedoni para se të fillonte debati, pra shihet qartë se publiku maqedonas është manipuluar”, tha Kacin.

Komisioneri për zgjerim Stefan Fule tha të enjten se Komisioni ishte “në dijeni për këtë incident dhe shpreh keqardhje për të”.

Ai shtoi: “Ne kemi kuptuar se kjo ishte përpjekje e një grupi individësh dhe përkrahësve të tyre të prishin rendin në një dëgjim publik në Parlamentin Evropian. Personat e përfshirë kanë humbur një mundësi të çmuar për të marrë pjesë në një debat të hapur”.